GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Ukraina dhe Rusia një hap nga lufta. Një orë bisedë telefonike Putin-Biden

SHBA ka njoftuar evakuimin e ambasadës në Kiev. Moska flet për “histerinë e Shtëpisë së Bardhë”

Një pushtim i mundshëm i Ukrainës nga Rusia do të shkaktonte “vuajtje të mëdha njerëzore” dhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë gati të imponojnë “kosto të shpejta dhe të rënda” ndaj Moskës. Shtëpia e Bardhë, në përfundim të bisedës mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe atij rus, Vladimir Putin, ka lëshuar ​​një njoftim në të cilin bën të ditur çështjet e trajtuara nga të dy liderët, duke përsëritur se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vazhdojë përpjekjet diplomatike, por gati edhe “për skenarë të tjerë”.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, foli me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për përshkallëzimin ushtarak në rritje në kufijtë e Ukrainës. Biden ishte i qartë se nëse Rusia vazhdon planet e saj të pushtimit të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët e saj, do të përgjigjen me vendosmëri dhe do t’i imponojnë Rusisë kosto të shpejta dhe të rënda”, shkruan Shtëpia e Bardhë.

“Presidenti Biden”, përfundon njoftimi, “përsëriti se një pushtim rus i Ukrainës do të prodhonte vuajtje të mëdha njerëzore dhe do të minonte stending të Rusisë. Presidenti Biden i qartësoi Presidentit Putin se teksa Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për veprime diplomatike, në koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët e tyre, ata janë po aq të përgatitur edhe për skenarë të tjerë”.

Vazhdojnë të fryjnë pra, erërat e luftës dhe alarmi bie në të gjithë botën. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se një pushtim rus mund të nisë brenda pak ditësh dhe u kanë kërkuar qytetarëve amerikanë të largohen brenda 48 orëve. Një sulm nga më shumë se 100,000 trupat ruse të vendosura aktualisht pranë Ukrainës “mund të ndodhë brenda natës”, u tha gazetarëve Jake Sullivan, këshilltar për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë në Uashington.

Uashingtoni ka njoftuar evakuimin e të gjithë personelit nga ambasada e tyre në Kiev. Një numër i vogël zyrtarësh mund të qëndrojë në kryeqytetin ukrainas, por shumica e afro 200 amerikanëve që punojnë në misionin diplomatik do të evakuohen nga vendi ose do të transferohen në zonat perëndimore, pranë kufirit polak, në mënyrë që të mbajnë një prani diplomatike.

Duke hedhur poshtë spekulimet se Kremlini nuk do të shkaktonte kurrë krizën ndërkohë që Lojërat Olimpike të Pekinit janë ende duke u zhvilluar, Sullivan ka konfirmuar se një sulm i tillë “mund të ndodhë” përpara përfundimit të Lojërave, të planifikuara për më 20 shkurt. Skenari i një sulmi të afërt është “një mundësi shumë, shumë e dukshme”, tha Sullivan.

Duke nënvizuar se nuk dihej ende nëse Presidenti Vladimir Putin kishte marrë një vendim, e duke thënë se “ne nuk mund të parashikojmë një determinim të saktë”, Sullivan e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara po përgatiten për më të keqen, duke përfshirë një “sulm të shpejtë” në kryeqytetin Kiev. “Nëse një sulm rus ndaj Ukrainës vazhdon, ka të ngjarë të fillojë me bombardime ajrore dhe sulme raketore që padyshim mund të vrasin civilë”, tha ai. “Çdo amerikan në Ukrainë duhet të largohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe brenda 24-48 orëve të ardhshme.”

Sullivan foli menjëherë pasi presidenti Joe Biden dhe gjashtë liderë evropianë, krerë të NATO dhe Bashkimit Evropian, mbajtën bisedime mbi krizën më të keqe midis Perëndimit dhe Rusisë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Duke nënvizuar perspektivën e zymtë, një sërë vendesh iu bashkuan eksodit të diplomatëve dhe qytetarëve nga Ukraina, ndërsa çmimet e naftës u rritën dhe aksionet amerikane ranë.

Uniteti i NATO

Sullivan ka përsëritur paralajmërimet e ditëve të fundit sipas të cilave Rusia rrezikon përballet me sanksione të rënda perëndimore dhe tha se NATO tani është “më kohezive, më proaktive, më dinamike se çdo herë tjetër në memorien e kohëve të fundit”.

Pentagoni ka njoftuar se do të dërgonte 3000 trupa shtesë për të forcuar aleatin, Poloninë. Dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i tha homologut të tij ukrainas Dmytro Kuleba në një telefonatë “se Ukraina vazhdon të ketë mbështetje të qëndrueshme dhe të fortë nga Shtetet e Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, theksoi Departamenti i Shtetit.

Pas telefonatës së mëparshme midis liderëve amerikanë dhe evropianë, zëdhënësi i kancelarit gjerman Olaf Scholz ka thënë se “objektivi është të parandalohet një luftë në Evropë”. Por nëse Moska nuk përmbahet, “aleatët janë të vendosur që së bashku të ndërmarrin sanksione të shpejta dhe të forta kundër Rusisë”. Këto sanksione do të synojnë sektorët financiarë dhe energjetikë, tha për Bashkimin Evropian, Ursula von der Leyen.

Kremlini: histeria amerikane ka arritur kulmin

“Histeria (amerikane, ed) ka arritur kulmin”: ka thënë Yuri Ouchakov, këshilltari diplomatik i Putinit, në një konferencë shtypi, pas bisedës telefonike për krizën ukrainase midis presidentit amerikan, Joe Biden, dhe atij rus, Vladimir Putin. Të dy liderët, shtoi Ouchakov, “ranë dakord të vazhdojnë kontaktet në të gjitha nivelet”.

Ouchakov shtoi se ishin amerikanët ata që donin ta përshpejtonin për të shtunën telefonatën mes dy presidentëve, të planifikuar fillimisht për të hënën. “Këto ditët dhe orëve të fundit situata është sjellë në nivele absurde”, vazhdoi Ouchakov, duke nënvizuar se “amerikanët kanë shpallur madje edhe datën e pushtimit rus”. “Nuk e kuptojmë se çfarë informacionesh të rreme mbi qëllimet tona po transmetohen në media”, përfundoi këshilltari diplomatik.

Forcat ushtarake ruse në lëvizje

Trupat dhe forcat detare ruse, përfshirë njësitë e sjella nga i gjithë vendi i madh, tani rrethojnë Ukrainën në jug, lindje dhe veri. Rusia, e cila mohon çdo plan për të sulmuar Ukrainën, tashmë kontrollon territorin e Krimesë dhe mbështet forcat separatiste që kontrollojnë rajonin Donbass të Ukrainës lindore. Kremlini thotë se objektivi i tij është të bëjë NATO-n të bjerë dakord që të mos i japë kurrë anëtarësimin Ukrainës si dhe të tërhiqet nga vendet e Evropës Lindore tashmë në aleancë, duke ndarë në mënyrë faktike Evropën në sfera dhe ndikim të stilit të Luftës së Ftohtë. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë i refuzojnë kërkesat, duke këmbëngulur që NATO nuk përbën kërcënim për Rusinë.

Përveç tensioneve, të premten nisën stërvitjet ushtarake ruse në shkallë të gjerë me Bjellorusinë, e cila ndodhet në veri të Kievit dhe kufizohet poashtu me Bashkimin Evropian.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar të premten se do të zhvillojë stërvitje ushtarake edhe pranë kufirit ukrainas në Detin e Zi. Sipas kreut të shërbimit të inteligjencës ushtarake norvegjeze, Rusia është operacionalisht gati të kryejë një gamë të gjerë operacionesh ushtarake në Ukrainë dhe Kremlini duhet vetëm të lëshojë thirrjen.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka kërkuar që personeli i tij jo thelbësor të largohet nga Ukraina, ndërsa Izraeli ka thënë se familjet e diplomatëve të tij do të tërhiqen. Norvegjia u bashkua me Britaninë e Madhe duke iu kërkuar qytetarëve të saj të largoheshin.

Përpjekjet e diplomacisë

Alarmi në rritje vjen pavarësisht përpjekjeve të diplomacisë nga ana e zyrtarëve evropianë. Macron vizitoi Moskën dhe Kievin në fillim të kësaj jave dhe Scholz pritet të bëjë të njëjtën gjë ditët e ardhshme. Scholz do të zhvillojë gjithashtu takimin e tij të parë personal me Putinin në Moskë. Sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Wallace ishte në Moskë të premten për bisedime me homologun e tij rus Sergei Shoigu. Ai shoqërohej nga shefi i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Radakin, dhe dyshja do të takohen edhe me shefin e shtabit të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov.

Vizita e Wallace vjen një ditë pasi Ministrja e Jashtme britanike Liz Truss u takua me homologun e saj rus Sergei Lavrov në Moskë për bisedime që përfunduan me akuza publike. Zhgënjim edhe pas një takimi të veçantë mes negociatorëve rusë dhe ukrainas, nën ndërmjetësimin e Gjermanisë dhe Francës. Burimet e cilësuan takimin si “të vështirë”.

Përgatiti për gazetatjeter.com, Dardan MITROVICA


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More