Prof. Abas ERMENJI – Djalëria shqiptare

GazetaTjeter
49 Min Read
Vini re: GazetaTjeter.com mund të përmbajë lidhje partnere, në formën e popup-eve, apo njoftimeve të ndryshme, që do të thotë se mund të fitojë një komision nëse klikoni mbi këto lidhje. Ne ju kërkojmë të klikoni disa herë gjatë ditës mbi këto produkte, vlera e të cilatve përveçse shumë informative për ju, besojmë se do t'i japë një dorë të mirë mbarëvajtjes së punës sonë. Mbështetja juaj vlerësohet!!

Djalëria dhe komunizmi

Kur u-muar vesh komploti i Vlorës më 1932, djalëria pat një përqethje enthusiazmi. Në Lëvizjen e Fierit më 1935, muarën pjesë shumë të rinj, disa prej të cilëvet ishin me idera komuniste dhe disa jo. Por çasti që i shtiri drithmat e vepërimit djalërisë shqiptare dhe ku ajo u-vrumullis e tërë si një trup i vetëm, qe 7 Prilli i 1939-ës. Rrallë herë ka qëlluar të jetë me popullin t’onë ndjenja patriotike aqë e nxehtë dhe e përgjithëshme sa n’ato ditë. Dhe, ndërsa klikat e vjetra mundoheshin t’i mbushnin mendjen popullit se e mira e tij ish të mvarej si mish gjahu në grepat e Perandorisë, djalëria i çpalli luftë të hapët asaj gjendjeje dhe u-mundua të futet në trupin e kombit si një nervature e re, për t’i dhënë tjetër drejtim e tjetër forcë. Ndjekjet filluan shpejt, burgjet u-mbushën me të rinj, një pjesë e tyre çohej n’ishujt e Italisë.

Në fillim, fort pakë nga këta të rinj ishin komunistë. E shumta e tyre ishin demokratë, të mbushur me ide të reja drejtësie e përparimi, të dëshëruar për liri dhe mbarësi kombëtare; ata kishin urrejtje për të kaluarën, kishin urrejtje më të madhe akoma për robërinë ku jetonin, dhe bënin luftë për të çliruar vendin nga të huajtë e për t’i sjellë Shqipërisë një t’arthme me të bukurë, më të lumtur. Dashurija për vleftat kombëtare ka qënë gjithmonë e gjallë në zemrën e këtyre të rinjve. Populli i ynë ka përgjithësisht natyrën dhe karakteret e popujvet të Perëndimit. Nuk ësht oriental me shpirt. Ai prej kohëvet më të lashta e gjer në mbarim të Kohës së Mesme, pat qënë pothuajse vashdimisht në frymë të kulturavet të mëdha greke e latine që i kanë dhënë mendësisë dhe kulturës popullore të tij vija të ngjashme me ato të popujvet të Perëndimit. Sundimi turk ktheu në kulturën orientale vetëm klasën feodale të vendit, por popullit mbarë s’mundi t’i a ndryshojë natyrën. Kujtimi i afërt i robërisë së zezë dhe liria kombëtare e fituar me aqë mundime, s’munt t’a kishin lënë të paprekur zemrën e djalërisë e të mos ia kishin forcuar ndjenjën e dashurisë për atdhe. Prandaj, edhe kur një pjesë e saj anoj më vonë nga komunizmi, s’munt të themi se ish e xhveshur nga ndjenjat kombëtare dhe se e kuptonte marksizmin si një ndërkombëtare të pangjyrë e tiranike. Shumë prej tyre ranë si zoqtë në leqe, në propagandën e komunistëvet të vetdijshëm, që iu a paraqitnin fenë e re si një demokraci të mbaruar që çduk si me magji padrejtësitë shoqërore dhe e bën jetën të lirë e të këndshëme për të gjithë. Një pjesë duke mos patur pregatitje politike të mjaftë, kujtonin se s’prishej punë pse ata luftonin tok me komunistët një herë, gjer sa të çlirohej atdheu nga të huajtë, pastaj çështjet e brëndëshme i zgjithte populli vetë me anën e votës. Disa, të xveretitur nga ngjarjet e 7 Prillit, e kishin humbur besimin tek të gjithë të vjetrit pa përjashtim dhe s’donin të dëgjonin më as për këshillat e urta që iu vinin nga patriotët e Ballit Kombëtar. Pastaj është kot të zgjatemi n’arsyetime të këtilla, komunizmi ish gjëja e re e rrethuar me kurreshtje e mister, ish pemë e ndaluar që të tërheq më fort nga të lejuarat, ish kuti e mbyllur me gjëra të çuditshëme brënda, ish këngë e ditës, romancë e gjallë që të hap udhën e aventuravet, ç’duhet më tepër për të marrë mendjen e të rinjvet ? Të rinjtë tërhiqen më fort nga njeri-tjetri se sa nga këshillat e më të vjetërvet. Sidomos kur është puna për të ecur n’udhë të reja, janë të papërmbajtur dhe e kanë për turp të mbeten prapa shokëvet.

Thamë se në fillim kish fort pakë komunistë të vetëdijshëm në Shqipëri. Këta, më parë bënin tre grupe të ndara, grupin e Tiranës, të Korçës e të Shkodrës. Në ditët e Prillit të 39-ës, muarrë pjesë si të tjerët në lëvizjen e madhe kombëtare kundër shkelësit të huaj. Por më vonë, kur u-duk një çast se Rusia do të mbetej jashtë grindjes evropiane, ata zunë të flasin me simpathi për “popullin gjerman” dhe të shprehen keq për “plutokracitë” e Perëndimit. Nuk deshën të marrin pjesë në një kryengritje të mundëshme shqiptare kundër ushtërisë fashiste, që iu qe folur nga anë e patriotëvet demokratë në kohën e Luftës Italo-Greke. Vetem pas hyries së Rusisë në luftë, kujtuan se tingëlloi ora e revolucionit komunist. Të tre grupet e përmendur më sipër u-bashkuan, pas këshillavet të dy të dërguarve jugosllavë, dhe formuan Partinë Komuniste Shqiptare, në Nëntor të 1941-së. Një vit më vonë, lozën me mjeshtëri kamedinë e “Frontit Nacional-Çlirimtar”, e cila, pas një vjeti tjetër, u-ndërrua në tragjedinë e luftës vëlla-vrasëse.

Tituj

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *