GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Batmobile mbush 70 vjeç dhe ende zhurmon

Me një film kushtuar mitit motorik, Warner Brothers celebron ditëlindjen e supermakinës legjendare të lindur në vitin 1950. Dhe njofton se vitin e ardhshëm do të kthehet me një version të ri për të shumëpriturin “Batman”

Batmobilemania nuk njeh fund dhe pas ankandit të bujshëm të Barrett-Jackson Auction në Scottsdale, Arizona, ku makina e përdorur për filmimin e serive televizive të viteve 1960 u shit për 4.2 milion dollarë ( një koncept i porositur nga Ford në fabrikën e karrocerive të Ghia në Torino, më vonë e transformuar me një mbulesë plexiglas, lazer dhe një Bat-telefon), tani për 70 vjetorin e Batmobile, Warner Brothers lançon një film homazh për makinën më të famshme të të gjitha kohërave.

I pagëzuar “The Batmobile Documentary”, filmi rrëfen historinë e makinës së super heroit, duke nisur që nga prototipi i parë i Ghia e për të mbërritur tek interpretimet më të çmendura moderne. Një histori që vjen nga larg sepse që kur Batman ngau makinën e tij të parë dhe një merimangë u shfaq në Detective Comics n. 27 të majit 1939, ka kaluar ca kohë. Dhe në vitin 1941 makina tashmë e kish marrë emrin “Batmobile” dhe ishte zbukuruar me kapuçin e një lakuriqi gjigand, dhe tonalitete të errëta. Por, është prapë thjesht një prani sporadike. Dhe do të jetë në vitin 1950 – sipas Warner Brothers – që lindi përfundimisht Batmobile duke u shndërruar kësisoj në një prezencë të përherëshme për t’u shfrytëzuar nga Batmani.

Dhe pastaj, kur Batman u transferua nga kartonat në filma në 1943, Batmobile u bë një protagonist i madh. Ishin vitet kur makina ishte si një karvizitë. Ishin vitet e “le të ngasim atë që jemi”. E kështu Batmanit do t’i duhej një supercar siç i takonte. Me të thënë e me të bërë. Ja dhe Batmobile i tij i mbushur me vegla dhe truke për show.

1966, një tjetër pikë kthese: mbërrin seriali televiziv “Batman” me Adam West. Dhe makina bëhet edhe më e popullarizuar, deri në atë pikë sa filluan të lulëzojnë edhe kopje të ndryshme të saj. Disa të prodhuara edhe me një numër serial të veçantë, siç është ai i Freaks – një kompani amerikane që prodhoi veshje makinash – identike në të gjitha aspektet me makinën e përdorur gjatë xhirimeve midis 1966 dhe 1968.

Pra, të gjitha këto i tregon dokumentari i Warner Brothers, përfshirë edhe historinë e regjisorëve, producentëve dhe stilistëve që e bënë të famshëm Batmobile. Si ajo e Tim Burton e bazuar në një Chevrolet-Impala, e drejtuar nga Michael Douglas në vitet ’80. Pastaj Batmobile më pak i famshëm, ai i trilogjisë “The Dark Knight”. Deri tek disa thashetheme për përbindëshin që do të përdoret tek “Batman” vitin e ardhshëm. Historia e Batmobile nuk mbaron këtu.

You might also like