Kur sjellim ndër ment se dramin t’onë kombëtar të këtyre dhjetë vjetëve të fundit – si në luftën e çlirimit prej të huajvet ashtu edhe në luftën civile, qoftë nga ana e komunistëvet, qoftë nga ana e demokratëvet – e ka lozur tërësisht djalëria; kur kujtojmë gjithashtu se në këtë luftë, nga më të rëndat që ka hequr kombi ynë, kanë mbetur përmbi tridhjetë mijë të vrarë dhe është djegur e shkretuar një pjesë e madhe e Shqipërisë; pastaj kur arsyetojmë se popujt çdo gjë tjetër munt të bënin, vetëm për t’u-vrarë që s’vriten nga qejfi, doemos duhet t’a mendojmë mirë se ç’është djalëria shqiptare dhe ç’kërkon. Nga ana tjetër, kur shikojmë se, ajo që ngjau ndër ne ka ngjarë ose po n’gjan në një formë pak a shumë të njëjtë edhe ndër popuj të tjerë rreth nesh, duhet t’a lëshojmë mendimin në një horizont më të gjerë, të kuptojmë disa probleme shoqërore që lidhen me qytetërimin e kohës, dhe të mundohemi t’iu gjejmë mënyrën e zgjidhjes.
Historia dhe zhvillimi shoqëror
Eshtë një e vërtetë e njohur se në botën e njerëzvet nuk ka gjë të qëndruarshme, se popujt dobësohen e bjenë, të tjerë marrin forcë dhe ngrihen, klasë sundonjëse prishen dhe çthuren, klasë të shtypura çohen lart. Ligje e zakone të vjetra çvleftësohen e humbasin, të tjera vinë në fuqi, shkurt, kjo botë është një hipje e zbritje energjish, një lodër ndërrimesh e transformimesh që i jep fytyrës së saj më çdo kohë një pamje të veçantë. Dhe po të mos ish kështu, njerëzit s’do të kishin ardhur dot në qytetërimin e sotmë por do të jetonin akoma nëpër shpella, shokë me arinjtë dhe majmunët.
Çdo bres që vjen pra, sjell diçka të re në njerëzi, disa zakone e pikëpamje të vjetra humbasin nga rëndësi e tyre, të tjera lindin ose forcohen, fuqia ekonomike-politike lëvis dhe ajo nga pakë prej familjesh në familje, a prej grupesh në grupe. Gjer këtu jemi mirë pse ky ligj kuptohet pak a shumë prej çdo njeriu që ka kënduar ndopakë nga historia ose iu ka vënë re ndryshimeve që kanë ngjarë në kohën e tij. Por gjëja m’e vështirë për t’u kuptuar, është shkaku ose shkaqet se përse në disa kohë ndryshimi prej një brezi në tjetrin është aq i vogël sa mezi çquhet, kurse në kohë të tjera aqë i math sa duket sikur një bres prej tjetrit e ndajnë disa qindra vjetësh. Për shembull ndryshimet që ka pësuar struktura shoqërore e disa popujve që nga shekulli i nëntëmbëdhjetë e tëhu, janë më të mëdha nga ato që kish pësuar gjatë dymijë vjetëve histori, që nga kohët përpara Krishtit, e gjer në shekullin e nëntëmbëdhjetë. S’do shumë mend të kuptohet se ky transformim në strukturën shoqërore të popujvet, që, në kohët t’ona, po shkon me rrëmbin vale, lidhet me vrapin që kanë marrë shkenca dhe maqinizmi.
Në kuptimin e ndërlidhjevet midis njerëzve, shkenca dhe maqinizmi pothuajse e çdukën fare faktorin “largësi” dhe “kohë”, i prunë në pjekje a marrëveshje të vetëtimshme si popujt në mest tyre ashtu edhe nënshtetasit, ose grupet brenda shtetit; ndryshuan mjetet et e punës e të prodhimit, të cilat këputën lidhjet e vjetra midis njerëzve dhe ngjallën nevojën për një ekilibër të ri; përgjithësuan mjetet e mësimit, të propagandës e të përhapjes s’idevet dhe hodhën masat e gjëra popullore në luftën politike; suallë një përzjerje të përgjithshëme si brenda popujvet ashtu edhe në jetën ndërkombëtare, dhe hapën udhën e transformimevet të mëdha shoqërore që vazhdojnë të zhvillohen me shpejtësinë e motorrit. Prandaj të mos ju duket për të qeshur kur them se ai njeri që mendon se punët e një shteti t’Evropës munt të rregullohen edhe nesër po me ato mjete dhe methoda që u rregulluan tridhjetë vjet më parë, nuk është shumë larg nga i çmenduri që ngjesh një shpatë të vjetër dhe thotë “po nisem për në luftën e Kryqëzatavet”.
Në popujt e Perëndimit, trashëgimtarë të kulturavet klasike dhe të punuar prej frymës së krishtërimit, lufta midis punës dhe kapitalit, midis bujkut dhe pronarit, e nisur herjet, u-zhvillua e po zhvillohet ca nga ca, dhe ka sjellë ndërrime të mëdha në shoqëri por pa i këputur si me gërshërë fijet e së kaluarës dhe pa i përmbysur të gjitha vleftat që lidhen me moralin e vjetër.
Ndryshe ndodhi në Rusi pas 1917-ës. Atje lufta midis klasave që punojnë dhe t’atyreve që sundojnë, mori karakterin e popujve të Lindjes. Në Lindje, gjer tani, nuk ka pasur tjetër udhë lidhjesh a marrëdhëniesh midis njerëzve veç o sundonjës o i sunduar, ja zot ja rob : kjo do të thotë absolutizmë. Prandaj edhe komunistët i ndajnë punët me dy fjalë : “o me ne dhe rro, o kundër nesh dhe vdis”. Kështu thoshte edhe Atila, Tamerlani dhe, m’i madhi i tyre, Gengis Khani.
Por nga do që të shikojmë, në dashç në Perëndim në dashç në Lindje, një ide e madhe del e bën hije mbi njerëzinë e sotme : ideja e prishjes s’ekilibrit shoqëror ndërkombëtar të djeshëm, dhe nevoja e vendosjes së një ekilibri të ri. Kjo ide i jep fizionominë e veçantë kohës s’onë, mbush gjithë kulturën e sotme dhe shtrihet e sundon në të gjitha drejtimet e vepërimit të njerëzisë.
Ka pasur kohë në histori që karakterizohen nga një ndjenjë e zjarrtë fetare, ka pasur të tjera ku sundonte mbi të gjitha vleftat ndjenja e artit ose lëvizja e mendimit, por koha e jonë do të quhet “koha e luftravet sociale”. Komunizmi ka lëshuar thimthat ndër popujt e Lindjes dhe, duke u-çfaqur diku në një formë e diku në një tjetër, po i bren themelet e strukturës së vjetër shoqërore. Sa edhe Kina vigane, vatër kulturash mijra vjeçare, po shëmbet si kështjellë kashte ndënë forcën e re. Në Perëndim po shihet qartë se politika e ndarjes së botës në zona influencash midis fuqish kundërshtare, e mbylli kohën e saj, dhe përpjekje të mëdha po bëhen për të gjetur një mënyrë të re bashkëpunimi në planin ndërkombëtar.
Pra kur mendojmë mbi djalërinë shqiptare, s’duhet t’a marrim njëlloj me ata fëmijët që lozin cinglash, por është e mira t’a shohim në dritën e mendimevet të kohës, dhe çapet e saj t’i lidhim me vallen e përgjithëshme të njerëzisë. Atëhere do të kuptonim shumë gjëra, dhe do të binim nga retë e paragjykimevet të vjetra në një shesh pune të ri.


