Kamperi më i lirë në botë
Çmimi i tij është ai i një makine të vogël
Vera po afron me hapa të mëdhenj dhe shumë po planifikojnë pushimet. Këtë vit më në fund do të mund të shijojmë pushimet pak më afër normalitetit dhe me siguri edhe mes jush do të ketë adhurues të tour on the road të ndërmarrë me kamper. Vërtetë, bëhet fjalë për një mjet pak a shumë të shtrenjtë, ndaj para se të blini një mendoni jo një herë, por shumë herë. Megjithatë, sot ka një lajm të mirë për këtë gje: është një shembull mëse i përballueshëm. Po flasim për Lada Granta Camper, të realizuar nga rusët e Lux Form mbi bazën mekanike të Lada Granta, një automjet shumë i njohur ky në Rusi. Çmimi i tij është praktikisht ai i një makine të vogël.
Lada Granta Camper, me një gjatësi totale prej pak më pak se 5 metrash ofron një kabinë që është e mjaftueshme për të akomoduar dy ose tre persona pa hequr dorë nga komoditetet e shtëpisë. Në brendi, në fakt, ka një krevat dopio dhe një tek, një frigorifer 70 litërsh, vend për të gatuar, me lavaman, banjë me dush dhe lavaman, guardarobë, ngrohës dhe boiler për ujë të ngrohtë. Rezerva e ujit është 70 litra, siç raportohet nga Greenme.it
Kabina është e gjatë 2.17 metra, 1.58 metra e gjerë dhe 1.64 metra e lartë me mure të trasha 3.1 cm duke e bërë kamperin të përshtatshme edhe për udhëtime dimërore.
Pjesa mekanike, siç thamë, sigurohet nga Lada. Granta, modeli më ekonomik i prodhuesit rus, është i pajisur me një motor 1.6 benzinë në versionet 90, 96 dhe 106 HP. Vetëm vetura, në Rusi, kushton pak a shumë ekuivalentin e 7,000 eurove. Në Rusi, Lada Granta Camper tregtohet me një çmim fillestar prej 12,800 euro, që korrespondon me koston e një prej makinave mesatare evropiane. Por, në Evropë, Lada Granta Camper importohet vetëm nga kompania gjermane Made in Russia GmbH e Prutting, e cila e bën të disponueshëm me një çmim prej 29,990 euro.