Maria dhe Katerina, cilat janë vajzat e Vladimir Putin
Putini është kujdesur gjithmonë për jetën e tij private, aq sa e konsideron atë një argument off limits , përfshirë dy vajzat e tij Maria dhe Katerina
Që kur shpërtheu lufta në Ukrainë, të gjithë sytë në botë janë drejtuar tek Vladimir Putin, me një shqetësim gjithnjë e në rritje për vendimet e tij në lidhje me vendin e drejtuar nga Volodymyr Zelensky. Ndërkohë, është rritur edhe kurioziteti për figurën e këtij burri misterioz, i cili e ka mbajtur gjithmonë larg vëmendjes së publikut jetën e tij private.
Në Rusi, në fakt, është gjë e ditur se një nga temat tabu të presidentit është pikërisht jeta e dy vajzave të tij Maria dhe Katerina, të cilat i ka nga martesa e parë me Ljudmila Putina. Numri një i Kremlinit rrallë i përmend në publik dy vajzat e tij dhe foto zyrtare të vajzave janë praktikisht të pamundura për t’u gjetur. Për arsye privatësie, të dyja kanë zgjodhur të ndryshojnë identitet në Maria Vorontsova dhe Katerina Tikhonova, gjithnjë duke ruajtur patronimin e saktë Vladimirovna, që do të thotë vajza e Vladimir.
Maria dhe Katerina, dy vajzat e presidentit Putin
Të lindura më 1985 dhe 1986, Maria në Leningrad (tani Shën Pjetërburg) dhe Katerina në Dresden, në ish-Gjermaninë Lindore, janë rezultat i martesës me stjuardesën Ljudmila, nga e cila Putin u divorcua më 2013.
Të dyja vajzat e presidentit rus kanë studiuar në shkollën gjermane në Moskë deri më 1999. Më pas, me emërimin e të atit si kryeministër, ato u tërhoqën nga instituti dhe vazhduan vitin privatisht, duke u zhdukur efektivisht nga skena publike.
Që nga ai moment për to është dëgjuar të flitet shumë pak dhe vetëm me një emër të rremë për të respektuar privatësinë e familjes duke qenë se, sipas numrit një të Kremlinit, “ata nuk kanë qenë kurrë vajza-yje dhe nuk kanë dashur kurrë të jenë në qendër të vëmendjes” dhe as “Dua që të rriten si princesha!”.
Jetët dhe karrierat e Maria dhe Katerina
Jetët e dy vajzave të Putinit janë praktikisht të mbuluara me mister, duke parë informacionin shumë të pakët për punën dhe jetën e tyre private.
Maria, sot një gjenetiste në shërbim të Kremlinit, ka studiuar biologji në Universitetin Shtetëror të Shën Pjetërburgut dhe më pas u diplomua për mjekësi në Universitetin Shtetëror të Moskës, ku dhe u specializua si endokrinologe pediatre. Thuhet se është e martuar me biznesmenin holandez Jorrit Faassen, një menaxher holandez që ka pas punuar në Gazprom. E lidhur me projektin më të madh të investimeve private në Rusi në fushën e trajtimit të kancerit, duket se është e përfshirë gjithashtu edhe në projekte kërkimore mbi studimin e ADN-së.
Katerina, pas një diplomimi për Studime Aziatike në Universitetin Shtetëror të Moskës dhe një karriere të shkurtër si kërcimtare akrobatike rock’n’roll, që e çoi atë dhe partnerin e saj Ivan Klimov në vendin e pestë në një konkurs botëror të mbajtur në Zvicër më 2013, studioi fizikë dhe matematikë.
Interesat dhe talenti i saj shkencor e kanë bërë drejtoreshën e parë të Innopraktika, një projekt zhvillimi universitar rus prej 1.7 miliardë dollarësh. Sipas mediave ruse, sot është në krye të institutit të ri për kërkime në fushën e inteligjencës artificiale të Universitetit të Moskës. Për këtë qëllim, projekti do të kishte marrë fonde të vlerësuara në afro dy miliardë dollarë (për këtë arsye do të ishte protagonist edhe i disa hetimeve gazetareske).
Më 2013, vajza më e vogël e Putinit u martua me djalin e një oligarku të afërt me babain e saj, Kirill Shamalov, por sipas disa zërave të dy do të ishin divorcuar më 2018.
Përgatiti për gazetatjeter.com, Laura Dani