Amerika po digjet, politika është akull
Zjarret që po shkatërrojnë Kaliforninë dhe bregun perëndimor nuk po e ngrohin fushatën elektorale, nga Trump dhe Biden vetëm deklarata të pakta
Perëndimi po digjet. Si në një skenar pas-atomik: lagje të shkrumbuara, tym i dendur, ajër i pathithshëm, gati pesë milionë hektarë të shkatërruar, të paktën njëzet të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur. Vetëm në Oregon, urdhri i evakuimit prek 500,000 njerëz ndërsa flakët po i afrohen periferive të Portland, ekziston frika e një masakre. Fotografi apokaliptike në faqet e para të të gjitha gazetave.
Por Donald Trump hesht. ‘Twitter in chief’, që prej 6 gushtit të kaluar, nuk i ka kushtuar as një cicërimë ferrit të zjarrtë në Kaliforni, Oregon dhe në shtetin e Uashingtonit. Priti përvjetorin e 11 shtatorit për të thyer heshtjen, por vetëm për të bërë homazhe për heronjtë e momentit, njësoj si 19 vjet më parë: për zjarrfikësit.
“Falenderoj më shumë se 28,000 zjarrfikësit dhe ata që janë në vijën e parë të luftës kundër zjarreve në Kaliforni, Oregon dhe Uashington,” shkruan presidenti, “ne jemi me ta deri në fund”, me heronjtë që sakrifikohen për të mirën e kombit.
Trump në sulm ndaj Guvernatorit Newsom
Jo një mesazh solidariteti për viktimat (por dihet që nuk shkëlqen për ndjeshmëri) dhe asnjë aluzion për shkatërrimet mjedisore.
Herën e fundit që ka folur për Kaliforninë (muajin e kaluar), Trump e bëri në një tubim elektoral në Pensilvani (shteti vendimtar në ekuilibër për të fituar Shtëpinë e Bardhë), duke sulmuar Guvernatorin e Golden State, Gavin Newsom: “Zjarret po shpërthejnë përsëri, nevojitet të pastrohet terreni, të pastrohen pyjet, ka vite me gjethe të rëna dhe degë të këputura që janë aq të ndezshme… ka ardhur koha për të ndaluar zjarret”.
Po atë ditë, më 22 gusht, ai miratoi gjendjen e emergjencës për Shtetin e Diellit dhe pastaj mbylli fjalimin. Nuk i fryn as erës së komploteve shoqërore që ia atribuojnë zjarret ekstremistëve antifashistë të majtë.
“Kolegji elektoral i lejon Trump të injorojë krizën e zjarrit në Kaliforni sepse e di që nuk mund ta fitojë shtetin (3 nëntorin e ardhshëm). Madje nuk bën as sikur qeveris gjithë vendin, por vetëm shtetet e kuqe dhe ato në ekuilibër “, vëren Mark Joseph Stern i revistës liberale” Slate “.
Bajden dhe klima
E ku ka rast më të mirë se zjarret për Joe Biden për të promovuar Green New Deal-in e tij: 2 trilion dollarë investime në energji të pastër në 4 vitet e para të mandatit të tij.
Për të mos folur për kandidaten e tij për zëvendëse, Kamala Harris, përfaqësuese e Kaliforninë në Senat. Por jo, edhe ajo nuk shkëlqen: “Ndryshimi klimaterik ka mbërritur tashmë dhe ne po shohim efektet e tij shkatërruese çdo ditë. Duhet të dëbohet Presidenti Trump nga Shtëpia e Bardhë dhe kriza të trajtohet si një kërcënim ekzistencial”.
Pastaj përqendrohet tek empatia: “Imazhet që vijnë nga Kalifornia, Oregoni, Uashingtoni dhe shtetet e tjera perëndimore janë vërtetë të tmerrshme. Nëse gjendeni në ndonjë nga zonat e prekura, ju lutemi ndiqni udhëzimet e autoriteteve tuaja lokale dhe vendosuni në vende të sigurta. Jill dhe unë lutem për ju”. Kaq e gjitha.
A është e mundur që çështja mjedisore të ketë kaq pak peshë në këtë fushatë elektorale? Megjithatë, sondazhet nuk thonë kështu.
Sipas Pew Research, pjesa e amerikanëve që e konsiderojnë ndryshimin e klimës si një kërcënim të madh është rritur në 60% në 2020 nga 44% në 2009 dhe i intereson kryesisht demokratëve (9 nga 10). Vetëm 31% e republikanëve frikësohen nga ndryshimet klimaterike.
Analiza e fundit nga Climate Power tregon se 71% e amerikanëve i shikojnë në mënyrë të favorshme veprimet vendimtare të qeverisë në frontin e mbrojtjes ambjentale ndërsa 18% janë kundër tij.
Arritur në këtë pikë kanë filluar të bëjen edhe llogaritjet elektorale, sepse këmbëngulja mbi Green New Deal për Biden do të nënkuptonte sjellën në vëmendje të votuesve se ai ka lëvizur në të majtë, për të kënaqur bazën të ashtuquajtur progresiste dhe krahun e partisë të kryesuar nga Alexandria Ocasio-Cortez dhe Bernie Sanders.
Por, të diskutosh dhe të luftosh për mjedisin është majtizëm apo një vijë më e butë dhe më qendrore për të mos larguar votuesit e moderuar? Kjo është dilema e dem në fushatën presidenciale.
Trump ka përballë një mal me probleme: koronavirusi, papunësia, trazirat sociale: do të donte të shmangte krizën e zjarreve si temë të fushatës së tij.
Anulon një udhëtim në shtetet e prekura (janë të gjithë të drejtuara nga demokratët), ndërsa vrapoi në Teksas dhe Luiziana pas kalimit të Uraganit Laura.
Gjendja në Pensilvani
Me të njëjtën logjikë, tycoon zgjodhi të përkujtojë sulmet ndaj Kullave Binjake jo nga New Yorku (shtet blu, i vështirë për tu marë) por nga Pensilvania, në Shankville, ku u përplas avioni 93 i United Airlines, pas revoltës së pasagjerit kundër terroristëve për të parandaluar goditjen e aeroplanit ndaj objektivave të paracaktuara.
“Heronjtë e avionit 93 janë kujtesa e pashlyeshme e faktit që nuk llogariten rreziku, kërcënimi, fatkeqësia. Amerika gjithmonë do të dijë të ngrihet dhe të përgjigjet”, ka komentuar Trump.
Biden merr pjesë fillimisht në ceremoninë e Ground Zero, në New York dhe më pas, si Trump, fluturon për në Shankville, në Pensilvaninë e diskutueshme: vendos një kurorë lulesh para memorialit, takon familjarët e viktimave dhe qëndron me disa zjarrfikës, të tjerë heronj, të cilëve u jep birrën që u kishte premtuar gjatë një vizite të mëparshme.
Java për t’u harruar e presidentit
Në një javë për t’u harruar në frontin e brendshëm, ku ishte detyruar të mbrohej kundër akuzave për fshehjen e rëndësisë të pandemisë ndaj amerikanët, siç është shkruar në librin e fundit nga Bod Woodward, Trump shënon një gol të rëndësishëm me marrëveshjet e paqes midis Bahreini dhe Izraelit, më pak se një muaj pas njoftimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Emirateve dhe Izraelit, si dhe Kosovës, Serbisë dhe Izraelit.
“Një kthesë tjetër historike”, ekzalton Donald ndërsa Sekretari i Shtetit Mike Pompe është në Doha, Katar për rinisjen e negociatave midis talibanëve dhe qeverisë afgane.
Fronti i brendshëm dhe i jashtëm, politika e brendshme dhe punët e jashtme, ekonomia dhe siguria, heroizmi i përditshëm dhe llogaritjet cinike elektorale.
Biden dhe Trump janë në kthesën e fundit para se të hyjnë në rrugën që të çon në vijën e finishit, mendojnë për mesazhet politike, mbledhin të dhënat nga sondazhet, strategët këshillojnë për përqëndrimin nëpër segmente të veçanta të elektoratit që favorizojnë nëpër shtetet në ekuilibër.
Amerika po digjet, politika është akull.
Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA