Djalëria e Përjetëshme
Për një që s’është mësuar t’i shohë gjërat në vijën e historisë, gjithë ky gjak, i derdhur e tmerron, e bën të humbasë arsyen, kujton se mbaroi kombi. Jo, mos u-trembni, kombi del m’i fortë akoma. Dijeni se historia, kjo ndërtesë vigane, i ka themelet mbi gjak e trupa njerëzish. Vetëm popujt që lëvizin jetojnë, ata që rrijnë në vent janë si stivë mishi që qelbet. Ne patëm fatin të ndodhemi ndoshta në një nga çastet më t’interesëshëm që ka shkuar njerëzia. Popujt sot gjenden në një shtek kapërximi, janë duke bërë një kthesë të madhe drejt një t’arthmeje tjetër. Rrota e jetës sociale nuk kthehet aqë lehtë pa shtypur mijra e milionë njerës. Komunizmi do të jetë ndoshta drithma e fortë që e përshkoj njerëzinë përpara se kjo të kalojë në të tjera fate. Mbajini lart zemrat. Mos thërrisni si çiliminj kur shikoni gjak të derdhur. Asgjë s’shkon humbur në natyrë. Rrebeshi i fortë që grryen malet e kodrat, vesh fushat me lerë të majme. Kur bima e një vere bie e kalbet në dhe, e bën tokën më pjellore për verën tjetër. Kur një brez humbet gjak në fushën e idevet, fiton shpirt aqë herë më shumë, fiton fuqi krijonjëse që i japin kombit, me të çelur të paqes, një tjetër dalldisje lulëzimi. Kur ka qenë populli ynë – flas për në kohët e vona – kaqë i gjallë, dhe kur ka pasur një botë-kuptim kaqë të gjerë sa sot ? Cili bres është treguar m’i hedhur, më trim, më rremba-zjarr nga ky i sotmi ? pse thoni që u-përgjunj kombi kur shpirti i tij është sot m’i fortë se kurrë, është bërë çelnik i zjerë tri herë ? Si s’do të mundë brezi i sotmë pra, ky bres i pjellë nga zjarri, të hapë udhët e s’arthmes, t’a zërë fatin e mirë, atë kalë t’egër, e t’a mbërthejë me pahir në qerren e Shqipërisë ?
Mos kini frikë. Nuk çfaroset djalëria. Nuk shterron burimi i jetës. Vriten një pjesë, të tjerë ngjallen. Ideja jonë sot, ideja që patën mbjellë demokratët e vërtetë, po lulëzon n’atdhe m’e mbarë se kurrë, si një farë e pajtë që e do toka. Forcat e reja që lindin po grumbullohen rreth saj si lulet pas degës. Por edhe ajo pjesë e të rinjvet të mitur që qenë gënjyer pas propagandës së keqe, po kthen n’udhën e drejtë tani që komunizmi e grisi maskën e sirenës këngëtare dhe nxori në shesh fytyrën e ariut. Lajmet nga Shqipëria na thonë se djalëria lëvis si gjithnjë. Oficerë të vegjël, nënoficerë, ushtarë, djem shkollash, djem fshatrash e qytetesh që grumbullohen në punë të detyruara, kërkojnë njeri-tjetrin, afrohen, këmbejnë mendime, ngushullohen, forcohen, organizohen në grupe të fshehtë për t’i dalë zot s’arthmes. Kështu lidhet rrjeta e qëndresës kombëtare, e cila pret nga një ditë në tjetrën kushtrimin e udhëheqësvet demokratë për t’i bërë malet t’ona të gjëmojnë edhe një herë nga klithmat e kryengritjes.


