Djalëria dhe politikanët
Por duhet të dijmë se djalëria shqiptare s’duron dot më intrigën e përçarjes në krahina e bajraqe, në fe e fise, mënyra që kanë përdorur të huajtë për të marrë kështjellën t’onë nga brenda dhe sundimtarët e vendit për t’a mbajtur popullin të ndarë në zonë influencash, që kështu të munt t’a shfytëzonin e t’a përdornin pas qejfit si një pronë të tyren. Djalëria shqiptare i ngjit në ballë damkën e trathëtarit kujdoj që mbjell përçarje të këtilla, larove të djeshëm e të sotmë që qenë mësuar të hanë pa kursim mbi trupin e atij populli t’uritur, si hiena në mish të vdekuri.
Djalëria shqiptare i kapërxeu dobësitë e këtyre lloj përçarjeve, ajo tani udhëhiqet vetëm nga dritë e idevet, ajo dridhet e tërë në një frymë, ajo çohet e tërë me një fjalë që nga bjeshkët e vrenjtura të Kosovës gjer tek buzët e qeshura të detit Jonian.
Klikat e vjetra sundonjëse që mbaheshin në fuqi për hir të rrethanavet të ndryshme, ranë, u-shuanë. Edhe ato copra të kalbura që kanë mbetur aty-këtu, s’ushtrojnë më asnjë funksion në jetën e popullit, vetë organizmi i kombit i hodhi poshtë si gjëra të mplakura. Brezi i ri ka hyrë kudo në popull si një nervaturë e re. Të rinjtë e drejtojnë jetën në qytete, të rinjtë po e drejtojnë jetën nëpër fshatra. Ata janë fryma, gjaku që e vë kombin në lëvizje dhe e vënë në lëvizje andej nga mendojnë ata. Një parti politike shqiptare që s’ka me vehte djalërinë, vetë-quhet “parti” dhe bën si ai që kërkon të shartojë mbi kërcu të thatë.
Eshtë për t’u-vënë re se dy ide të mëdha kanë bërë rrugë në brezin e sotmë shqiptar dhe janë tiposur në mendjen e çdo të riu.
E para, ndërsa klikat e vjetra e quanin popullin si një lëndë pa shpirt dhe s’e vinin fare në llogari vullnetin as interesin e tij, veç rregulloheshin në mest tyre duke i mbajtur veshët ngrehur n’agjensitë politike të jashtme për të kuptuar se cilës fuqie të huaj po i vjen rradha të vërë dorë mbi Shqipërinë, që kështu të shpejtonin e t’i bëheshin urë, brezi i ri e ka përqëndruar mendimin e tij brenda në popull, është lidhur e bërë një me popullin, s’njeh tjetër ligj as traditë politike veç interesit të popullit, dhe është i vendosur gjer në vdekje për t’a bërë vullnetin kombëtar të triumfojë mbi çdo lakmi a kanosje imperialiste.
E dyta, brezi i sotmë e ka kuptuar mirë se popujt po shkojnë drejt një rregullimi ndërkombëtar të ri. Udha që kanë marrë qytetërimi dhe zhvillimi ekonomik i kohës s’onë, po i çon kombet, me dashje pa dashje, në një tjetër plan marrëdhëniesh dhe bashkëpunimi. Edhe populli ynë pra duhet pregatitur shpirtërisht për një jetë të re ndërkombëtare. Të rinjtë nuk po i mungojnë kësaj detyre. Ata e dinë se nuk arrihet liri, paqe as mbarësi në botë po nuk u bashkërenditën fuqitë e të gjithë popujvet në njësira politiko-ekonomike më të mëdha.
Përpara Djalëri !
Përpara pra djalëri, se sot duhet forca e jote. Ti je vale e fuqishme që hap udhë pa udhë, që shemp pengesa, që këput vargonj. Ku ka cikllop më të fortë nga ti për të kthyer jetën e popujvet në forma të reja ? Ty s’të përmban asgjë. Ti s’mposhtesh as mbarohesh. Atje ku bie gjaku i një të riu, dalin si nga dheu qindra të tjerë që ndjekin udhën e nisur. Pse fryma që të ve ty në lëvizje, është si frymë e prendverës që çel lule nga do shkon ; pret sa mund drapër’i ashpër, të tjera dalin me vesën e mëngjezit.
Përpara Djalëri ! Pasardhëse e denjë e stërgjyshëvet të tu ; ti që e tregove me prova se e paske gjithënjë në gjak shkëndijën trimërore të të parëvet t’onë që rrëmbenin në fushën e armëvet lavdi përmbi lavdi.
Përpara Djalëri ! E vendosur si gjithmonë, e arsyeshme, e bindur tek udhëheqësit e tu, përpara ! Me shpresë të gjallë, me zemër të fortë, me sy të patrembur, se fatet e Shqipërisë i ke në dorë.
Gazeta FLAMURI, mars-prill 1951


