Rilindja evropiane dhe Troja
Ideja për hartimin e një makroprojekti që më pas do të quhej Rilindja evropiane, lindi pas “Periudhës së Errët (argumentum et silentium)”, që zgjati në segmentin kohor të shekujve IV-XI pas Krishtit. Kjo periudhë është më pak e ndriçuara në historinë e qytetërimit perëndimor dhe të dhënat që vijnë prej saj jo vetëm nuk sqarojnë, por e shtojnë misterin rreth zhvillimeve në Evropë gjatë atyre 7-8 shekujve.
Gjithsesi, Rilindja evropiane, qoftë si konceptim, qoftë e vlerësuar nga rrjedhojat, dëshmoi të ishte një projekt madhor filozofiko-arsimor, etno-kulturor dhe etatisto-zhvillimor. Megjithatë, qysh në fillimet e Rilindjes, Perëndimi e kuptoi se ishte tejet i vonuar dhe me të drejtë ndihej tmerrësisht inferior përballë Lindjes dhe trashëgimisë së saj kulturore, që vazhdonte të pasurohej nga kontributet e qytetërimeve epokale lindore që ende zhvilloheshin vrullshëm, apo gjallonin, sikurse ai i shteteve arabe të Kalifatit, kinez, indian, indokinez, inkas dhe actek.
Perëndimi nuk gaboi kur kuptoi se me Athinën dhe Romën tashmë rrënoja, me Kostandinopojën dhe Bizantin e asfiksuar nga shtërngimi asfiksues i morsës së selçukëve dhe mongolëve, me trashëgiminë e shkruar thjesht të mbijetuar nga pergamenat e rrezikuara, do ta kishte të vështirë të rilindte e ringrihej pa një projekt ndërtimtar e zhvillimor që lipsej të fillonte me “themelet, për të arritur tek strukturat mbajtëse sikurse kolonat, arkitrarët, muret…, e deri tek çatia”.
Ndaj duke përmbushur me saktësi dhe skrupulozitet të gjitha kërkesat e detyrës së projektimit, projekti Rilindës filloi dhe po ecte me shpejtësi. Ai pas disa shekujsh mundi të plotësohej me 3 këmbë-kolonat, që ishin: Athina e Lashtë; Roma e Lashtë dhe Evropa e qyteteve prej guri me kisha, universitete e shtypshkronja, me mbretëri, shtete, principata, dukate e konte, me flotë e industri metalesh e me avull, si dhe me bujqësi të zhvilluar. Mungonte vetëm këmbë-kolona e katërt: Troja homerike me shkëlqimin e saj marramendës, që bashkë me asetet e tjera do të sfidonte pa droje qytetërimet rivale, pavarësisht të qënit e saj larg si realitet (ende në trajtat e mitit).
E ku mund ta mbanin kolonat e tjera qytetërimin perëndimor pa kolonën kryesore, Trojën… Pritej vetëm rasti që Troja të rilindte nga hiri si Feniksi, me qëllim që Perëndimi të përligjte pretendimet për madhështi qytetërimore dhe t’i jepte krah ëndrrës së shkëlqimit kulturor dhe zhvillimit superior ndaj rivalëve. Dhe rasti erdhi me “zbulimin e saj prej Shlimanit”. Ndofta ky rast u kërkua dhe u stis doemos dhe ndofta Jaçimoviçi serb mund të ketë të drejtë kur thotë se Shlimani e shpalli zbulimin e thesarit të Priamit pranë muzgut, pasi më parë kish përzënë punëtorët…
Ndaj u investua kaq shumë politikisht projekti i Trojës së Shlimanit, e cila menjëherë iu ridhurua si hipotekë politike e kulturore Greqisë, ndërsa si pronësi dhe administrim territorial iu la Turqisë…, të cilën dy dekada më parë Perëndimi e mbështeti dhe e mori nën sqetull pas disfatave të rënda në përballjen me Rusinë dhe pas konflikteve të përgjakshme që i dhanë emrin Krizës Lindore në mesin e shekullit IXX.


