Kur u rikthyen në studiot e EMI më 6 prill 1966, dy më të mëdhenjtë e grupit – Ringo dhe John – ende nuk i kishin mbushur 26 vjeç. Në atë pikë, The Beatles patën pushtuar botën me një seri triumfesh që do ta kishin shtyrë çdo grup tjetër të rehatohej mbi lavdi, duke e kthyer suksesin në strehë komode. Por, për fat, katër djemtë që hynë atë ditë në studio për të nisur rrugëtimin që do të përfundonte te albumi Revolver nuk kishin asgjë të përbashkët me artistët që kënaqen me formulat e fituara. Brenda tyre jetonte një shqetësim i vazhdueshëm, një uri pothuajse e dhunshme për të rrëzuar çdo rregull, për të sfiduar kufijtë e muzikës pop dhe për të mohuar, herë pas here, edhe vetë atë që kishin krijuar më parë.
Shenjat e para të këtij transformimi ishin shfaqur që më herët, por për publikun dhe kritikën e kohës ato dukeshin si tentativa të kujdesshme evolucioni, më shumë të motivuara nga frika e përsëritjes sesa nga një revolucion i mirëfilltë artistik. Megjithatë, albumi Rubber Soul ndryshoi gjithçka. Vetë John Lennon do ta quante atë periudhë fillimin e “ndërgjegjësimit”, fundin e epokës së tyre “tribale dhe infantile”. Tingulli ekzotik i sitarit në “Norwegian Wood”, largimi nga romantizmi klasik në “Nowhere Man”, lojërat vokale të “Drive My Car” dhe “Girl”, si edhe kureshtja gjithnjë në rritje ndaj teknologjisë së studios, ishin prova se Beatles po hynin në një territor krejt të ri. Dhe pasi kishin provuar shijen e ndryshimit, nuk kishin më ndërmend të ndaleshin.
Kurrë më në skenë
Talenti kompozues i tandemit Lennon–McCartney, i shoqëruar nga rritja e dukshme artistike e George Harrison, po hynte në një dimension tjetër, por shpërthimi krijues i Beatles nuk erdhi vetëm prej tyre. Ishte rezultat i një përplasjeje pothuajse magjike faktorësh historikë, kulturorë dhe teknologjikë që u takuan në momentin perfekt. Shoqëria britanike dhe amerikane po shkëputej me forcë nga morali i brezave të vjetër; lëvizja hippie po lindte mes idealizmit dhe rebelimit; ndërsa LSD-ja dhe eksplorimi i gjendjeve të ndryshme të ndërgjegjes po ushqenin imagjinatën e artistëve të kohës.
Por ajo që e bëri të mundur revolucionin e Beatles ishte studioja. Teknologjitë e reja të regjistrimit dhe eksperimentet e prodhimit muzikor u kthyen në laboratorin ku grupi mund të materializonte gjithçka që imagjinonte. Pikërisht për këtë arsye vendimi për t’i dhënë fund koncerteve live, me mbylljen simbolike të turneut më 26 gusht 1966 në Candlestick Park të San Franciskos, nuk ishte një kapriço, por një zgjedhje strategjike e pashmangshme. Koncertet ishin shndërruar në një farsë të lodhshme: britmat e publikut mbulonin çdo notë dhe teknologjia e kohës nuk ishte në gjendje të përballonte histerinë që shoqëronte grupin. Për më tepër, këngët e reja nuk mund të riprodhoheshin më në skenë.
Në atë periudhë hyn në lojë edhe një figurë kyçe: Geoff Emerick. Kur inxhinieri historik Norman Smith vendosi t’i përkushtohej prodhimit – duke zbuluar mes të tjerash një grup të ri të quajtur Pink Floyd – vendi i tij iu besua një të riu pothuajse bashkëmoshatar me Beatles. Emerick debutoi pikërisht gjatë sesioneve të “Revolver” dhe solli me vete një mentalitet teknik revolucionar, të lidhur ngushtë me vizionin e producentit George Martin. Bashkëpunimi mes tyre i lejoi Beatles të çliroheshin nga çdo autocensurë dhe të zhyteshin plotësisht në atmosferën psikodelike të kohës.
Shpirti dhe zbulimi
Por për shkak të temperamentit unik dhe shpërthyes të grupit, ajo rrymë tashmë e kodifikuar shndërrohet më shumë në një mjet, në një paletë me ngjyra origjinale me të cilën pikturohet një portret gjithnjë e më personal. Psikodelia e Beatles është shumë më pranë etimologjisë së vetë fjalës sesa përkthimit të saj të mirëfilltë në muzikë, që rreth tyre po realizonin The Jimi Hendrix Experience, The Doors apo Jefferson Airplane: psyché dhe de lô, shpirti dhe zbulimi, të kuptuara si eksplorim i thellë i vetëdijes, edhe pse duke përdorur LSD-në si mjet, kalojnë përmes rrugëve të tjera të brendshme, duke sjellë Strawberry Fields Forever, Penny Lane dhe më pas afreskun monumental të Sgt. Pepper’s Lonely Hearts Club Band.
Në rastin e singëllit me dy anë A, Lennon dhe McCartney shfaqen duke kërkuar vetveten në thelbin e kujtimeve, për ta ekspozuar më në fund atë përpara botës, me mënyra të ndryshme, por po aq intime; ndërsa në rastin e albumit kryevepër, liria e plotë e komunikimit garantohet nga krijimi i një egoje alternative, një zgjerim i ndërgjegjes aq ekstrem sa arrin deri te dyzimi i personalitetit. Atmosfera e përgjithshme, është e vërtetë, duket lozonjare dhe argëtuese: banda e Sgt. Pepper mbizotëron në qendër të kopertinës me uniforma me ngjyra të ndezura, ndërsa ai emër i gjatë dhe pothuaj absurd duket si një parodi e prirjes së grupeve bashkëkohore të lindura rreth lëvizjes flower power të Haight-Ashbury.
Por pikërisht aty pranë, në rreshtin e parë, ndodhen edhe Beatles në versionin e tyre prej statujash dylli, djemtë me flokët karakteristikë dhe kostumet e zeza, një e shkuar tashmë e tejkaluar, që duhet lënë përgjithmonë pas në emër të kësaj rilindjeje të re. Të mbrojtur nga ky artific dhe nga intuita e concept album-it – në fakt më shumë një sugjerim i krijuar nga kënga hyrëse dhe reprise-i i saj, që i japin zë bandës “alter ego” në një lloj interpretimi të rremë live – Beatles-ët e vërtetë i dorëzojnë botës një koleksion këngësh që vijnë nga universe krejt të ndryshme mes tyre: kalojnë nga aroma e tallashit të një piste cirku te shkëlqimi i ngjyrave të ngopura të një trip-i psikodelik, nga tingujt e vjetër të vaudeville-it te meditimi indian, nga drita e optimizmit të shkujdesur te gjysmëhija e mizantropisë që fama ushqen në mënyrë mizore.
Megjithatë, korniza e Bandës së Zemrave të Vetmuara nuk përfshin gjithçka dhe as nuk synon ta bëjë: reprise-i nuk është kënga e fundit, por parafunditja. Dhe me atë që tingëllon si një akt realizmi cinik, A Day In The Life, përmbledhje supreme e binomit të mrekullueshëm Lennon/McCartney dhe manifest i psikodelisë intime beatlesiane, shndërrohet në një thirrje të dhimbshme për t’u rikthyer në jetën reale, në tingullin e një ore alarmi që kujton se çdo lojë, sado magjike të jetë, ka një kohë të kufizuar.
Vdekja e Beatles-ave të parë
Dhe jeta reale, ajo që nuk tregon mëshirë për askënd, nuk vonon ta konfirmojë këtë: më 27 gusht 1967, Brian Epstein gjendet i vdekur në shtëpinë e tij në Chapel Street. Në shumë kuptime, loja kishte marrë vërtet fund. Ata Beatles që në dy vitet e fundit ishin bërë kaq të ndryshëm, kaq larg atyre shpërndarësve të sjellshëm të buzëqeshjeve të dikurshme, që tashmë visheshin si të donin dhe linin mjekra e mustaqe, ata Beatles që nuk ishin më “djemtë e bukur” të publikut, e kuptojnë papritur se bindja e tyre për t’u bërë burra kishte qenë vetëm një iluzion. Nuk mund t’ia tregonin botës, por në rrethana të tilla mbeteshin ende djem të brishtë dhe të frikësuar.
Puna e parë që do të pasonte tragjedinë, edhe pse muzikalisht e pakritikueshme, do të rezultonte hapi i tyre i parë i gabuar: operacioni Magical Mystery Tour do të ekspozohej ndaj kritikave të ashpra – dhe të justifikuara – për arrogancë, me atë film televiziv të improvizuar dhe të panevojshëm që i bënte të dukeshin të gjithë, sidomos McCartney, i cili kishte marrë mbi vete rolin e liderit absolut të projektit, si të pushtuar nga një delir madhështie dhe gjithëfuqie. Ëndrra shumëngjyrëshe e atyre viteve të jashtëzakonshme dukej tashmë sikur po zbehej ngadalë para syve të të gjithëve.



