Djalëria dhe Nacionalizmi
Po të lëmë mënjanë partinë komuniste, e vetmja organizatë që iu paraqit gjatë luftës popullit dhe djalërisë shqiptare me një program përparimtar të kohës, qe Balli Kombëtar. Dekallogu i tij përcaktonte siç duhet çapin historik që duhet të hedhë kombi shqiptar në ditët t’ona. Por, qoftë pse komunizmi, siç treguam më lart, paraqitej me të gjitha tërheqjet e një fesë së re, qoftë pse Ballit Kombëtar i mungoi ajo teknikë organizimi dhe disipline që iu jep partive komuniste strukturë të fortë, qoftë në lidhje me ngjarjet politike të jashtme, lëvizja komuniste mundi të rrëmbejë një pjesë të djalërisë. Kështu e pruri puna që, djalëria shqiptare, e cila ish treguar si një trup i vetëm në ditët e Prillit të 39-ës, të çahej tani më dysh dhe të thyente kokën në mest të saj si dy valë të kundërta.
Lufta që u-nis kundër të huajit dhe që u-zhvillua me aqë lavdi, u-kthye në Vjeshtën e 1943-së në lufte civile. Dhe qe e rreptë, e përgjaktë, fytafyt. Komunistët, që s’njohin besë a virtut, goditnin qenërisht, me nj’egërsi të pashembullt. Por edhe djelmoshat që mpronin traditën e shqipes, nuk ishin të dobët. Të patundur si shkëmp, binin ballë-hapët ndënë thikën e tmerrit si ata kallinjtë e butë që i pret kosa..
Eshtë për t’u-vënë re mirë se, të gjithë luftën këtë rradhë, qoftë atë kundër të huajit për të çliruar vendin, qoftë atë të brendëshmen për të vendosur mbi fatet e popullit, e bënë të rinjtë dhe njerëzit e idevet. Prandaj qe edhe aqë e hovëshme, e tmerrëshme. Këtë rradhë s’pat tjetër shpirt ushtarak në Shqipëri përveç atij që frymëzohej nga një ide kombëtare ose sociale. Bandat bashibozuke që kishin shërbyer si shkop për të marrë fuqinë në duart e njerit a të tjetrit, kur populli shqiptar s’e kish mbledhur vehten akoma nga robëri e shekujvet, këtë radhë u-treguan kashturina që shpërndahen me frymë, si fletët e vjeshtës. Gjak rrodhi atje ku kish mbirë ide. Dhe rrodhi shumë. U-korr lulja e kombit. Nuk mjaftuan ata që ranë në fushën e nderit kur Hysni Lepenica çante malet si Shqiponjë, dhe Safet Butka predikonte fjalën e lirisë duke iu treguar djemvet se si atdheu qëndron mbi të gjitha vleftat e tjera. Nuk mjaftuan ata që mbetën ballë për ballë në luftën vëllavrasëse. Nuk mjaftuan Besnik Çanot e Qeramudin Sulot, Tare Kalot e Hadi Kasimatët, Hytbi Kullrat e Zija Gashët që i këputi pabesisht dorë e vëllait, por pjesën më të madhe e korri dhe po e korr dita-ditës “gjyqi i popullit”, gjyqi cinik i tmerrit dhe i turpit. Një pjesë po kalben burgjevet, të tjerë po vriten akoma malevet.
Eshtë për t’u dridhur e për të qarë nga mallëngjimi kur kujtojmë se ç’zemër tregojnë këta të rinj përpara “gjyqit”, përpara vdekjes. Sikur nervat e tyre janë rrahur e kthyer në tela trimërie. Shpirti i kombit tonë rrallë herë është treguar kaqë i fortë sa në këtë bres. Doni të dini se qysh sillen bijtë e shqipes përpara vdekjes ? Dëgjoni gjyqin e Resul Tozharit e të Namik Mehqemesë, dënuar në Berat në vjeshtën e 45-ës, dhe do të kini pasqyrën e shpirtit djaloshar të sotmë.
Hyn Resuli, i lidhur me hekura, në sallën e gjyqit.
* Pse e luftove Lëvizjen t’onë or shok ? — e pyet djalli-gykatës.
-Ju luftova dhe ju luftonj, tha Resuli, pse populli pritte lirinë prej bijvet të tij e ju i prutë një tjetër formë robërie. Pse populli pritte të delte me rroba dasme për të kremtuar mbarimin e luftës, dhe ju e veshtë me rroba zije. Pse populli pritte t’i jepnit bukë, e ju i muartë edhe atë që kish. Ju që s’latë shtëpi pa zi, që s’latë zemër pa brengë. Ju që përçmuat idealin kombëtar, ju që trathëtuat Kosovën shqiptare. Unë e di se ç’më pret, por po flas fort të më dëgjojë djalëria ; pse fryma ime do të jetojë tek ata, do t’ju luftojë me ata. Pse më shikoni kështu ? Une s’kam frike nga thikat tuaja. Ju, duhet të trëmbeni nga fjalët e mia që ju damkosin si me hekur të kuq. Unë e di se ç’është tirania, kjo bishë e shëmtuar që ushqehet me gjak, që jeton vetëm me gjak. Ju s’munt të qëndroni ndryshe veç duke derdhur gjak, gjersa të mbyteni edhe iu vetë në gjakun t’uaj.
Kështu foli edhe Namiku. Namiku i urtë e i dashur që më parë kish turp kur fliste e skuqej si nuse, tani çfaqej me pamje tjetër, tani i shkrepnin sytë shkëndija si çelniku dhe i luanin rrembat e gjakut në një çfryrje burrërie, pse ish tjetër flakë ajo që e ndiste përbrenda.
Kështu folën. Pastaj të dy bashkë, si ata pëllumbat që i çonin për të therur në tempujt e vjetër, i vajtën vdekjes duke kënduar.
Por djalëria jonë nuk mposhtet në këtë dyel epik. Merr plumba, jep plumba. Sqyfteri i Kosovës, Haki Taha, kërcen në mest të Prishtinës dhe e vret brënda në zyrë Miladin Popoviç-in, organizonjësin e Partis Komuniste Shqiptare, aktorin kryesor të kësaj tragjedije. Pastaj rrethohet, lufton e mbetet. Ndërsa të tjerë shampionë të djalërisë së sotme, si Kazazët e Shkodrës, valavitnin përjashta flamurin e panjollë dhe iu tregonin malësorëvet të Veriut se jeta shqiptare s’duhet të ketë më kuptimin e bajrakut, se malësorët duhet të pushojnë së vrari shoqi-shojnë, malësorët që i këputi skami e mjerimi, malësorët që s’kanë tjetër përveç shpirt e gjak por që edhe gjaku i tyre ka qënë shitur gjer tani si plaçkë tregtie, malësorët që qenë dikur kështjellë e kombësisë, duhet t’i kërkojnë jetës kushte të reja.
Shqipëria do të ketë bukë për të gjithë, jeta do të ketë gëzim edhe për ju të mjerë – thoshte Jupi, i ëmbël e i qeshur si gjithnjë – por duhet t’ia nxjerrim me forcë. A ini burra të fortë pra?
-Po mana, përgjigjeshin malësorët, kena me ia nxerrë me forcë.
Jupi e Seiti, dy nga djemtë më të mirë të mëmës Shqipëri, i filsnin popullit me gjuhën e zemrës, me gjuhën e të riut ; prandaj i fitonin zemrën. Prandaj duheshin, nderoheshin e pasoheshin kudo. Por Kazazët nuk kufizoheshin vetëm në fjalë e këshilla, ata goditnin, sulmonin, donin të brenin vargojt e tmerrit. Në një nga sulmet që i bënë qytetit, mbetën të rrethuar dhe vendosnë të mbarojnë si burra.
Kur partizanët ulurinin “kapini me dorë, me dorë”, Kazazët trima përgjigjeshin: “Mos u-ngutni bre laro të pabesë e të pa-atdhe ; se ideja shtypet po s’thyhet, se flamuri digjet po s’jepet, se trimi vritet po s’kapet”. Dhe duke e ndezur vendin flakë si Oso Kuka, e bënë Shkodrën e rreptë të dridhet edhe një herë si në kohën e trimërivet legjendare.
Kështu mbarojnë djemt e shqipes. Të tjerë shuhen burgjevet. Burgjet e lagët e t’errët po përpijnë si gojë kulçedrash me qindra të rinj e të reja, djem e vajza shqiptare. Po vajzat, vajzat ç’zemër tregojnë. Në krye të tyre qëndron Musine Kokalari. Musineja shkrimtare, Musineja e këndëshme e fjalë-ëmbël që e donte Shqipërinë me tërë thjeshtësinë e zemrës, ashtu siç dinë të dashurojnë vetëm krijesat e fisëshme. Në burgun tjetër dergjet Neti Fuga, trimëresha e malevet. Më tej, veniten të tjera vajza shqiptare. Duket sikur s’venë re fare pse iu fishket bukuria dita ditës mbi dërrasat e ashpëra, dhe gjymtyrët e njoma iu murrëtohen ndë hekura. Ato gëzohen me bukurinë e shpirtit. Shpirti i tyre, i pastër si erë lulesh, i çpon muret e trasha të burgjevet, përhapet e iu ndrin gravet shqiptare si flakë qiriri.
Kjo është rinia e sotme.


