Prof. Abas ERMENJI – Djalëria shqiptare

GazetaTjeter
49 Min Read
Vini re: GazetaTjeter.com mund të përmbajë lidhje partnere, në formën e popup-eve, apo njoftimeve të ndryshme, që do të thotë se mund të fitojë një komision nëse klikoni mbi këto lidhje. Ne ju kërkojmë të klikoni disa herë gjatë ditës mbi këto produkte, vlera e të cilatve përveçse shumë informative për ju, besojmë se do t'i japë një dorë të mirë mbarëvajtjes së punës sonë. Mbështetja juaj vlerësohet!!

Djalëria mbas 1920-ës

Gjatë njëzet vjetëve që shtrihen midis dy luftravet Botërore, në disa popuj t’Evropës së Lindjes e të Jugë-Lindjes që, për arsye historike, s’e kishin pësuar atë transformim të ngadaltë që u-bë në Perëndim, jeta e brëndëshme paraqiste forma të kundërta dhe të pa-pajtuarshëme. Më nj’anë, mbeturitë e vjetra feudale që koha s’i kish çdukur akoma, duke lozur n’ekilibër midis Fuqivet të Mëdha kundërshtare, patën ngritur regjime fashiste dhe mujtën të mbahen më këmbë me pahir, ndonëse nuk kishin më rrënjë në popull. M’anën tjetër, idetë e reja sociale, që s’ka mur as kufi aq të fortë sa t’i ndalojë dhe që mjetet e sotme e bëjnë shumë të lehtë përhapjen e tyre, e punonin si me limë brezin e ri të atyre popujve. Kështu u-formua ndër të rinjtë një gjëndje mendore që ish krejt në kundërshtim me mendësinë mesjetare të klikavet feodale në fuqi.

Për në Shqipëri s’munt të flitet për “djalëri” veçse pas 1920-ës ose 24-ës. Më përpara, populli shqiptar e kish bërë luftën e tij ashtu si kish mundur, ose më mirë të themi çdo krahinë ish mprojtur ashtu si kish mundur, e mbajtur gjallë me pahir nga një vetëdije kombëtare gjysmë e shurdhët.

Djemtë që ndiqnin shkollat, ishin përgjithësisht bijtë e klasës sundonjëse që kish marrë kulturën dhe zakonet turke dhe që e qeveriste vendin si mundte për hesap të saj dhe të Perandorisë. Ata djem që zgjuheshin në ndjenjën kombëtare, kishin shpirt të fortë dhe enthusiazmë të zjarrtë por ishin të pakët dhe s’e ndryshonin dot gjendjen e rëndë si plumb. Se ç’flakë i ndiste përmbrenda ata të rinj, duket nga shkrimet e tyre, nga përpjekjet, nga shoqëritë që formuan jashtë atdheut, nga përhapja e libravet shqipe, nga çetat e para që nxuarën malevet. Por këta zoq në lëvizje, si ata të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe ata të fillimit të këtij shekulli, ishin të rrallë dhe s’bënin dot prenverë. Sa herë që i kanoseshin atdheut rreziqe, ata përzjeheshin me popullin, i ngrinin moralin, luftonin tok me të. Por pastaj, kur Shqipëria, qoftë për hir të përpjekjevet të saj, qoftë për shkak të gjendjes ndërkombëtare, delte shtet më vehte, flamurtarët e kryengritjevet shqelmoheshin dhe mbetej prapë në fuqi klasa sundonjëse e vjetër, pse ajo njihej në popull, pse ajo kish në dorë pasurinë e vendit dhe dinte të ndreqej me fqinjët? Pikërisht ata që kishin dashur t’a mbyjnë lëvizjen kombëtare duke i shërbyer imperjalizmit të huaj, delnin tani në krye të punëvet si patriotë dhe, për t’iu vënë kapak të gjithave, bënin ndonjë këngë patriotike ose mbanin një fjalim bumbullitës.

Pas 1920-ës, kur shteti shqiptar mori formë, nisën të ngjallen aty-këtu përpëlitje të rinjsh. Në rrëmujat e Luftës së Madhe dhe n’enthusiazmin që u-përhap pas Luftës me shkollat e para shqipe, u-mëkëmb një farë djalërie e cila zu t’interesohej n’ideologjitë sociale që trazonin atëhere Evropën. Këto përpëlitje u-shtuanë dhe i dhanë trup më vonë Shoqërisë Bashkimit e cila, siç e dimë, lozi një rrol kryesor në Lëvizjen e l924-ës.

Po të ndalemi pakë këtu dhe të hedhim një sy mbi mendimet që punonin djalërinë e asaj kohe, do të rrëmbejmë menjëherë ndryshimin ideologjik në mest të brezit që loftonte përpara se Shqipëria të kish dalë si shtet i lirë dhe brezit të pastajmë. Brezi i vjetër, i mbushur me frymën patriotike të shekullit të nëntëmbëdhjetë, nuk njihte luftë tjetër përveç luftës kombëtare. Atij i interesonin sidomos kufitë e Shqipërisë dhe pamvarësi e saj. Nëqoftëse këto siguroheshin, ai e quante të kryer punën e tij. Dhe s’munt të mendonte ndryshe se n’atë shkollë ish formuar dhe me atë lloj lufte ish mësuar. Njerëzit që e kanë kuptuar jetën në një drejtim a në një tjetër, është vështirë të ndërrojnë udhë pastaj. Ata rrojnë në kujtimet e vjetra, mbeten si të ngrirë në kulturën e vjetër dhe kanë urrejtje për format e jetës që zhvillohen më pas.

Por brezi i ri që u-mëkëmb pas 1920-ës, m errte frymë në një hapësirë tjetër, kërkonte të ngjitej mbi të tjera maja, mbi majat e përparimit shoqëror. Dhe s’ka gjë më të natyrshëme nga kjo : akti i parë i përpjekjes shqiptare ish mbyllur me fitimin e pavarësisë, tani hapej akti i dytë, ai i luftës për zhvillim të brendëshëm, për një drejtësi shoqërore më të lartë. Kjo është përpjekja, lëvizja e parreshtur e popujvet, që s’mbaron kurrë, mësa ndalet qarkullimi i jetës.

Shohim pra se këtu kemi një bigëzim mendimesh midis brezit të vjetër dhe atij të riut. Të rinjve nuk iu mjaftojnë këngët e një patriotizmi abstrakt. Ato ishin me vent kur shpërthenin nga gojë e Naimit ose e Vasho Pashës. Por tani Shqipëria kish dalë zonjë me vehte, jeta e saj kalonte në një tjetër fazë, e pra hapeshin të tjera horizonte, çfaqeshin të tjera qëllime. Kështu, tek të rinjtë, patriotizmi i vjetër, pa humbur asgjë nga zjarri i tij i dikurshëm, vishej me të tjera ngjyra që e bënin më të dukur, më të plotë : me idealet e mbarëvajtjes shoqërore. Ish edhe koha atëhere, pas Luftës së Madhe, që iu dha idevet sociale një lëkundje të re. Revolucioni Rus, lëvizje punëtorish nëpër Evropë, Lëvizja Qemaliste në Turqi, shpresa të ngjallura prej luftës e fjalë të mëdha lirie e drejtësie që ushtonin nga të katër anët, s’munt t’a linin të paprekur djalërinë shqiptare e të mos e futnin edhe atë në koncertin e përgjithshëm. Por, me thënë të vërtetën, të rinjtë t’onë t’asaj kohe nuk e kishin të qartë se ç’kërkonin dhe ç’donin të bënin. Ata dridheshin n’enthusiazmë për ndryshim dhe reforma, por nuk kishin as ideologji sociale të caktuar mirë as pregatitjen politike të duhur për t’a vënë në zbatim. Revolucionin Rus s’e kuptonin dot siç duhet. E si do të munt t’a kuptonin ata të gjorë kur s’e patën kuptuar shumë nga diplomatët e Perëndimit (disa prej tyre s’e kuptojnë as sot), me gjithë jakat e ngrira dhe syzat e ndritura?

Avni Rustemi, Llazar Fundua e të tjerë djem t’asaj kohe flisnin për drejtësi shoqërore, për reformën agrare, për arsim dhe zhvillim të popullit. Shoqëria e Bashkimit filloi të bëjë mjaft zhurmë nëpër qytete, vuri në lëvizje pjesën më të madhe të nxënësvet të shkollavet, desh të shtrinjë rrënjë në popull. Por këtu ndeshi në tokë të ngurtë, pse populli shqiptar s’ish zgjuar akoma saç duhej nga lethargjia e robërisë, s’delte dot aq lehtë nga zakonet e së kaluarës, jepej akoma pas politikës së krahinavet e të bajraqevet, tamam ashtu siç donte klasa sundonjëse e vjetër. Për djalëri fshatrash s’bëhej fjalë fare, por edhe nëpër qytetet të rinjtë e shkollavet ishin të pakët, një pjesë e tyre s’dinte ç’domethënë “interes shoqëror” dhe jetonte akoma në burgun e ngushtë të mendimevet të lagjes.

Që mendimi i një brezi të ri të ndihet në të gjithë kombin, nuk mjafton të këndojnë vetëm disa bilbilë aty-këtu, por duhet pa tjetër t’i përgjigjen asaj kënge masa të gjera djelmoshash prej qëndravet më të mëdha në qëndrat më të vogla, duhet që ideja e re të rrëmbejë sidomos djalërinë e punëtorisë e të fshatravet. Një mrekulli e tillë s’munt të ndodhte më 1924. Përpëlitjet e Shoqërisë së Bashkimit s’kapërxyen dot përtej oborrit të shkollës ose tregut të qytetit. Në ngjarjet që u-zhvilluan n’atë kohë, enthusiazmi dhe zhurma e të rinjvet u-çfrytëzuan djallëzisht nga disa klika të vjetra që paraqiteshin me fjalë të mëdha reformash e mirësimesh. Në të vërtetën, këto klika haheshin midis tyre për (punë prestigji e kulltuku) dhe s’ndryshonin prej njëra tjetrës në asgjë, disa flakeshin jashtë, të tjera vinin në fuqi, por gjendja e vendit mbetej njëlloj si zjerë pjekur?.

Por Shoqëria e Bashkimit la një jehonë që tingëlloi gjer vonë në djalërinë shqiptare. Ajo iu hapi shtegun ideve të reja dhe i tregoi djalërisë së detyra e saj është të lëvizë, të luftojë padrejtësitë e vjetra e t’i kërkojë jetës të tjera shanse.

Në pesëdhjetë-vjetshin që shtrihej pastaj gjer më 1939, çdo lëvizje rinie shuhej me kamzhik. Regjimi natyrisht kish urrejtje për mendimet e reja dhe, i pështetur mbi feodalizmën e vjetër e mbi ca kapedanë aventurierë të nxjerrë nga hiçi, rëndonte si një pullas burgu, mbi jetën e kombit. Shqipëria ishte çiflik i disave që kishin futur thonjtë kudo, në financat e shtetit, në sipërmarrjet, në tregëtinë, në dritën, në bukën, në kripën?, shpërdorimi i fuqis së shtetit për të kënaqur epshe e dëshira, i çonte neverinë edhe atij më gjak-butit. Vjedhjet ishin prallëzore. Ndryshimi i jetesës midis njerëzvet të regjimit dhe popullit ish revoltonjës. Ndërsa ata bënin jetë vilash dhe mëndafshesh, bujku s’kish kashtë e rrogos për t’u mbrojtur nga balta. Nërsa ata iu siguronin fëmijëvet të tyre jetesën e njëqint vjetëvet, fëmijët e punëtorit s’kishin as bukën e ditës.

Me fjalë, Shqipërija quhej shtet i pavarur por, në të vërtetën, ekonomia e saj kish shkuar në dorë të tjetërkuj, regjimi mbahej me thërrimet që i hidhnin nga Italia dhe, ditën që t’i priteshin ato thërrime, pushonte së ardhuri rreth, si një mulli që i pritet ujët. Megjithatë, duhej thënë se Shqipëria “po përparon”, që “kombi po lulëzon”, etj.. Në të kremtet kombëtare, patriotët e vjetër, ringjallësit e idesë Shqiptare, ishin harruar krejt dhe, në vent të tyre, duartrokiteshin markat e regjimit, ata që, pak vjet më parë, e kishin luftuar haptazi Shqipërinë si agjentë të imperializmit të huaj.

Gjendja politike që u-krijua pastaj nuk i la shtek djalërisë për një zhvillim të lirë e të pajtuarshëm me kohët.

Një e tillë gjendje pra, rrinte në kundërshtim si nata me ditën me idetë e reja që i vinin djalërisë nga librat e shkollës, nga historia e popujvet të tjerë, nga lëvizjet e jashtme, nga thirrjet për liri që ushtonin nëpër botë, nga romancat, nga radjot, nga kinemaja. Për të gjetur një vent mprojtjeje nga pamjet e shëmtuara që i a vrisnin ndjenjën orë e çast, nga fyerjet që i bëheshin pa pushim, djalëria ish çkëputur shpirtërisht prej regjimit në fuqi dhe jetonte në një kënd mendimesh të sajat. Por romancat që këndohen fshehtazi të thithin më fort dhe të bëjnë me fanatik. Idetë që kapen vjedhurazi, merren shtrëmbët. Shpirti që formohet burgjeve e qilareve, ka një sasi helmi më të madhe nga ai që zhvillohet n’ajër të lirë.

Në Shqipëri nuk pat një kulturë kombëtare të lartë për t’iu mbyllur udhën influencavet mendore të huaja. Në Shqipëri nuk pat një parti të shëndoshë që të bënte politikën e kohës ku të munt të rreshtohej djalëria. Në Shqipëri nuk pat rrahje të lirë mendimesh, ku të mund të fitonte një ide politike të saktë djalëria. Djalëria shqiptare u-formua ashtu si mundi, duke parë andej-këtej, duke mbajtur vesh djathtas e majtas. Prandaj të mos çuditet njeri tani se pse djalëria jonë u-gjent n’atë anarqi mendimesh.

Edhe një shpresë të vogël që kish mbajtur djalëria tek t’arratisurit politikë të 1924-ës, e humbi me ngjarjen e 7 prillit, kur këta heronj të drunjtë na erdhë me hordhitë e huaja dyke thirrur si Arqimedi se e gjetën shpëtimin e atdheut në “suazën e Perandorisë !”. Pastaj u-pajtuan si pa gjë të keqe me njerëzit e “regjimit kundërshtar”, që i gjetën të pa luajtur nga kulltuqet si Senatorët e Romës së Vjetër kur hynë Galët. Këta burra të fortë, me ideale të mëdha, që s’u pajtuan dot kurrë ndënë shkabën shqiptare, u-përqafuan më në funt ndënë shenjat e Liktorit. Dhe ndërsa djalëria përjashta, dhe populli bashkë me të, zjente e buçiste e kërkonte armë për të mprojtur atdhenë e trathëtuar, këta ngriheshin si gjela nëpër sallonet e ministrivet e i fëkonin krahët njeri-tjetrit, të gëzuar sikur kishin pashkë a bajram. Ky qe çasti vendimtar që e ndau si me shpatë pikëpamjen e të rinjvet nga lëmshi i politikës mercenare të të vjetërvet. Dhe për të parën herë djalëria shqiptare, në këtë ndeshje në fushën e provës me klikat e vjetra, dha një reaksion përqethës si hekuri i nxehtë kur futet n’akull.

Pas shpërndarjes së Shoqëris së Bashkimit (në dhjetor të 1924-ës), nuk pat ndonjë tjetër organizatë djalërie me karakter politik, përveç shoqërish sportive aty-këtu, ndonjë shoqërie artistike në Shkodër dhe shoqëria Puna në Korçë. Kjo e fundit përmblidhte sidomos djalërinë e punëtorisë së qytetit dhe fshihte qëllime politike me ngjyrë komuniste. Megjithkëtë, e shtypur dhe e mospërfillur, ashtu siç ish, djalëria shqiptare punohej vashdimisht prej mendimesh të reja dhe dukej që ish një energji e mbyllur e cila, kur të shpërthente më vonë, do të bënte mjaft gjëra të pëlqyera ose të papëlqyera.

Tituj

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *