Blog

  • Lazër STANI – Gruaja me të zeza

    Lazër STANI – Gruaja me të zeza

    Im gjysh po më tregonte, ndoshta për të njëqindtën herë, se si erdhi i pari ynë në këtë fshat para dyqind vjetësh e që tash mban emrin e tij, kur te porta e madhe e oborrit u shfaq fqinja jonë Dilana, që mua m’u duk se po vazhdonte të fliste me vete. “Ah, kjo dreq, sa shumë fjalë ka”, u ankua gjyshi dhe shkoi gishtërinjtë e tij të gjatë nëpër flokët e thinjur, duke zbuluar ballin e lartë dhe tërheqës, edhe pse i kish kaluar të gjashtëdhjetat.

    Dielli i pasdites qe ulur mbi kodër dhe një shkëlqim që rrëshqiste pjerrtas nëpërmjet gjetheve të drurëve të mëdhenj, që rrethonin shtëpinë tonë, ra mbi fytyrën e gjyshit, duke e ndriçuar atë si ajo rrezja e vetmuar që vjen nëpër errësirën e kinemasë dhe ndriçon figurat në bezen e bardhë. Gjyshi u ngrit, mblodhi gazetat dhe librat mbi tryezën që gjendej në oborr e ku kalonim mbasditet duke biseduar ose duke lexuar, sa herë koha ishte e mirë dhe e ngrohtë, deri nga fundi i tetorit. Kur Dilana u fut në oborr, i bëri shenjë gjyshit që të mos luante, tha diçka për kohën që pritej të prishej dhe diçka tjetër që unë nuk e mora vesh. Para se gjyshi të thoshte një fjalë, ajo shtoi se i pëlqente të rrinim këtu jashtë se brenda i zihej fryma. Ajo tha se kjo verë e zgjatur deri në tetor, nuk po ia bënte qejfin se kushedi pastaj se çfarë rrebeshesh do të vinin nga Podgorica, se kur po vinte tek ne, kishte vërejtur qiellin dhe i qe dukur i shpëlarë e disi i çartur, jo si dikur.

    “Qielli nuk është më si tridhjetë vjet më parë, Koko”, tha Dilana, më mori mua mes krahëve dhe më përqafoi, më puthi fort në faqe, duke m’i ngjitur buzët pas lëkurës e që mua më shkaktuan një ndjesi jo si herët e tjera: m’u dukën më të ngrohta dhe më të lagështa. Me gishtërinjtë e dorës së djathtë kërkoi të më prekte seksin e strukur nën pantallona, po unë ia shtyva dorën me forcë, pothuajse i trembur nga ky zakon i saj i keq. “I doli lezeti dreqit, – tha. – U rrit.”

    Unë tërhoqa çantën time të librave nga tryeza e drunjtë dhe u bëra gati të largohesha. Nuk e duroja Dilanën edhe pse ishte e pastër e vishej mirë, krihej e çkrihej e mbërthehej me kopsa, se fliste shumë fjalë të pista që bënin të më skuqeshin veshët, kurse gjyshi, edhe pse nuk përdorte kurrë fjalë të tilla, argëtohej me fjalët e saj, shkrihej së qeshuri, i shkëlqenin sytë e mëdhenj e të zinj, kurse në buzë i varej një tallje e lehtë, e patëkeq, që unë nuk e kuptoja se me kë e kishte: me Dilanën që i llapaçiste mbarë e prapë, apo me mua, që skuqesha e turpërohesha prej marrëzive të saj që s’kishin të sosur. Më dukej se te kjo krijesë e vjetëruar qenë mbledhur gjithë të zezat: fjalët e ndyra, ëndrrat e këqija, historitë e shumta dhe të pakuptimta që të linin në kllapi, sidomos kur zbulonin të fshehtat e grave. Ajo shfaqej te porta e madhe, atëherë kur nuk e prisje, ndalej një çast te pragu, shkundej e ngrinte kryet lart, sikur gëlltiste diçka që mbllaçiste në gojë dhe këpuste ndonjë fjalë që mua më linte pa mend e më frikësonte, më bënte të mbyllesha në vete.

    Tjetërkujt në katund nuk ia shkelte derën. Gjithmonë thoshte: “Çfarë burrash janë këta, i lag shiu kot!” Që kur dy djemtë e saj gjetën punë në qytet dhe ajo mbeti vetëm me të shoqin në fshat, hynte e dilte nga tri-katër herë në ditë në shtëpinë tonë, gjithnjë i thoshte nënës që të mos pështjellohej e të merrej me punët dhe shtrohej në bisedë me gjyshin, sikur të mos ishin parë prej kushedi sa vitesh. Fliste shumë e pa pushim, gjithmonë sillte një lajm të ri, të mirë a të keq, tregonte ndonjë ngjarje të sapondodhur dhe e peshonte me gjyshin, sikur ata të dy të vendosnin për secilën ngjarje fundin e përcaktuar.

    Dilana merrte e jepte me duar, zgjaste kokën përpara e mprehte sytë shkëndijues, i thoshte gjyshit se Marlekët na qenkëshin një racë robi e mbaruar se edhe me ndrikullat e veta na paskëshin pasë punë! Ose ndodhte që i lëshonte krahët poshtë, ngrinte sytë lart, lëshonte një psherëtimë të thellë, aq sa më dukej se i këputej fryma, shqiptonte diçka të turbullt për të ritë e saj dhe fliste si me vete: “Kush i lakmon kësaj jete është shtazë.” “Po edhe asaj jetës tjetër s’po ia gjejmë fillin”, i thoshte gjyshi përhumbëshëm e dyshues, edhe pse mbante kryq në qafë e lutej të kremteve. Im gjysh fliste shtruar, rrjedhshëm, po fjalët e tij më rëndonin e më ngjallnin trishtim. Po më shpëtonte gjithnjë Dilana që ia priste atij fjalën në mes, i kujtohej ndonjë histori e shkuar ose i kërcente në mendje ndonjë dalldi, kukurisej e llapaçiste për dy fyçkat e saj, nuset e djemve, që s’merrnin erë nga kjo jetë. Kur merrte zjarr, goja nuk dinte t’i ndalej, i përfliste të gjitha të fshehtat e fshatit derë për derë, dinte tekat dhe huqet e grave në shtrat, madje njëherë po i thoshte gjyshit se nusja e Shados na paskësh ardhur me atë leshin e parruar, për faqe të zezë! Im gjysh e dëgjonte me një të qeshur të ngujuar në sy, që unë nuk e kuptoja. “Veç ti ke mbetë në këtë anë, o Kokë, tjerët janë mo’Zo ma keq. Shkuan në atë anë”, thoshte dhe ia ngulte sytë paturpësisht gjyshit.

    Nuk e dija se kush e pati thirrur për herë të parë gjyshin tim me emrin Kokë, ndoshta ndonjë stërgjysh që nuk rronte më, po atë në fshat të gjithë e thërrisnin Kokë dhe rrallëkush ia shqiptonte emrin e vërtetë Andrea. Gjyshi bëhej në qejf kur vinte Dilana, i thërriste nënës që t’u bënte nga një kafe dhe ndonjëherë, kur ishte shumë në qejf, mbushte edhe gotat me verë. E dija se atëherë biseda do të zgjaste, shihja sytë e gjyshit që shkëlqenin, lëvizjet që i gjallëroheshin, duart që nuk i zinin vend dhe bëhesha gati të shkoja në dhomën time e të merresha me mësimet. Në përgjithësi, im gjysh me Dilanën nuk ruheshin prej meje, flisnin ç’u vinte për mbarë, sikur unë të mos isha aty, po edhe kur largohesha nuk e ndienin mungesën time, edhe pse gjyshi, sapo Dilana kthehej në shtëpi të saj, më përsëriste: “Sa shumë fjalë ka kjo grua.”

    Atë ditë Dilana më dukej ndryshe nga herët e tjera, sikur nuk po e mbante vendi, merrte e jepte me gjyshin, kur papritmas ia këputi: “Më ka tradhtuar burri!”

    Im gjysh qeshi me zë të lartë, siç nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë. Qeshi shumë e pastaj e zuri një kollë e zgjatur, po prapë, kur iu qetësua kolla, vazhdoi me të qeshurën e tij tashmë të shtruar dhe të ëmbël, e cila të mbetej në vesh për një kohë të gjatë. Unë pashë se edhe Dilana po qeshte, madje m’u duk se ndihej e lumtur nga kjo tradhti. Nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte midis atyre të dyve, pse po qeshnin aq shumë kur të paktën Dilana duhej t’ia plaste të qarit. Më erdhi keq për fqinjin tonë, Lucën, edhe pse nuk e doja, se më ndiqte me një zdap kur ngjitesha në kumbullat e tij që ishin më të mirat në fshat, më kërcënonte se do të më lëshonte qenin e zi veshcuran, që të më shqyente katërqind copash. Im gjysh me Dilanë m’u duk se po e tallnin, kurse unë e dija, nuk e kishte zemrën e keqe.

    “He, o Kokë, ç’i thonë kësaj, të tradhtojë burri pas katërdhjetë vjetësh martesë? Kësaj ç’i thonë?”, vazhdonte me të sajat Dilana. Sytë i shkëlqenin fort, kurse gjyshi, kur u qetësua, i tha se po dërdëlliste kot, se nuk i besonte, se Luca tërë jetën e tij më shumë ka shikuar lopët sesa gratë. E mora inat tim gjysh dhe u bëra gati të shkoja në dhomën time e të merresha me mësimet. Po Dilana më tha të lija çantën aty e t’i sillja një gotë ujë të ftohtë se po i thahej fyti. “Dhe i thuaj nënës të na bëjë dy kafe”, tha gjyshi që e thërriste time ‘më njësoj si unë “nënë”.

    Kur u ktheva me gotën e ujit, Dilana po tregonte historinë e të shoqit. Ajo po thoshte se ia tregoi vetë, sapo hyri në shtëpi. “Ishte bërë si gjynah, qyqari”, vazhdonte Dilana gjithë afsh. Piu deri në gjysmë gotën e ujit që i solla unë, vendosi gotën me kujdes në tryezën e vjetër, duke u kujdesur që të mos i rrëzohej në plasat e zgjeruara të dërrasave dhe tregoi historinë, pa i shtuar e pa i hequr asgjë, ashtu siç ia kishte rrëfyer asaj i shoqi.

    Im gjysh e dëgjonte moskokëçarës, duke thithur llullën e tij, ndërsa mua çdo fjalë e saj më ngulitej në tru, aq  e jashtëzakonshme dhe tërheqëse më dukej e gjithë historia. E ndjeva se isha skuqur. Zemra më rrihte fort, trupi më dridhej si i pushtuar nga ethet.

    Ky Luca na paskësh shkuar atë paradite në shtëpinë e Dragës se i pihej një kafe, po burrat e shtëpisë nuk na qenkëshin gjendur aty. Ata na paskëshin pasë shkuar të thurnin një megjë në anën tjetër të lumit, ndërsa Draga na e paskësh pritur me gjithë të mirat, me kafe e me pije e madje, na i paskësh afruar edhe një tryezë të vogël përpara ku kishin lënë gotat e pijeve dhe kafet. Dhe i qe ulur ngjitur në minder dhe ndërsa po pinin kafe si njerëz, ajo na i paskësh hapur këmbët dhe e paskësh tërhequr Lucën mbi vete.

    “As brekë nuk kishte veshur, kuçka”, i kishte treguar më vonë së shoqes Luca. “Zoti më mori mendjen dhe u ndyva”, i kishte thënë ai së shoqes dhe një kokërr loti i kishte zbritur faqeve, aq shumë ishte penduar. Zemërplasur qe lëshuar në karrige e me zë të mbytur i ishte lutur së shoqes që t’i bënte gati dushin. Donte të pastrohej prej aromës së saj të shpifur, të fshinte mbetjet e puthjeve dhe lëngjeve të saj nga trupi. “Burrat nuk qajnë kurrë”, ia kishte pritur Dilana duke i dhënë zemër. Gjuha e Dilanës është djegëse, helmuese, si gjuha e nepërkës. “Mbaje të dashur e mos e çaj kryet. Kur të shkoj në pazar, do të të blej dhurata për të dashurën tënde. Edhe brekë të reja për të do të të sjell nga qyteti. Mbaje e gëzoje se një e dashur në këtë moshë që ke, të gjallnon, të bën burrë.” Luca i qe betuar së shoqes se nuk do t’ia shkelte më kurrë pragun e derës asaj bishtpërdredhure dhe kurrë më nuk do t’ia shihte sytë. Dhe ashtu bëri në ata gjashtë muaj aq sa jetoi, se pas asaj dite u lig e mbaroi, sikur ajo grua e shthurur të na i paskësh ngjitur ndonjë dergjë të pashërueshme.

    Im gjysh që e dëgjoi historinë njësoj si unë, ndihej i kënaqur dhe fliste me të qeshur.

    “Epo, u bë burrë edhe Luca!”, thoshte, po sikur fliste me vete e jo me Dilanën.

    Kur Dilana u ngrit e shkoi, gjyshi shqiptoi frazën e tij të zakonshme: “O Zot, sa e marrë është kjo grua. Të lodh kryet.” Unë dyshoja në fjalët e gjyshit, e dija se ai nuk thoshte të vërtetën, se njëherë pata dëgjuar Nikun, mikun e vjetër të tij, që i thoshte me të qeshur:

    “Nuk hoqe dorë nga gratë edhe tash që po bëhesh gati të shkosh me të shumtët.” Dhe përgjigjen e tim gjyshi: “Të mbeti pidhi në gojë!”

    U ngjita në dhomën time, po nuk mund të lexoja mësimet e lëna përgjysmë. Mendjen e kisha te historia e Lucës me Dragën; e shikoja ngjarjen si në film, i ndihmuar edhe nga imagjinata ime e papërmbajtshme. Prisja që të nesërmen fjala të merrte dhenë, po as kur shkova në shkollë dhe as kur u ktheva në shtëpi, kurrkush nuk e përmendi më këtë histori. Unë mora librin e leximit të klasës së shtatë, dola nga shtëpia se më duhej të mësoja përmendsh një vjershë për flamurin.Gjyshi, si zakonisht ishte ulur në një karrige, pranë tryezës së vjetër në oborr dhe po lexonte gazetën që sapo e kishte sjellë postieri.

    Te ne në fshat, gazetat e ditës vinin zakonisht pasdite dhe gjithmonë im gjysh në mbasditet e vona lexonte gazetat që i fillonte nga faqet e fundit, andej nga botoheshin lajmet e botës. Kur më pa që po dilja, më pyeti se ku po shkoja. I thashë se po dilja nga lumi të mësoja përmendsh një vjershë për flamurin. Atje mund të përpëlitesha, të lexoja me zë e të recitoja sa të doja, se zakonisht pasditeve nuk kish frymë njeriu rrotull. Sapo kalova portën, pashë Dilanën që po vinte te shtëpia jonë dhe iu shmanga që të mos e takoja. Doja ta hiqja nga mendja historinë e Lucës me atë gruan e përdalë, po mendja më rrinte po aty. U betova me vete se kur të rritesha e të martohesha, kurrë nuk do ta tradhtoja gruan time dhe vazhdova rrugën që të mësoja vjershën. Sapo iu afrova bregut të lumit, dëgjova zërin e dikujt që fliste. Pashë se nën arrën e vjetër buzë ujit, ishte Luca me tri lopët e tij: Murrën, Larukën dhe Shegën, që po kullosnin duke përfshirë me gjuhën e gjatë e të lagësht barin e paktë të mbirë midis zallishtes. Të gjithë në fshat e dinin se Luca fliste me lopët e tij, njësoj siç flitet me njerëzit. I ledhatonte me fjalë, i mburrte, i nxiste që ta pëlqenin kullosën e njomë, se po avitej dimri e nuk do të kishin më ku ta gjenin, u fliste pët hallet e tij, u këndonte këngë të vjetra. Njëra nga lopët, Laruka e madhe, e kishte ngritur kokën dhe po e vështronte Lucën me sytë e saj të mëdhenj e të pikëlluar, sikur e ndiente vuajtjen e tij. Dy lopët e tjera kullosnin afër një grumbulli shkurresh duke shrofëtirë, si t’i kishte zënë rrufa e duke trembur me bisht mizat që nuk i linin të qeta.

    “Po si nuk iu drodh syri kur i thashë, si nuk u shkreh në vaj, si nuk më zuri me grushta e shkelma, si nuk më gjuajti me fshesë a stol kokës?”, po i fliste lopës së tij që e vështronte me sy të pikëlluar dhe të pastër, sikur ia kuptonte dhimbjen. “Po më tha edhe që ta mbaja, pa le, më tha se do të më blente edhe dhurata në pazar për të, më tha, oh, ç’nuk më tha, më tha se do të gjallnohesha…” Ishte ulur mbi një trung të prerë, shtrëngonte kokën midis pëllëmbëve dhe vazhdonte t’i fliste lopës së tij, Larukës: “A e merr vesh ti këtë punë? Këtu diçka ka, diçka ka që unë nuk e paskam ditur prej katërdhjetë vjetësh.” Lopa nxori gjuhën, pastroi hundët duke i lëpirë, ndërsa Luca vazhdonte t’i bënte asaj pyetje të çuditshme, sikur kafsha të na qenkesh e vetmja mike besnike, e aftë ta kuptojë vuajtjen e tij. U largova fshehtas kur filloi të dëneste.

    Kur Luca vdiq pas gjashtë muajsh nga sëmundja e pashërueshme që iu shfaq në stomak, unë u përpoqa shumë të kuptoj se cila ishte e fshehta që ai ndante me lopën e tij, Larukën e madhe. Ndalesha shpesh dhe e vështroja lopën e madhe në kullosë, përpiqesha ta kuptoj nga sytë e saj të fshehtën, po qe e pamundur. Ata sy të mëdhenj e të bukur, të thellë e të kthjellët, ishin si puse të brengosur, që kërkonin më kot livadheve të zonë e humbur.

    Unë vazhdova prapë shkollën, edhe pse pata një rënie të dukshme në mësime atë vit, aq sa drejtori zemërgur paralajmëroi babain se nëse edhe në klasë të tetë do të vazhdoja ashtu, duhej të më bënte gati një kazëm e një lopatë që të punoja tokën se nuk isha për shkollë. Po parashikimet e drejtorit zemërlig nuk dolën, se klasën e tetë e mbarova shkëlqyeshëm dhe po atë vit, pa i mbushur ende katërmbëdhjetë vjetët, u largova nga fshati, ku u ktheva vetëm verërave ose gjatë pushimeve dimërore dhe të kremteve.

    Dilana, edhe pse i vdiq i shoqi, nuk e braktisi fshatin, jetoi aty edhe shumë vjet të tjera dhe, siç më kanë treguar, çdo ditë vinte nga tri-katër herë në shtëpinë tonë, ashtu siç bënte edhe kur unë jetoja aty. Gjyshi im vdiq atë vit që unë rashë në dashuri me Nevilën, gruan time të parë, po ai nuk arriti ta njihte, edhe pse shumë herë më pati kërkuar të fejohesha se po u afrohesha të tridhjetave dhe sipas tij burri i sojmë nuk duhet ta shkojë dëm kohën me mendjen te gratë e botës.

    Vdekja e tij qe shumë e rëndë për mua, më ligshtoi e më vetmoi se ai qe njeriu më i dashur në këtë botë dhe më i miri nga të gjithë burrat që njoha e do të njihja në të ardhmen. Kur hyra në shtëpi dhe pashë trupin e tij të madh, të veshur me kostum të ri, shtrirë mbi tabutin e mbuluar me cohë të bardhë, më lëshuan këmbët dhe m’u ndal fryma. Burrat që gjendeshin aty më bërtitën, më shkundën përkrahësh, kurse ime ‘më lëshoi një klithmë lutëse: “Ndihmojeni se mbaroi.” Ashtu i përhumbur nga dhimbja, dëgjova nëpër mjegull zërin e Dilanës që po thoshte: “S’ka faj djali, nuk la shoq mbi këtë dhé!”

    Edhe sot e kësaj dite, sa herë shkoj në qytetin e vogël ku banojnë prindërit e mi, tashmë të lodhur e të drobitur nga pleqëria, i pyes edhe për Dilanën, në rron a s’rron më dhe a mbahet. Dhe gjithmonë, im atë ma pret me inat: “Ende nuk e ka marrë dreqi hisen e vet. Karafilja nuk i hoqi kurrë rrobat e zisë qyshkur vdiq ai, gjyshi yt i bukur.” Dhe flet me urrejtje, sikur im gjysh të mos ishte babai i tij.

  • Alfred de Vigny – Vdekja e ujkut

    Alfred de Vigny – Vdekja e ujkut

    Vraponin retë mbi hënën e përflakur

    Si mbi zjarrin bubulak duket tymi tek shket,

    Pyjet e zinj deri në horizont.

    Ecnim, pa folur, në lëndinën e njomë,

    Në shqopën e dendur e gjineshtrat shtatlarta,

    Kur, nën bredhat si ato të Landeve,

    Pikasëm thonj të mëdhej shënjuar

    Nga ujqit udhëtar që i’u ishim qepur pas.

    Ngrehëm veshët, duke mbajtur fort frymën,

    E hapin pezull. – As pylli as rrafshina

    S’pipëtinin n’ajër; veç

    Erëtreguesi me pikëllim sokëllet në kupë të qiellit;

    Se era, shumë lart përmbi dhera,

    Nuk fshikte me këmbët veç rrathët vetmitarë,

    E shelgjet nga poshtë, pranë shkëmbinjve të pjerrët,

    Mbi bërryla ngjanin të shtrirë e të përgjumur.

    Pra asgjë s’fërshëllinte, kur, duke ulur kokën,

    Më i vjetri i gjahtarëve që kish nisur të kërkonte

    Shikoi rërën duke u shtrirë; pas pak,

    Ai, që kurrë s’ishte parë të gabojë,

    Shpalli zëulët se shenjat e mëparshme

    Tregonin hapat e thonjtë e fuqishëm

    Të dy ujqërve të mëdhej e dy këlyshve të tyre.

    Të gjithë bëmë gati atëherë thikat tona,

    E, duke fshehur pushkët e vetëtitjet e bardha,

    Ecnim ngadalë duke hapur degët,

    Tre ndaluan, unë, tek kërkoja çfarë shihnin,

    Papritmas dalloj dy sy që flakëronin,

    E më tutje shikoj katër forma të zbehta

    Që vallëzonin nën hënën mes shqopave,

    Siç bëjnë çdo ditë, gjithë shamatë, nën sytë tanë,

    Langojtë e gëzuar, kur i zoti kthehet.

    Forma e tyre qe e njëjtë dhe vallja e njëjtë;

    Por fëmijët e ujkut luanin në heshtje,

    E dinin mirë se aty pranë, gjysëmfjetur,

    Shlodhej mbi muret njeriu, armiku i tyre.

    Babai qe në këmbë, e më larg, pas pemës,

    Ulkonja shplodhej si ajo prej mermeri

    E adhuruar nga Romakët, me ijet leshtore

    Që mbështillnin gjysmë-zotat Remin e Romulin.

    Ujku vjen e rri, dy këmbët drejt,

    Nga thonjtë grremçak të ngulur në rërë.

    U ndje i humbur, ngaqë ishte i habitur,

    Shtrofulla e rrënuar, gjithë rrugët e zëna;

    Atëherë kapi, në gojën e tij përvëluese,

    Grykën gulçuese të qenit më trim,

    E nuk i liroi nofullat e hekurta,

    Megjithë të shtënat që mishin i’a përshkonin,

    E thikat e mprehta që, si darë,

    Kryqëzoheshin tek i hynin në barkun e gjërë,

    Deri në çastin e fundit kur qeni i mbytur,

    Kohë i vdekur para tij, mbi këmbët i’u rrokullis.

    Atëherë ujku e la e na vështron.

    Thikat gjer në rrëzë i rrinin në ijë,

    E gozhdonin në lëndinën larë në gjak;

    Pushkët e qarkonin në hënën kobzezë.

    Na vështron akoma, pastaj rishtrihet,

    Veç lëpin gjakun që i përhapej mbi gojë,

    E pa begenisur të dijë si humbi,

    Mbyll prapë sytë e mëdhenj vdes pa nxjerrë një britmë.

    ll

    Mbi pushkën pa barut mbështeta balin tim,

    E nisa të mendoj, por s’munda të vendos

    Për të ndjekur Ujkonjën me fëmijët, të cilët, të tre,

    Kishin dashur ta pritnin, e, siç mu duk mua,

    Pa dy këlyshët, e bukura, e murrëta vejushë,

    S’e kish lënë atë vetëm ta pësonte gjëmën;

    Por detyra e sajë qe ato t’i shpëtonte,

    Që të mund t’u mësonte të duronin urinë,

    E mos të hynin kurrë në paktet e qyteteve

    Që njeriu lidhte me kafshët servile

    Që dëbonin në sytë e tij, për të pasur fjetjen,

    Zotëruesit e parë të pyllit e të shkëmbit.

    lll

    Mjerisht! kam menduar, me gjithë këtë emër të madh, të Njerëzve,

    Se më vjen turp për ne, kaq debilë që jemi!

    Si duhet ta lësh jetën gjithë të këqijat e saj,

    Këtë e dini ju, kafshë të madhërishme!

    Të kuptosh çfarë ishe e çfarë le mbi tokë,

    Veç heshtja është e madhe; pjesa tjetër është dobësi.

    -Ah! të kuptova mirë; rrugëtar i egër,

    Vështrimi yt i fundit m’u fut gjer në zemër!

    Thoshte: «Në mundsh, bëj që shpirti yt të arrijë,

    Fort duke u mbajtur shqyrtues e i matur,

    Gjer në atë majë të krenarisë stoike

    Ku, pse i lindur në pyje, unë jam ngjitur së pari.

    Të rënkosh, të qash, të lutesh, është njësoj paburrëri.

    Bëj me vrull detyrën tënde të gjatë e të rëndë

    Në rrugën ku teka e fatit ta ka caktuar,

    Pastaj, më pas, si unë, të durosh e të vdesësh pa folur.

    përkthyer nga Çlirim Kokonozi

  • Amerika po digjet, politika është akull

    Amerika po digjet, politika është akull

    Zjarret që po shkatërrojnë Kaliforninë dhe bregun perëndimor nuk po e ngrohin fushatën elektorale, nga Trump dhe Biden vetëm deklarata të pakta

    Perëndimi po digjet. Si në një skenar pas-atomik: lagje të shkrumbuara, tym i dendur, ajër i pathithshëm, gati pesë milionë hektarë të shkatërruar, të paktën njëzet të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur. Vetëm në Oregon, urdhri i evakuimit prek 500,000 njerëz ndërsa flakët po i afrohen periferive të Portland, ekziston frika e një masakre. Fotografi apokaliptike në faqet e para të të gjitha gazetave.

    Por Donald Trump hesht. ‘Twitter in chief’, që prej 6 gushtit të kaluar, nuk i ka kushtuar as një cicërimë ferrit të zjarrtë në Kaliforni, Oregon dhe në shtetin e Uashingtonit. Priti përvjetorin e 11 shtatorit për të thyer heshtjen, por vetëm për të bërë homazhe për heronjtë e momentit, njësoj si 19 vjet më parë: për zjarrfikësit.

    “Falenderoj më shumë se 28,000 zjarrfikësit dhe ata që janë në vijën e parë të luftës kundër zjarreve në Kaliforni, Oregon dhe Uashington,” shkruan presidenti, “ne jemi me ta deri në fund”, me heronjtë që sakrifikohen për të mirën e kombit.

    Trump në sulm ndaj Guvernatorit Newsom

    Jo një mesazh solidariteti për viktimat (por dihet që nuk shkëlqen për ndjeshmëri) dhe asnjë aluzion për shkatërrimet mjedisore.

    Herën e fundit që ka folur për Kaliforninë (muajin e kaluar), Trump e bëri në një tubim elektoral në Pensilvani (shteti vendimtar në ekuilibër për të fituar Shtëpinë e Bardhë), duke sulmuar Guvernatorin e Golden State, Gavin Newsom: “Zjarret po shpërthejnë përsëri, nevojitet të pastrohet terreni, të pastrohen pyjet, ka vite me gjethe të rëna dhe degë të këputura që janë aq të ndezshme… ka ardhur koha për të ndaluar zjarret”.

    Po atë ditë, më 22 gusht, ai miratoi gjendjen e emergjencës për Shtetin e Diellit dhe pastaj mbylli fjalimin. Nuk i fryn as erës së komploteve shoqërore që ia atribuojnë zjarret ekstremistëve antifashistë të majtë.

    “Kolegji elektoral i lejon Trump të injorojë krizën e zjarrit në Kaliforni sepse e di që nuk mund ta fitojë shtetin (3 nëntorin e ardhshëm). Madje nuk bën as sikur qeveris gjithë vendin, por vetëm shtetet e kuqe dhe ato në ekuilibër “, vëren Mark Joseph Stern i revistës liberale” Slate “.

    Bajden dhe klima

    E ku ka rast më të mirë se zjarret për Joe Biden për të promovuar Green New Deal-in  e tij: 2 trilion dollarë investime në energji të pastër në 4 vitet e para të mandatit të tij.

    Për të mos folur për kandidaten e tij për zëvendëse, Kamala Harris, përfaqësuese e Kaliforninë në Senat. Por jo, edhe ajo nuk shkëlqen: “Ndryshimi klimaterik ka mbërritur tashmë dhe ne po shohim efektet e tij shkatërruese çdo ditë. Duhet të dëbohet Presidenti Trump nga Shtëpia e Bardhë dhe kriza të trajtohet si një kërcënim ekzistencial”.

    Pastaj përqendrohet tek empatia: “Imazhet që vijnë nga Kalifornia, Oregoni, Uashingtoni dhe shtetet e tjera perëndimore janë vërtetë të tmerrshme. Nëse gjendeni në ndonjë nga zonat e prekura, ju lutemi ndiqni udhëzimet e autoriteteve tuaja lokale dhe vendosuni në vende të sigurta. Jill dhe unë lutem për ju”. Kaq e gjitha.

    A është e mundur që çështja mjedisore të ketë kaq pak peshë në këtë fushatë elektorale? Megjithatë, sondazhet nuk thonë kështu.

    Sipas Pew Research, pjesa e amerikanëve që e konsiderojnë ndryshimin e klimës si një kërcënim të madh është rritur në 60% në 2020 nga 44% në 2009 dhe i intereson kryesisht demokratëve (9 nga 10). Vetëm 31% e republikanëve frikësohen nga ndryshimet klimaterike.

    Analiza e fundit nga Climate Power tregon se 71% e amerikanëve i shikojnë në mënyrë të favorshme veprimet vendimtare të qeverisë në frontin e mbrojtjes ambjentale ndërsa 18% janë kundër tij.

    Arritur në këtë pikë kanë filluar të bëjen edhe llogaritjet elektorale, sepse këmbëngulja mbi Green New Deal për Biden do të nënkuptonte sjellën në vëmendje të votuesve se ai ka lëvizur në të majtë, për të kënaqur bazën të ashtuquajtur progresiste dhe krahun e partisë të kryesuar nga Alexandria Ocasio-Cortez dhe Bernie Sanders.

    Por, të diskutosh dhe të luftosh për mjedisin është majtizëm apo një vijë më e butë dhe më qendrore për të mos larguar votuesit e moderuar? Kjo është dilema e dem në fushatën presidenciale.

    Trump ka përballë një mal me probleme: koronavirusi, papunësia, trazirat sociale: do të donte të shmangte krizën e zjarreve si temë të fushatës së tij.

    Anulon një udhëtim në shtetet e prekura (janë të gjithë të drejtuara nga demokratët), ndërsa vrapoi në Teksas dhe Luiziana pas kalimit të Uraganit Laura.

    Gjendja në Pensilvani

    Me të njëjtën logjikë, tycoon zgjodhi të përkujtojë sulmet ndaj Kullave Binjake jo nga New Yorku (shtet blu, i vështirë për tu marë) por nga Pensilvania, në Shankville, ku u përplas avioni 93 i United Airlines, pas revoltës së pasagjerit kundër terroristëve për të parandaluar goditjen e aeroplanit ndaj objektivave të paracaktuara.

     “Heronjtë e avionit 93 janë kujtesa e pashlyeshme e faktit që nuk llogariten rreziku, kërcënimi, fatkeqësia. Amerika gjithmonë do të dijë të ngrihet dhe të përgjigjet”, ka komentuar Trump.

    Biden merr pjesë fillimisht në ceremoninë e Ground Zero, në New York dhe më pas, si Trump, fluturon për në Shankville, në Pensilvaninë e diskutueshme: vendos një kurorë lulesh para memorialit, takon familjarët e viktimave dhe qëndron me disa zjarrfikës, të tjerë heronj, të cilëve u jep birrën që u kishte premtuar gjatë një vizite të mëparshme.

    Java për t’u harruar e presidentit

    Në një javë për t’u harruar në frontin e brendshëm, ku ishte detyruar të mbrohej kundër akuzave për fshehjen e rëndësisë të pandemisë ndaj amerikanët, siç është shkruar në librin e fundit nga Bod Woodward, Trump shënon një gol të rëndësishëm me marrëveshjet e paqes midis Bahreini dhe Izraelit, më pak se një muaj pas njoftimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Emirateve dhe Izraelit, si dhe Kosovës, Serbisë dhe Izraelit.

    “Një kthesë tjetër historike”, ekzalton Donald ndërsa Sekretari i Shtetit Mike Pompe është në Doha, Katar për rinisjen e negociatave midis talibanëve dhe qeverisë afgane.

    Fronti i brendshëm dhe i jashtëm, politika e brendshme dhe punët e jashtme, ekonomia dhe siguria, heroizmi i përditshëm dhe llogaritjet cinike elektorale.

    Biden dhe Trump janë në kthesën e fundit para se të hyjnë në rrugën që të çon në vijën e finishit, mendojnë për mesazhet politike, mbledhin të dhënat nga sondazhet, strategët këshillojnë për përqëndrimin nëpër segmente të veçanta të elektoratit që favorizojnë nëpër shtetet në ekuilibër.

    Amerika po digjet, politika është akull.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Hans-Joachim Lanksch – Rose Auslender, një zemër mendimtare që këndon

    Hans-Joachim Lanksch – Rose Auslender, një zemër mendimtare që këndon

    Në fillim të viteve të 80-ta, i zhgënjyer nga poezia llafazane gjermane e viteve të 70-ta e cila ilustronte dhimbshëm boshllëkun që e kishte lënë vdekja e të madhit Paul Celan (1920-1970), hasa në krijimtarinë poetike të Rose Ausländer. U dashurova spontanisht, thellësisht dhe pashërueshëm në vjershat e saj të kristalizuara nga fjalë yjesh, fjalë fryme, fjalë lulesh, fjalë engjëjsh … Më 1984-1985 merresha me përkthimin e 50 poezive të Rose Ausländer. Përkthimet i kontrollonte Martin Camaj duke propozuar ndërhyrje fare të vogla që pothuaj nuk binin në sy por kishin efekt të madh. Kështu, ai hiqte konstruksione tipike sintaksore të gjermanishtes me fjali të varura që s’i shkojnë fjalës poetike shqipe ku e zëvendësoi p.sh. përemrin lidhor “që” a “të cilin” etj. me një “e” të thjeshtë ose ai propozoi që të hiqej ndonjë atribut që nuk ishte absolutisht i domosdoshëm dhe që do ta kishte rënduar së tepërmi tekstin shqip. Me lëmime të këtilla, mjeshtri i fjalës së gdhendur shqipe më tregonte se si mund e duhet të përkthehet poezi në shqip. Aty-këtu, Martin Camaj i jepte përkthimit një element tonaliteti të gegnishtes së tij, fjalën “lëpêth” në vjershën Të huajt ma propozoi Martin Camaj pa të cilin nuk do ta kisha ditur fjalën. Në tri poezi (A dëgjon; Dhuratë; Harro) Martin Camaj ndërhyri aq shumë me stilin e vet saqë duhet thënë se i përktheu ai. Asokohe, ndonëse gjendesha nën ndikimin e leximit dhe përkthimit të vjershave të Martin Camajt dhe të gjuhës së tyre, nuk dija të flisja gegnisht kështu që e përktheja poezinë e Rozës në gjuhën e njësuar. Tash dy vjet, duke iu kthyer dashurisë së vjetër për poezinë e R. Ausländer, e peshoja mundësinë që t’i përktheja krijimet e saj në gjuhën e Migjenit, Koliqit, Camajt, në gegnishte letrare pra, por nuk kam bërë një gjë të tillë sepse isha i mendimit se poezisë së Rozës i shkon fort mirë gjuha e njësuar me ngjyrosjen dhe natyrën e saj jugore. Fjala poetike e Rose Ausländer (jo tematika e saj) më duket se shquhet për lehtësi, tejdukshmëri, kristalinitet, një si natyrë të ajërt, sikur ta kishte origjinën në qiell dhe në trupa qiellorë dhe jo në lëndën dhe peshën e rëndë të tokës e të rrënjave të trasha nën dhé. Simbolet e ajrit, frymës, qiellit, diellit etj., besoj, lidhen më tepër me atmosferën e idiomës së Jugut se sa me atë të Veriut që dallohet më tepër për simbolet e dheut, gurit, shkëmbit, gjarpërit, rrënjës.

    Jeta

    Rose Ausländer (Roze Auslender) u lind si Rosalie Beatrice Ruth Scherzer më 11 maj 1901 në Czernowitz (Çernovic) resp. Cernãuþi (Çernëuc), kryeqytet i Bukovinës (= dheu i ahëve) në Republikën e sotme të Moldovës (Moldavisë) që i përkiste herë Austrisë, herë Rumanisë, herë Rusisë. Ishte një trevë ku “jetonin njerëz dhe libra”, siç tha poeti Paul Celan, i lindur dhe i rritur në Çernëuc. Çernëuci ishte vendshkrirje shumë popujsh e kulturash tek bashkëjetonin banorët rumunë, çifutë, austriakë, ukrainas, polakë dhe magjarë. Ngërtheheshin kulturat e tyre, fliteshin rumanishtja, gjermanishtja, jidishtja, ukrainishtja. Te popullata çifute, që përbënte më se një të tretë të afro 160 000 banorëve të qytetit në pejsazhin idilik rrëzë Karpateve, ishte e gjallë tradita e lashtë gojore e urtisë çifute, e gojëdhanave hasidike. Çernëuci ishte “një botë idesh dhe idealesh” siç do ta quante më 1977 poetja Rosa Ausländer në “Kujtimet për një qytet” ku shkruante mes të tjerash: “Lexohej shumë. Jo vetëm gazeta, revista, libra informativë dhe letërsi argëtuese, por letërsi e mirë, e dorës së parë. Diskutohej me plot zjarm, bëhej muzikë, këndohej. Teatri i qytetit vizitohej rregullisht. Një pjesë e konsiderueshme e rinisë shquhej për mendjegjerësi dhe kërshëri të pangishme. Kur takoheshin miqtë, filluan të diskutonin me afsh për çështje filozofike, letrare, artistike – deri në agim.”

    Çernëuci ishte qytet i skulptorëve, piktorëve, muzikantëve, poetëve. Ishte edhe qytet i entuziastëve dhe idhtarëve që hallin e kishin te “interesi i mendimit dhe jo te mendimi i interesit”. Qytetarët jepeshin pas mendimeve të mendimtarëve Schopenhauer, Nietzsche, Spinoza, Kant, Marx, Freud, Karl Kraus, Constantin Brunner dhe digjeshin për poetët dhe shkrimtarët Hölderlin, Rilke, Stefan George, Trakl, Else Lasker-Schüler, Thomas Mann, Hesse, Benn, Brecht si dhe për letërsitë klasike dhe moderne në gjuhët frënge, ruse, angleze. Çernëuci është “një qytet i perënduar, një botë që shkoi” (siç e ka quajtur Rose Ausländer) që përftoi një sërë shkrimtarësh të shquar si Alfred Margul-Sperber – përndryshe përkthyes i pashoq i klasikut të pozisë rumune, Mihai Eminescu (Eminesku), dhe i poetëve të tjerë të mëdhenj rumunë – Alfred Kittner, Moses Rosenkreuz, Immanuel Weissglas, Elieser Steinbarg, Paul Celan, Itzig Manger etj. Në qytetin e brumosur nga aso atmosfere, njeriu i kultivuar, tha R. Ausländer, ishte “pothuaj i detyruar” të merrej me probleme të filozofisë, politikës, letërsisë a të artit. Ashtu dhe e reja Rosalie Scherzer e cila studionte filozofi e letërsi në universitetin e qytetit të saj dhe merrte pjesë në qarqe të ndryshme letrare e filozofike ku merrej sidomos me filozofinë e mendimtarit çifut Spinoza dhe me atë të filozofit bashkëkohas Constantin Brunner si dhe me veprën e edhe një dijetari çifut, Sigmund Freud. Mendësia e filozofit C. Brunner, më vonë, do të linte gjurmë të thella në krijimtarinë poetike të Rose Ausländer.

    Emigrimi në Amerikë

    Rreth vitit 1920 vdiq babai i Rosalie Scherzer, tregtari Sigmund Scherzer. Një vit më pastaj, e shtrënguar nga skamja ekonomike, Rosalie Scherzer emigron në SHBA, bashkë me mikun e saj Ignaz Ausländer me të cilin martohet më 1923. Krahas me punën në një bankë në New York, Rose Ausländer punon edhe si redaktore në periodikun letrar gjermanofon në të cilin fillojnë ta shohin dritën e botimit, për herë të parë, disa vjersha të saj. Rose Ausländer mban letërshkëmbim me filozofin C. Brunner dhe është ndër themeluesit e një qarku që merret me filozofinë e tij. Martesa me Ignaz Ausländer dështon pas 3 vjetësh. Më 1927, poetja e re udhëton në Europë për t’u takuar me C. Brunner në Berlin, kalon edhe afro një vit në Çernëuc për t’u kujdestuar për nënën e sëmurë, pastaj kthehet në New York. Më 1930 divorcohet martesa me Ignaz Ausländer. Prapë merr pjesë në një qark filozofik për veprën e C. Brunner dhe mban letërshkëmbim intensiv me shkrimtarin Margul-Sperber. Më 1939, miqtë e Rose Ausländer nga Amerika i mundësonin asaj të shkonte në SHBA për t’iu shpëtuar rrezikut nazist. Sapo mbërriti poetja në New York, nëna e saj përsëri u sëmur rëndë.

    Kthimi në Çernëuc dhe persekutimi nazist

    E bija e braktis vendstrehimin e sigurtë dhe kthehet në Çernëuc. Disa muaj më parë, në Çernëuc e kishte parë dritën e botimit libri i parë i Rose Ausländer, Der Regenbogen (“Ylberi”). Kritika letrare e Bukovinës, shtypi rumun si dhe ai zviceran, e priti vëllimin me entuziazëm, ndërsa Gjermania nën zgjedhën fashiste nuk e mori dot në dijeni librin e autores me prejardhje çifute. Gjermania dhe Rumania u bënë aleatë, filloi terrori nacionalsocialist kundër çifutëve në Rumani (pas Luftës së Parë Botërore, Bukovina, deri më atëherë nën Austri, iu ishte bashkëngjitur Rumanisë). Me okupimin e qytetit nga ushtria e Gjermanisë naziste në verë të vitit 1941, ia behu hataja e persekutimit të egër të afro 60 000 çifutëve të Çernëucit. Një lagje e vogël u shpall geto në të cilën u futën 45 000 shpirt. Aty rrinte e ngujuar edhe familja e R. Ausländer. Gjatë 18 muajve që pasonin, deportoheshin afro 55 000 çifutë në Transnistri në kampe shfarosjeje. Dimri i ashpër në fillim të 1942-shit e ndërpreu deportimin – dhe e shpëtoi Rose Ausländer me nënën dhe vëllaun e saj. Më 1962, ajo do të shënojë: “Në Czernowitz kam pësuar vuajtje të rënda nga persekutimi i çifutëve. Jo vetëm që u isha e nënshtruar kufizimeve të njohura çnjerëzore, por detyrohesha edhe për punë tepër të rënda të detyrueshme. Në geto në Czernowitz më mbanin në kushte të llahtarshme dhe johigjienike. Puna e detyruar që e ushtroja në punë kanali, në punë ngarkim-shkarkimi etj. ishte tepër rraskapitëse, ndërkaq trajtohesha në mënyrë mizore dhe çnjerëzore. Shpeshherë më keqtrajtonin rëndë dhe më kërcënoheshin me vdekje. Jetoja në mjerim të papërfytyrueshëm dhe me frikë nga fati im i mëtejshëm dhe nga deportimi në Transnistri me të cilin më kërcënoheshin gjithnjë .”

    Pasi ishte ish-shtetase amerikane, poetja përpiqej më 1942 të merrte leje emigrimi për në SHBA. Ambasada e Zvicrës që përfaqësonte SHBA-të, iu përgjigj: “E vetmja mundësi verifikimi të shtetësisë suaj amerikane nga autoritetet amerikane është të paraqitni kërkesë për kthim në SHBA, kërkesë kjo që duhet ta parashtroni në moment tek do të jetë përsëri i mundur një udhëtim i tillë gjë që sipas gjasës vallë nuk do të jetë para përfundimit të luftës. Me keqardhje se nuk mund t’ju përcjell njoftim më të mirë po ju tërheq vëmendje se pyetje të tjera nga ana juaj do të jenë të tepërta. Me respekt të veçantë.”

    Ndër ata afro 5000 çifutë që mezi mbijetonin ferrin nazi-fashist, ishin Rose Ausländer me nënën dhe vëllaun e saj. Forcën shpirtërore për të mbijetuar ia jepnin marrja me filozofinë dhe krijimi letrar. Marsin e vitit 1943 Roza dhe nëna e saj e kalonin të fshehura në bodrume të ndryshme sepse iu tërhoq leja e punës, gjë që zakonisht paralajmëronte deportimin e shpejtë në Transnistri – në fund marsi ushtria ruse e çliroi Çernëucin. Okupatori rus e shpalli gjermane familjen Scherzer – Ausländer e cila i shpëtoi deportimit për punë të detyruar në minierat e Ukrainës lindore vetëm për shkak se të dyja femrat ishin aq të sëmura saqë ishin të paafta për punë.

    Qysh në vitet e persekutimit, Rose Ausländer u njoh me poetin e ri Paul Antschel (Ançel) që e njohim më mirë me pseudonimin e tij të mëvonshëm, Paul Celan, dhe angazhohej për poezinë e tij. Disa prej poetëve që e kishin mbijetuar llahtarin nazist, themeluan një qark letrar ku takoheshin edhe Immanuel Weissglas, Paul Antschel dhe Rose Ausländer për të lexuar e shqyrtuar krijimet e tyre.

    Në Amerikë për herë të dytë

    Më 1945, Çernëuci dhe një pjesë e Bukovinës u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Më 1946, Rose Ausländer me gjithë nënën dhe vëllaun e saj emigron në Rumani. Sapo mbërriti në Bukuresht, miqtë e saj amerikanë ia mundësuan emigrimin në Amerikë. Me shpresë se do të mund shpejt ta marrë edhe nënën, Roza udhëton në SHBA. Për shkak të shëndetit të saj të prishur, nuk mund të punësohet me punë të përhershme. Më 1947 vdes e ëma, e bija pëson një kolaps të rëndë psikik që zgjat më se gjysmë viti. Ngadalë fillon të riorientohet dhe të marrë pjesë në jetën kulturore të komunitetit gjermanishtfolës në New York. Prej vitit 1947 merret prapë me shkrimin e poezisë, kësaj radhe në gjuhën angleze. Më 1948 e rimerr shtetësinë e Amerikës, punësohet si përkthyese në një ndërmarrje ndërkombëtare transporti deri më 1961, me ndërprerje të gjata si pasojë e shëndetit të lig. 1949-1956 shkruan poezi vetëm në anglishte. Fillon ta braktisë formën konvencionale të poezisë. Në New York Rose Ausländer nuk ka banesë të vet, shpërngulet shpesh nga një dhomë të marrë me qira në tjetrën, gjithnjë në kushte fukarallëku. Më 1957, një shoqe ia dhuron një biletë anije për të shkuar në Europë.

    Shpërngulja në Europë

    Në Paris, rrugës për në Vjenë, takohet me poetin Paul Celan që e njofton me poezinë moderne gjermane kështu që përforcohet prirja e saj për të zhvilluar dhe më tej stilin e saj të ri në frymën e modernes. Roza udhëton nëpër disa vende të Europës, duke evituar hyrjen në Gjermani dhe duke u entuziazmuar veçanërisht për Italinë. Pas gjysmë viti kthehet në New York ku merr pjesë aktivisht në jetën kulturore dhe letrare. E rigjen gjuhën amtare dhe shkruan vetëm në gjermanishte. Më 1963 kthehet definitivisht në Europë, në Vjenë ku has në antisemitizëm të hapur. Më 1965 shpërngulet në qytetin e poetit Heinrich Heine, në Düsseldorf (Dyseldorf) të Gjermanisë. Prapë jeton pa banesë të vet, nëpër dhoma në hotele të lira ose te miq. Më 1966 shteti gjerman ia njeh një pension modest si viktimës së regjimit nazist kështu që poetja 65-vjeçare është në gjendje t’i plotësojë vetes ëndrrën për të udhëtuar dhe udhëton në Francë, Itali, Zvicër. Në qytete të ndryshme të Gjermanisë fillojnë ta ftojnë për takime letrare. Rose Ausländer merr disa shpërblime letrare. Më 1968 e viziton vëllaun në Amerikë e kthehet pas një viti.

    Më 1972 thyen këmbën aq keq saqë i duhet përkujdesje e vazhdueshme, ajo pranohet në azilin e pleqve të komunitetit çifut në Düsseldorf. Prej 1978-shit nuk e braktis më dhomën e saj. Më 1981 dhe 1982 nuk ishte më në gjendje as të shkruante. Vjershat, tani, i diktonte … Pastaj e mori veten në mënyrë që vazhdonte së shkruari. Gjithnjë e më shumë zhytej në izolimin e vetdëshiruar dhe në krijimin e poezisë. Çmime të larta letrare, si ajo e Akademisë së Arteve të Bukura të Bavarisë, e gëzonin poeten vetëm pak – ajo dëshironte ta vazhdonte punën e vet krijuese në qetësi … Më 1986 e përfundoi dhe e rrumbullaksoi veprën e saj letrare, la amanet çfarë mund të botohet në të ardhmen dhe tha: “Mjaft.” Pastaj, me qetësi të madhe, e priste vdekjen. Më 3 janar 1988 poetja ndërroi jetë.

    Vepra

    Poetja Rose Ausländer është ndër rastet e rralla krijuesish që i janë ngjitur majës më të lartë të Parnasit jo në rini, por në pleqëri të thellë. Vajza erudite dhe elegante kishte filluar si poete e talentuar vjershash sipas mostrave konvencionale metrike e të rimës, e ndikuar, siç ka thënë ajo vetë, nga Goethe e Heine dhe, më vonë e më fort, nga Hölderlin, Rilke, Trakl, Kafka. Stili i Rose Ausländer është i veçantë. Kontakti me rrymat e ndryshme letrare i jeptë shtysa poetes sonë. Kështu, fryma e poezisë gjermane të viteve të 50-ta pasqyrohej në vjershat e Rozës dhe konciziteti i vjershërimit të fazës së saj të pjekurisë poetike mund të duket sikur jehonë e largët e vargjeve lapidare të Marianne Moore, William Carlos Williams a të autorëve të tjerë të Modernes amerikane. Megjithëkëtë, R. Ausländer kurrë nuk imitonte autorë të tjerë, por ishte poete plotësisht më vete dhe poezitë i thoshte gjithnjë me zë të pangatërrueshëm. Marie Luise Kaschnitz, njëra e poeteve më të njohura të letrave gjermane të pasluftes, kur u njoh me Rozën, i tha asaj të fundit: “Rose Ausländer, shih, ju shkruani vjersha shumë më të mira se unë”.

  • Miçigan, akti dytë. Shekspiri në Amerikë

    Miçigan, akti dytë. Shekspiri në Amerikë

    Teatri i sfidës Biden-Trump ndryshon nga ora në orë. Dhe në përvjetorin e sulmit ndaj Kullave Binjake, të dy fluturojnë në Pensilvani. Sido që të shkojë dhe sido mos të shkojë, nuk është shumë zhurmë për asgjë. Ja si shkoi në Michigan

    Miçigan, akti i dytë. Skena e teatrit zhvendoset nga Warren në Freeland, nga parkingu gjysmë i zbrazët i selisë sindikatës së metalmekanikëve Uaw (United Auto Workers) të Joe Bidenit të mërkurën, në një hangar në aeroportin MBS, rreth 150 kilometra në veri të Detroidit.

    Donald Trump, që si Wanda Osiris pëlqen të paraqitet para publikut duke zbritur shkallët, arrin në vendimtarin Battleground State në bordin e Air Force One, avionit presidencial, një ikonë e fushatës së tij, emblema e forcës, e vendosur prapa skenës, skenografia e presidencës.

    E presin mijëra përkrahës adhurues, një fushë plot me kapele me kapele të kuqe, dhe si gjithmonë “Make America Great Again”, të gjithë së bashku, pa maska, në stilin perfekt mohues republikan, sikur Covid të mos ekzistonte.

    Koreografia është trajtuar deri në detajet më të vogla. Si një showman me përvojë, Trump nuk i lë asgjë rastësisë. Edhe drita është e përsosur: ajo e perëndimit të diellit.

    Aeroplani zbarkon nën tingujt e “Gloria” (natyrisht versioni anglisht), ndjek “Macho Man” nga Village People, teksa stafi zbret nga shkalla e pasme.

    Pastaj muzika ndalet dhe spikeri njofton: “Zonja dhe zotërinj, presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara”. Tërbohen celularët e ngritur lart për fotot dhe voilà, shfaqet ai, The Donald.

    Duartroket, përshëndet, tregon grushtin e shtrënguar dhe ndërsa zbret shkallët fillon kënga e tij e preferuar, patriotike “God Bless the Usa” (“Zoti e bekoftë Usa”) e Lee Greenwood.

    “We love you” (“Ne ju duam”), bërtet në ekstazë turma. Ka filluar festa.

    “Janë zgjedhjet më të rëndësishme në vendin tonë”, sulmon Trump, duke akuzuar sfiduesin demokrat se dëshiron të favorizojë zhvendosjen e prodhimit për në Dragon State, duke shkurtuar vendet e punës në Michigan.

    “Nëse Biden fiton, fiton Kina”, është paralajmërimi i tycoon. E sulmon për marrëveshjen NAFTA, për të cilën Biden votoi më 1993. Ish-numri dy i Barack Obamës pati fluturuar në gjendjen e makinave të mërkurën, duke u paraqitur si kampion i klasës punëtore dhe i nacionalizmit ekonomik.

    “E ka kuptuar që është koha për të dalë nga bodrumi”, ironizon Trump, “dhe po ja hedh mirë duke gënjyer për tradhtinë e tij globaliste me gjak të ftohtë”. E imagjinoni sikur unë të humbisja ndaj kandidatit më të keq që është paraqitur ndonjëherë? Michigan, mos ma bëj këtë. Mos e bëj”.

    Battleground Tracker i fundit i CBS News thotë se Biden në Michigan është 53% kundrejt 45% të shefit të Shtëpisë së Bardhë.

    “Por kjo nuk është turma e një personi që ngelet i dyti”, vëren Commander in Chief. Në 2016, Trump ishte i pari Republikan që fitoi Michiganin që nga koha e George HW Bush.

    Sot është në disavantazh, por po e shkurton hendekun. Në mesataren e sondazheve të Real Clear Politics, Biden është vetëm 4.2 pikë përpara, nga 8 që ishte korrikun e shkuar.

    Në Freeland, presidenti u detyrua të flasë për koronavirusin, e konsideron çështjen një broçkull nga këndvështrimi elektoral, por që u kthye përsëri në qendër të debatit nga libri i Bob Woodward.

    Gazetari i Watergate tregoi se si presidenti e kishte ditur për rrezikshmërinë e virusit që në janar, edhe pse ai e kishte zvogëluar rëndësinë e tij. Trump mohon që të ketë gënjyer qëllimisht dhe u hëngri një reporter i cili e pyeti për këtë gjë.

    E krahasoi veten me Winston Churchill që i ftoi britanikët të “qëndronin të qetë” gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai tha se SHBA do të kapërcyer rrezikun teksa numri i të vdekurve afrohet tek 200,000.

    Ai foli për ndikimin e përkohshëm ekonomik të koronavirusit dhe rimëkëmbjen madhështore në prag (për të cilën Wall Street ka filluar të dyshojë) përpara se t’ia hipte kalit tjetër të tij të betejës: Law and Order (ligj dhe rend), duke thënë se nëse zgjidhet Biden, në SHBA krimi do të arrinte nivele të papara.

    Fajësoi rivalin e tij për dëshirën për të hapur kufijtë për terroristët dhe për të “përmbytur” vendin me refugjatë nga Siria dhe Jemeni.

    Para se të fluturonte për në Michigan, Trump njoftoi nisjen e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për në Doha, Katar, për rinisjen e bisedimeve të paqes midis talibanëve dhe qeverisë afgane.

    Një tjetër pikë në favor të tij dy muaj përpara Election Day, pasi kishte premtuar t’i jepte fund “luftërave pafund” dhe se dëshironte t’i sillte në shtëpi ushtarët amerikanë.

    Biden, i cili siguroi endorsement të Los Angeles Times, i ka stigmatizuar fjalët e Trump për sigurinë kombëtare me zbulimin nga ky i fundit për Woodward i ekzistencës së një programi të klasifikuar bërthamor.

    Është një betejë mbi të thënat dhe të pathënat. Në teatër, ritëm është edhe pauza, heshtja, frymëmarrja.

    Dhe, në përvjetorin e sulmit ndaj Kullave Binjake, kandidatët fluturojnë të dy në Pensilvani, në Shanksville, ku u rrëzua një nga avionët e rrëmbyer nga terroristët. Ashtu si Miçigani, Pensilvania është një shtet në ekuilibër që Trump e fitoi ngushtë në 2016.

    FiveThirtyEight vlerëson një avantazh mesatar prej 5.1 pikësh për ish-presidentin dhe Real Clear Politics 4.3 pikë. Në 2016 Hillary Clinton ishte 6 pikë përpara Trump në Pensilvani por të gjithë e dimë se si shkoi. Ishte tragjedia e dem.

    Në Michigan jemi në aktin e dytë, regjistri është ai i tragjikomedisë, kopjoni do të recitohet përsëri, skena do të përsëritet në shtetet në ekuilibër, më pas do të kemi finalen e madhe të 3 nëntorit, aktin përfundimtar.

    Teatri i Shekspirit është në Amerikë. Sido që të ndodhë, nuk do të ketë shumë zhurmë për asgjë.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Apelet për të bojkotuar filmin Cyers dhe Netflix shembet në bursë

    Apelet për të bojkotuar filmin Cyers dhe Netflix shembet në bursë

    Nën akuzë xhirimi francez për vajzat “e lezetshme”

    Mijëra persona kanë lançuar një apel për të bojkotuar Netflix për shpërndarjen e filmit francez ‘Mignonnes’ (me titullin anglisht ‘Cunities’, ‘të lezetshmet’), fajtor – sipas apeluesve – për portretizimin e protagonisteve të reja në një mënyrë seksueliste në lokandinë dhe të paraqitjen në të të një skenë kërcimesh me vajza 11-vjeçare, të gjykuara të papërshtatshme.

    Hashtagu #cancelnetflix u bë viral dhe aksionet e kompanisë u shembën në bursë, duke humbur 9 miliardë dollarë brenda një dite.

  • Mësimi online është një katastrofë

    Mësimi online është një katastrofë

    Vehap KOLA

    Udhëzuesi i Ministrisë së Shëndetësisë për hapjen e shkollave parashikon që nëse një nga nxënësit, mësuesit apo kontaktet e tyre konstatohen pozitivë me COVID, atëherë mësimi i gjithë klasës ndërpritet dhe zhvillohet online.

    Kjo do të thotë se çdo familjeje do t’i duhet një kompjuter për fëmijë. Në një familje normale shqiptare me mesatarisht 2-3 fëmijë do të nevojiten 2-3 kompjutera.

    Për shkak të zhurmës që mund të shkaktohet nga komunikimi, fëmijëve do t’u nevojiten dhoma të veçanta. D.m.th, 2-3 dhoma në dispozicion të procesit mësimor.

    Për mbi 20 mijë familjet me prindër që punojnë në arsim, procesi bëhet edhe më i çmendur.

    29 mijë prindërit-mësues që do të japin mësim online do të duhet të kenë edhe nga 1 dhomë dhe një kompjuter shtesë.

    Sepse shumica dërrmuese e shkollave nuk kanë kompjutera për secilin nga mësuesit.

    E gjitha kjo për qytetet. Tani imagjinoni çfarë pazari bëhet në fshatra, aty ku jetojnë shqiptarët më të varfër.

    Në fshat, edhe vetë mësuesit zor se kanë kompjuter në shtëpi. Madje shumica e tyre nuk dinë as ta përdorin kompjuterin.

    Po fëmijët e familjeve në zonat rurale? Me siguri do ta kalojnë këtë vit duke baritur delet, sepse mësimi ka pak gjasë të zhvillohet në ndonjë mënyrë.

    Qeveria duhet kritikuar dhe fajësuar jo pse po hap shkollat por se po dështon t’i hapë si duhet dhe, me gjasë, do t’i mbyllë shumë shpejt.

    Fëmijët në shtëpi, prindërit në punë, kjo po që do të shkaktojë një kaos të paparë.

    Kush do të kujdeset për fëmijët gjatë kohës që prindërit janë në punë?

    A do të detyrohet njëri prind të sakrifikojë vendin e punës?

    Apo ata që kanë gjyshër në shtëpi do të vënë në rrezik jetën e gjyshërve duke i lënë në kontakt të vazhdueshëm me fëmijët që mund t’u sjellin sëmundjen?

    Siç shihet, mësimi online është një dizastër dhe i tillë do të jetë me sa duken bathët e priftit.

  • 11 Shtator 2001: 19 vjet më parë sulmi mbi Kullat Binjake

    11 Shtator 2001: 19 vjet më parë sulmi mbi Kullat Binjake

    19 vjet pas sulmit që ndryshoi fatin e njerëzimit, kemi dëgjuar me qindra e qindra ekspertë, mijëra e mijëra dëshmitarë, kemi lexuar qindra e mijëra fletë, miliona rreshta dhe prapë, një pjesë e mirë e njerëzisë stepet, për të kuptuar shkaqet dhe arsyet e shembjes së Kullave Binjake.

    Është 11 shtator 2001, në New York tashmë është mëngjes dhe qyteti është si gjithmonë në tejet i lëvizshëm. Këndej është pothuajse ora 3 pasdite kur nga Molla e Madhe mbërrin lajmi që do të ndryshojë fatin e njerëzimit përgjithmonë: dy aeroplanë janë përplasur ndaj Kullat Veriore dhe Jugore të World Trade Center (Qendrës Botërore të Tregtisë) në vijim të një sulmi terrorist fundamentalist.

    19 vjet pas asaj dite makthi, ekspertët flasin, rrëfejnë dhe argumentojnë se çfarë e shkaktoi shembjen e të dy grataçelave dhe dëmet e tjera që pësuan ndërtesat aty afër.

    Në Manhattan, ora shënon 8.46 kur fluturimi avioni AA11 i kompanisë American Airlines rrëmbehet dhe përplaset midis katit të 94 dhe 98 të Kullës Veriore të World Trade Center me një shpejtësi prej afërsisht 790 km/orë.

    Për një çast shpërthen ferri: Amerika është nën sulm dhe e pambrojtur. Pjesa e sipërme e Kullës së Veriut mbulohet nga flakët. Lajmi fillon të bëje xhiron e botës. Flitet për përplasjen e një avioni, por është ende pa konfirmuar, mbase është një aksident.

    Shtatëmbëdhjetë minuta pas atentatit të parë, në orën 9.03, avioni i i United Airlines 175 – me destinacion Los Anxhelos – përplaset në Kullën e Jugut me 950 km/orë duke e goditur atë ndërmjet katit të 77 dhe 85. Janë imazhe që transmetohen drejtpërdrejt nga të gjitha TV-të e botës.

    Mosbesimi dhe terrori janë zotër. Brenda dy ndërtesave gjenden mijëra njerëz.

    Ka nga ata që nuk kanë rrugëdalje dhe hidhen në boshllëk nga dëshpërimi. Një zjarrfikës do të humbasë jetën e tij pasi u godit nga një burrë që ishte hedhur nga njëra prej dy kullave.

    Por tmerri nuk ka mbaruar. Në orën 9.33 një tjetër avion, American Airlines 77, përplaset në fasadën Perëndimore të Pentagonit: edhe selia qendrore e Mbrojtjes amerikane është gjithashtu në shënjestër të atentatorëve.

    Kalojnë edhe gjashtëdhjetë minuta të tjera, është ora 9.46 e mëngjesit kur pasagjerët e avionit UA93, edhe ai i rrëmbyer nga një grup terroristësh, rebelohen dhe fillojnë një revoltë.

    Objektivi ishte Shtëpia e Bardhë ose Kongresi, përfundimisht do të rrëzohet në Pensilvani.

    Në orën 9.59, shtatëdhjetë e tre minuta pas përplasjes së avionit të parë në Kullën Veriore të World Trade Center, shembet Kulla e Jugut, duke përhapur një re të pluhuri të paparë ndonjëherë dhe mbeturinash që gllabërojnë gjithçka rreth e qark.

    Në 10.28 shembet edhe Kulla e Veriut: Kullat Binjake papritmas janë vetëm një kujtim.

    Atë 11 shtator humbën jetën pothuajse 3,000 njerëz të 90 kombësive të ndryshme, ndër të cilët 373 zjarrfikës, 71 policë dhe 265 pasagjerë që ishin në bordet e katër avionëve të rrëmbyer.

    Mbi 6 mijë njerëz u shtruan në spital për dëmtimet e marra dhe të tjerët do të vdesin më vonë nga dëmtimet e shkaktuar nga pluhuri që mbyti qytetin në orët dhe ditët në vijim.

    Mijëra të tjerë do t’u shkaktoheshin kancere apo sëmundje të rënda të frymëmarrjes. Njëzet e katër persona rezultojnë ende të zhdukur.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Tralala zura një galë

    Tralala zura një galë

    Vehap KOLA

    Mbyllja e biznesit për 3 muaj na polli vetëm papunësinë dhe falimentimin e bizneseve.

    Rreth 50 mijë shqiptarë kanë mbetur të papunë DHE 54% më shumë biznese të falimentuara sivjet.

    Dhe efekti në menaxhimin e pandemisë ZERO.

    Opozita duhet të përgatisë urgjent programin e rigjallërimit të këtyre bizneseve.

    Sepse pjesa dërrmuese e vendeve të humbura të punës vijnë nga bizneset familjare.

    Ndërkohë Rama ka fituar minimumi 100 mijë armiq.

    74 mandatet t’i shohë të përmbysura në 47 edhe i ka tepër.

  • 1946-2020, Kryengritja e Postribës, lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore

    1946-2020, Kryengritja e Postribës, lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore

    Shtatorin e 74 viteve më parë, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri. Rrethi i Shkodrës, kampion i demokracisë të luftës për liri, rreshti i parë në historinë e Shqipërisë kishte filluar organizimin, rezistencën antikomuniste për një kryengritje të madhe popullore.

    Në malet e veriut, ku komunizmi nuk kishte shkelur akoma, vazhdonte lufta për liri. Në Kelmend vepronin çetat e Prek Calit, me Ded Lulash Smajlin, Nik Mark Ujkën etj. Në Malësi të Madhe vepronin forcat e Llesh Marashit, Lul Grizhës, Pjetër Gjok Bajraktarit, Caf Smajlit etj., në Kastrat forcat e Nik Gjelosh Gjekës. Në malet e Dukagjinit vepronin forcat e Nik Sokolit, Ndue Palit etj., po kështu në Shllak etj.

    Në Postribë situata ishte në shpërthim. Filluan të zhvilloheshin mbledhjet e para, me qëllim pjesëmarrjen sa më të gjerë të fshatrave dhe banorëve të qytetit të Shkodrës. Në korrik, një mbledhje u mbajt në shtëpinë e Cin Serreqit. Në Shegaj të Ibros në Postribë, nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve, edhe nga Hoti i Ri. Në këtë takim merrte pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër e fshatrat rreth saj.

    Forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iball të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë, u solidarizuan me këtë mbledhje kuvendi nëpërmjet një letre që i dërguan atij. Në kuvend u cilësua data e fillimit të kryengritjes, e cila do të kishte karakter të përgjithshëm, që do të fillonte me çlirimin e të burgosurve politikë në burgjet e Shkodrës e më gjerë.

    Thirrja e djemve ushtarë, më datë 09.09.1946, nxiti mbledhjen e datës 07.09.1946 në shtëpinë e Abdullah Sahitit në fshatin Kullaj, ku u la që të nesërmen pas dreke të mblidheshin bajraktarët e paria e popullit, rreth 150 vetë në fshatin Kodër Boks në vendin e quajtur Shegat e Ibros. Në mbledhje morën pjesë Osman Haxhia, Abas Sulejmani, Zyber Cafi, Kasem Rragibi, Jenim Zyberi, Selim Raci, Dervish Nuzi, Ismail Duki, Abdullah Sehiti, Jakup Dani, Muho Fetahi, Myrto Dani, Ali Brahimi, Metush Halili, Ram Fazi, Muho Osja, Haxhin e Idriz Tahiri, si dhe 150 kryengritës. Prijësi Osman Haxhia i bindi pjesëmarrësit që kryengritja të fillojë më 09.09.1946. Më datën 07.09.1946 një autoritet tjetër, qytetar shkodran, organizon mbledhjen në kullën e Man Hotit, për të njoftuar shokët për mbledhjen e Postribës.

    Dëshmia e Hamza Kazazit

    “Qysh më ’45-ën filloi organizimi i një kryengritjeje të përgjithshme. Qysh kur koloneli Nil i misionit anglez për veriun në Shqipëri, i premtoi Jup Kazazit ndihmën e anglezëve nëse do të ngriheshin e do të organizonin diçka në Shqipëri”, thotë i biri i Jup Kazazit. Sipas tij, është e dokumentuar se Koçi Xoxe e Enver Hoxha kërkonin kapjen me çdo kusht të Jup Kazazit, sepse po organizonte një kryengritje të armatosur. Ai dhe 4 vëllezërit e tij ishin dënuar me vdekje nga Enver Hoxha, edhe pse vetëm 2 prej tyre ishin marrë me politikë. Dhe mes largimit nga Shqipëria e rezistencës, ata zgjodhën këtë të dytën. “Terrori ishte i tmerrshëm. Janë pushkatuar katundarë që u kanë dhënë vetëm një gotë qumësht kryengritësve. Megjithatë, është bërë i mundur komunikimi dhe ishte vendosur që kryengritja të zhvillohet në Shkodër, Mirditë. Madje, krerët e Dibrës po përgatisnin kryengritjen në Dibër e Kosovë. Ishin lidhur edhe me Pukën, madje pjesërisht dhe në Jug. Për fat të keq, prej terrorit të madh ishte jashtëzakonisht i vështirë komunikimi dhe nuk u arrit të organizohej një kryengritje e përgjithshme dhe Postriba, me në krye bajraktarin dhe patriotë të tjerë, pa dallim principesh politike u bënë të gjithë bashkë. Njerëz të thjeshtë të Postribës e Shkodrës u çuan me armë për të luftuar”, tregon Hamza Kazazi, i cili numëron mes njerëzve të tij 9 të vrarë dhe 9 të burgosur, me nga 5-22 vite burg. “Persekutimi ishte i tmerrshëm. Nëna ime, grua e re me dy fëmijë, punoi punëtore krahu nëpër ferma e ndërtim. Gjithë rrethi im, gjithë Kazazët, vajzat e reja kanë punuar në punët më të rënda. Kurse unë kam punuar vetëm në fermë. Time më erdhën ta merrnin teksa dergjej me ethe në shtrat. Do ta merrnin me gjithë dyshek, por i shpëtoi internimit me një raport të doktor Shirokës”, thotë ai, teksa kërkon që të gjitha këto të vërteta të thuhen. “Faktet dhe dokumentet nuk na mungojnë”, thotë ai.

    Lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore

    Lëvizja e Postribës është lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore. Elita e qytetit të Shkodrës, antikomunistët e vërtetë dhe nacionalistët nga fshatrat e Shkodrës kryesisht nga Postriba e “parashikuan” fatin e vendit tonë dhe e kuptuan se çfarë të ardhme mizore do të kishte Shqipëria komuniste diktatoriale, prandaj me shumë dëshirë dhe të bindur morën pjesë në këtë lëvizje që ka vlera të mëdha në planin lokal, kombëtar, politik dhe gjeopolitik. Marrëveshja e Jaltës, për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar ishte një katastrofë e vërtetë në planin politik, ekonomik dhe shoqëror. I gjithë kombi shqiptar pati konseguenca politike e shoqërore. Kosova u bë pjesë e federatës ish-jugosllave dhe Shqipëria dhe shqiptarët të gënjyen nga klika e ardhur në pushtet, vuajtën për 50 vite një prej diktaturave më të egra të njerëzimit. Intelektualë, nacionalistë, ish-tregtarë, njerëz të pafajshëm, përjetuan diktaturën dhe dhunën më të egër në të gjithë Evropën.

    Prandaj lëvizja e Postribës ka vlera të padiskutueshme gjeopolitike, politike, sociale dhe qytetare. Ajo ishte lëvizja e atyre që nuk besuan kurrë tek komunizmi internacionalist shqiptar. Sami Repishti për këtë ngjarje është shprehur: “Ushtarakisht lëvizja e 9 shtatorit 1946 ka kenë një akt i guximshëm i papërgatitun. Lëvizja dëshmonte një politikë kriminale që po zbatohej”. Rasim Gjyrezi, Riza Dani dhe Dulo Kali, Paulin Pali për nacionalistët, ishin pjesë shumë e rëndësishme e lëvizjes krahas grupeve të tjera. Këto nacionalistë dhe qytetarë patën vetëdijen dhe e parashikuan se komunizmi në Shqipëri, do të sillte vetëm varfëri dhe krim, prandaj u lidhën me shumë sinqeritet me këtë lëvizje, për të ndikuar sadopak për pengimin e vendosjes të pushtetit komunist dhe diktaturës sllavo-komuniste. Lëvizja nuk ja arriti qëllimit, por ajo do të mbetet përgjithmonë një simbol i qëndresës nacionaliste kundër komunizmit. Shqipëria ishe “përcaktuar” të vuante diktaturën 50-vjeçare, falë edhe qeverisjes diktatoriale të Enver Hoxhës dhe përkrahësve të tij. Prandaj Lëvizja e Postribës duhet të marrë vlerat e saj si në planin politik, historik dhe gjeopolitik. Kryengritja e nacionalistëve, elitës së qytetit të Shkodrës dhe e fshatrave përreth, ishte shkëndija e parë për rezistencën antikomuniste jo vetëm tek ne, por në të gjithë Evropën.

    Gjeopolitika në rajon ka pas dhe ka një rëndësi të madhe. Fitorja e forcave aleate e vuri Shqipërinë në krahun e fituesve, gjë që u shfrytëzua në formën më kriminale nga regjimi i Enver Hoxhës, duke vrarë elitën dhe shkatërruar vendin në planin ekonomik, shoqëror dhe shpirtëror. Sipas marrëveshjes së Jaltës, Shqipëria ra nën thundrën komuniste 50-vjeçare, dhe Kosova u la si pjesë e ish-Jugosllavisë. Pikërisht faktori i jashtëm dhe tradhtia që i bëri klika e Enver Hoxhës Shqipërisë dhe kombit shqiptar në të gjitha trevat ku banojnë shqiptarët, duke e shitur Kosovën tek ish-Jugosllavia titiste, e “parashkruan” në njëfarë mënyre fatin e kryengritjes së Postribës dhe të shumë të dënuarve dhe të pushkatuarve në burgjet ish-komuniste.

    Gjyqi i parë, Pretenca e prokurorit

    Data:               31/1/1948

    Vendi:             Shkodër

    Viktimat:         Aprovohet ndeshkimi me vdekje i dhënë prej asaj gjykate kundra: Cin Serreqi nga Shkodra, Bilbil Hajni nga katundi Progonat i Kurveleshit, Xhelal Hardolli nga Shkodra, Dulo Kali nga Shkodra, Gjergj Volaj nga Shkodra

    Proces verbal- 25 maj 1947; “I pandehuri Gjergj Volaj tha: Sikurse e kam deponuar edhe në Proçes ashtu edhe para gjyqit, në Prill të vitit 1945 Mons. Thaçi më kishte thanë se në Komitetin e Demokristianes bëjnë pjesë edhe shekullarë (civila) si Cin Serreqi, Ndrek Kaçulini dhe Guljelm Suma dhe në gusht kemi ba nji mbledhje me të gjithë antarët që kanë kenë dakort”. Cin Serreqi thotë se: Nuk asht e vertetë. Deshmitarët e tjerë vazhdojnë, si Dom Nikoll Deda, etj. nje mori faqesh te deshmishe, perballjesh e kundershtishe te pafund qe perfundojne dikur me:

    Proces-verbal i Prokurorisë: Shkodër me 25.XI 1947 – Prokurori ushtarak Namik Qemali. Vepra e ketyre dy terroristëve Mons. Volaj e Pader Gurashit nuk mund të merret e ndarë nga e gjithë fushata anti -popullore që ka percaktue Kleri katolik si para luftës duke zënë fill që në kohët e lashta e deri pas luftës e mbas çlirimit. Monsinjor Volaj e Padre Gurashi, D. Ndoc Sahatçija, D. Nikoll Deda, Mons. Thaçi, P. Dajani e P.Fausti, P.Gjon Shllaku etj, kanë qenë elitë e të ashtuquajturës Demokristiane dhe njikohësisht drejtues të Klerit. Kështuqë pllanet që do t’hartonte kjo epiqendër fashiste ishin vije dhe moto per të gjithë antarët e tjerë të kësaj organizate terroriste të krijueme në gjirin e klerit katolik. Këta binin në kontakt direkt me Misionin anglo-amerikan. Në mbledhjen e parë për t’ja arrrijtë këtij qellimi kanë marrë pjesë kuadrot udhëheqëse terroriste të Demokristianes dhe delegacioni i Klerit ka qenë perfaqësuar nga Mons.Volaj , Dom Ndoc Deda, etj. Për Ballin e Legalitetin kanë qenë Cin Serreqi, Guljelm Suma, Pjeter Shan Deda, Caf Dragusha e Ragip Gjyrezi; Për intelektualët: Paulin Pali, Myzafer Pipa e Ragip Meta ndërsa të deleguar nga Tirana për Komitetin Qendror të Organizatës terroriste, Riza Dani. Këtu është diskutuar shkrirja e të gjitha grupeve deri atëherë egzistuese në një të vetme. Gjithashtu janë marrë masa që në te, të marrin pjesë edhe vajzat, për këtë ka punuar Donat Kurti e Sami Repishti ku janë futur Neta Cepi, Neta Baba e shumë vajza tjera shkodrane “të cilat ishin të urdhëruara që për hir të këtij qëllimi të vinin në çmim edhe cvirgjërimin e tyre femror dhe të pranonin të skandalizoheshin”

    Shoke gjyqtare: Nuk eshte zor të kuptohet se deri ku arrin poshtërsija e njerëzve të kësaj Organizate me principe të shëmtuara dhe të dobëta. Kjo është edukata e këtyre kërmave të qelbëta. Me këte frymë kurvërimi i përgatiste të rijtë dhe të rejat Pater Donat Kurti. Ata deshën ta transformonin vendin tonë në një bordello Musolinjane.

    Për 9 të pandehurit – Dulo Kali, Mons.Gjergj Volaj, Bilbil Hajni, Xhelal Hardoli, Cin Serreqi, Ragip Meta, Osman Haxhija, Shaban Abdullahi, Isa Meta- denimin -ME VDEKJE; Për të pandehurit – Padre Gurashi, Abaz Hysi, Myrto Dani, Jakup Dani me burgim të përjetshëm. Për të pandehurit; Syrja Anamali e Nuh Duli me 20 vjet privim lirije. Për të pandehurit: Sami Rrepishti, Hafiz Derguti, Sulo Kurti e Hajdin Tafa me 15 vjet privim lirije.

    Vendimi i Gjykatës

    Proces verbal i gjykatës…; Prokurorija Ushtarake e Qarkut Shkodër …me akt akuzën e saj N. 469 dt. 11.XI.1947, i solli për gjykim gjykatës … ProcesVerbal: N’EMER TE POPULLIT – Këshilli i Gjykatës Ushtarake Shkodër me Kryetar Kap. I, Misto Blaci dhe Antarë – Pertef Alizoti e Anastas Koroveshi… Në audiencen publike me dt. 27.XI.1947 ora 16, ditë e ejte në Sallën e Kinema Rozafatit Shkodër. Mbi çështjet penale të rregjistruara me Nr. 459 deri 480 të Radhorit Themeltar për vitin 1947 kundra : Taf Osmani , Nuh Cufi, Tom Ejlli , Abaz Mahmetaj , Hajdar Hajdari, Jakup Alija, Abaz Smajli , Osman Haxhija , Myrto Dani , Shaban Alija , Xhelal Hardolli, Bilbil Hajni , Sulo Selmani , Dulo Kali , Hafiz Musa Derguti, Pater Rrok Gurashi , Mons. Gjergj Volaj, Cin Serreqi, Syrja Anamali , Sami Rrepishti , Ragip Meta, Isa Meta.

    Rezulton se…Mons. Gjergj Volaj, i biri i Lazrit dhe i Tones, vj. 43, shqiptar, i vobektë, arësim të lartë, filozofi, teologji, Ipeshkëv, lindur në Shirokë e banues Nënshat, i arrestuar me datën 20.5.1947 i përfaqësuar nga avokat Qemal Shehu akuzuar si inisiator i organizatës Demokristiane që në vjetin 1942 me inisiativen e Klerit katolik reaksionar që kishte udhëzime nga Vatikani e Papa për të bërë ç‘të ishte e mundur që kjo Parti të mobilizonte gjithë Klerin kundër Lëvizjes N.Cl., të grumbullonte dhe organizonte rininë e të gjitha rrethet fetare si Dom Bosko etj…Me inisiativen e Komitetit Qendror të Demokristianes u krijua Komiteti Qarkor me kryetar Mons Thaçin dhe me antarë, Mons.Vinçenc Prendushin, Mons.Bernardin Shllakun, Mons.Frano Gjinin , Mons.Gjergj Volajn, Pater Mati Prendushin, P. Gjovani Fausti, Pjeter Shan Deda, Kel Shan Deda, Ndrek Kaçulini, Zef Haxhija, Cin Serreqi, Guljelm Suma, Simon Daragjati etj.

    Pikë kryesore ishte dështimi i zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 duke pasë përfaqesitë e tyre edhe në Kuvendin e Shqipërisë si Riza Dani, Zef Haxhija, Kolë Prela etj…Se ka qenë armik i popullit qyshë në vitin 1930 duke u bërë agjent i fashizmit dhe informator në interesë të Italisë imperialiste për okupacionin e Shqipërisë prej saj…Se okupacionin fashist për të cilin kishte punuar prej kohësh e ka pritur me gëzim të math…Se gjatë luftës N.Cl. ka punuar në favor të fashizmit dhe tradhëtarëve…Se qyshë në vitin 1926 ka qenë një nder figurat me aktivite të Klerit …Se ka qenë inisiator i krijimit dhe organizimit të Partisë Demokristiane të ashtuquajtur Social-Demokrate, një nga antarët më aktiv të Klerit…Se ka ushtruar aktivitet në grumbullimin e forcave reaksionare dhe ka qenë i lidhur ngusht me kriminelët e arratisur…Se si frut i punë së tij u bë i mundur realizimi i perpjekjeve të Llesh Marashit si dhe Lëvizja e 9 Shtatorit…Se është munduar të pengojë reformat e Pushtetit Populor etj…Dhe natyrisht në bazë të gjithë këtyre akuzave:

    Vendosi: Dënimin e 8 (tetë) prej tyre Me VDEKJE …

    Njoftim: 321/1947 – Gjykatës Ushtarake Shkodër. Gjegje shkreses Suej n. 778 dt,. 10.12.1947- Aprovohet ndeshkimi me vdekje i dhënë prej asaj gjykate kundra: Cin Serreqi nga Shkodra, Bilbil Hajni nga katundi Progonat i Kurveleshit, Xhelal Hardolli nga Shkodra, Dulo Kali nga Shkodra, Gjergj Volaj nga Shkodra…Na njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit – Kryetari Gjykatës Lartë: Major Niko Ceta

    Njoftim: Gjykatës së Lartë Ushtarake Tiranë Gjegje shkresës suej N. 264/ 3 ex 47 dt. 30.1.1948…Ju njoftojmë se të dënuarit me vdekje u egzekutuan me datën 3.4.1948, ditën e martë, ora 5.20 paradite dhe fjala e tyre e fundit ka qenë:

    Cin Serreqi tha: -Të fala familjes dhe të m’i rrisin fëmijtë.

    2-Bilbil Hajni tha: -Ju lutem të m’i jepni të fala Babës, motrës dhe gruas. Gruaja të vejë te motra në Tiranë. Revolucioni kështu i ka këto punë. Të rrojë Shqipërija!

    3-Gjergj Volaj tha: Të m’i thoni shtëpisë se 58 (pesëdhjetetetë) meshët që kam lane pa i thanë të m’i thojnë. Rroftë e përparoftë Shqipnija!

    4- Dulo Kali tha: – Rroftë Shqipërija. Dy vajzat të mi martojne dhe fëmijtë të m‘i çojnë në shkollë e mos të bahen si unë budallë.

    5- Xhelal Hardolli tha: I thoni familjes që fëmijtë të m’i dërgojnë në shkollë dhe t’i edukojnë mirë që të jenë të aftë për Atdheun. RroftëShqipërija!

    Kryetar i Gjykatës Ushtarake Shkodër – Kap.I Misto Bllaci

    Lista e personave të vrarë në luftime ose të ekzekutuar në kohë pas shtypjes së “Kryengritjes së Postribës”

    Reshit Beqiri – Pushkatuar në vend

    Halil Dauti……………………………….

    Rexhep Idrizi…………………………

    Metush Alia…………………………..

    Ibrahim Selimi…………………………

    Sylo Gjeta……………………………….

    Qazim Rroji……………………………

    Sadik Mollja…………………………..

    Idriz Ibro…………………………………

    Halil Meti…………………………………

    Avdi Zeqiri………………………………

    Muho Fetahu – (mbytur në tortura)

    Ymer Beqiri – (hedhur nga dritarja dhe pushkatuar)

    Murat Haxhia

    Hajdar Dani

    Tish Pashuku

    Dedë Pashuku

    Ndrekë Pashuku (Vdekur në tortura)

    Halit Kazazi

    Jup Kazazi – Vetëvrarë në rrethim

    Sait Kazazi – ………………………………

    Rifat Kopliku

    Abdulla agë Kazazi

    Osman Kazazi

    Rasim Kazazi (Vdekur në burg prej torturash)

    Kel Deda

    Kolec Deda

    Dom Nikollë Deda

    Gjush Deda

    Pjetër Deda (vetëvrarë në rrethim)

    Marie Deda (………………………………)

    Riza Dani

    Riza Gjylbegu

    Qazim Bushati

    Xhemal Mlika

    Riza Resuli

    Virtyt Gjylbegu (Vra/vetëvra në Vloçisht)

    Muzafer Pipa (Vdekur në tortura)

    Fahri Rusi

    Cin Serreqi (Pushkatur në bazë të dënimit me vdekje)

    Guliem Suma

    Fr. Gjon Pentalia

    Kolë Zadrima (Vetëvrasje)

    Nuh Oroshi (Vdekur në tortura)

    Mustafë Dragusha

    Dulo Kali

    Simon Derragjati (vra/vetëvra, hedhje nga dritarja e burgut)

    Rasim Gjyrezi (vra në rrethim)

    Paulin Pali

    Kolë Prela

    Xhemal Juka (vetëvrare në burg)

    Abdyl Hardolli (vra në përpjekje)

    (Me rastin e inskenimit të armëve në kishë dhe alibinë për t’i përdorur për Postribën)

    Imzot Frano Gjini

    At’ Mati Prendushi

    Dom Nikollë Deda

    At’ Çiprian Nika

    Pjerin Kçira (ish-oficer i Sigurimit)

    Historia e Postribës

    Komuna e Postribës shtrihet në pjesën verilindore të qytetit të Shkodrës, me qendër te Ura e Mesit, e përbërë nga 12 fshatra. Populli i kësaj zone, historikisht përmendet për trimëri, besë, bujari dhe punëdashës. Ura e Mesit është një monument i gjallë kulture e ndërtuar në kohë të Bushatllive. Kalaja e Drishtit është ndërtuar në mesjeten e hershme para sundimit të Venedikut. Rrugë të vjetra të shtruara me kalldrëm e lidhin atë me Shkodrën. Një vend të rëndësishëm zënë banorët e Postribës, në historinë e rrethit të Shkodrës dhe të Shqipërisë. Burrat e Postribës morën pjesë në mbrojtjen e Ulqinit, të prirë prej bajraktarit të Boksit, Tahir Bajraktari. Ato luftuan trup me trup, në mbrojtjen e Shkodrës nga malazes 1912-1914, ku u vra Halil Isufi i Drishtit. Më 1920, në luftën e Koplikut, Adem Haxhia i Boksit, u priu 200 luftëtarëve nga Postriba. Në ditët e pushtimit italian 1939, përsëri princi Adem Haxhia me luftëtare postriborë, priti me pushkë në dorë ushtrinë italiane. Në luftën kundër pushtuesve nazi-fashistë, postribasit kanë vendin dhe kontributin e tyre për Çlirimin e Shqipërisë, sepse si patriotë, luftëtarë të lirisë ato kërkonin çlirimin e Shqipërisë dhe ndërtimin e një shteti demokratik. Por shumë shpejt ashtu si gjithë shqiptarët, por pastriborët më parë se të tjerët e kuptuan mashtrimin e madh komunist, natyrën e tyre antinjerëzore, antidemokratike, antifetare, antiperëndimore dhe iu kundërvunë asaj.