Jaçimoviçi dhe të ngjashmit
Për të sulmuar Shlimanin dhe për të shpallur si të vërteta tezat vetjake, Jaçimoviçi thërret në ndihmë edhe pensionistin serb prej Sorbone, gjuhëtarin krahasues Milan Ristanoviç, i cili në njërin nga studimet e tij thekson se “… bredhja e Odisesë për t’u kthyer në Itakë pas luftës së Trojës bëhet nëpër Adriatik dhe Jon, nga Korfuzi në Split”, dhe se “Poseidoni është një zot ilir, pra serbo-sllav”.
Ristanoviç thekson se “librat e shumtë që janë shkruar për Trojën dhe Homerin, në shumicën e rasteve nuk sjellin asgjë të re, pasi që të gjitha referojnë gabimisht të vërtetën themelore – vendndodhjen e Trojës”. Sipas tij, “edhe Herodoti e Plutarku thonë se gjatë fushatës kundër Persisë, Aleksandri i Maqedonisë dhe kryegjenerali i tij Pausania, pasi kaluan ‘Helespontin’, e kërkuan gabimisht Trojën në Azinë e Vogël”.
Madje Ristanoviç e hedh poshtë plotësisht zbulimin e pretenduar të Shlimanit për Trojën në Azinë e Vogël, teksa e kritikon ashpër arkeologun gjerman për “mungesë personaliteti” dhe si “mashtrues…”.
Jaçimoviç në mbështetje të tezës themelore vetjake citon gjithashtu një studim mbi Trojën të etnografit serb Aristid Vuçetiç, i cili na bën me dije se “Ritet mortore serbe tek Iliada pas vdekjes së Hektorit janë të njejta me ato që serbët praktikojnë ende: Pas vdekjes së një të afërmi, ose burrit, gratë visheshin me të zeza. Riti i parë ishte vajtimi për të ndjerin, ku një grua qan me zë të lartë, ndërsa të tjerat qajnë duke ndjekur atë. Sot ky zakon është i pranishëm tek serbët, kryesisht në Mal të Zi, Hercegovinë dhe Bosnjë. Madje në këto krahina, edhe sot gratë do të qanin për Hektorin siç bëri nëna e tij Hekuba më shumë se para tre mijë vjetëve”.
Prof. Dr. Gjorgje Jankoviç na e paskërka “konstatuar ngjashmërinë e varrosjes trojane të Hektorit nën bubullimat dhe rrëketë e shiut me një rast të një morti serb në afërsi të krahinave Grahovo dhe Knin”. Madje ai shkroi një libër për këtë rit varrimesh, duke pretenduar se edhe varret antike të zbuluara nga arkeologët ishin thjesht varre serbe që datonin në shekujt IV dhe V pas Krishtit. Por intelektualët zyrtarë serbë nuk e pëlqyen dhe e refuzuan këtë “konstatim shkencor” duke e larguar Jankoviçin nga Fakulteti Filozofik i Beogradit me motivacionin se “serbët nuk jetonin në Ballkan në shekujt IV dhe V”. (Megjithatë, ata vërtet e hoqën nga universiteti Jankoviçin delirant që diskreditonte publikisht e me zë të lartë serbët nëpër pupitra, auditorë e katedra me pohime jo-shkencore për “autoktoninë”, por ama e emëruan në institucionet arkeologjike dhe në krye të ekspeditave, ku bëri zbulime të rëndësishme dhe shkroi libra e studime që vërtetonin tezat e “ilirëve-sllavë”, të cilat jo vetëm nuk ia mohuan, por përkundrazi, ia financuan, duke dhënë kësisoj mesazhin se duhet punuar me kujdes e pa rënë në sy, si miu, e jo si ariu – F. K).
Jaçimoviç “shpërndan indulgjenca si të ishte Papë i shkencës”, që të fitojë përkrahjen e opinionit dhe të tërheqë vëmendjen e akademikëve seriozë, teksa deklaron me zulmë: “Gjuha e Homerit është plot me fjalë serbe, ndaj dhe Milutin Açimoviçit duhet t’i njihet kontributi për identifikimin e fjalëve serbe në gjuhën greke të Iliadës”, dhe se “Koha ka konfirmuar se Dr. Olga Lukoviç-Pjanović kishte të drejtë, kur në tezën e doktoratës në Sorbonë solli fakte që vërtetonin se shumë fjalë në gjuhën greke janë huazuar nga gjuha serbe”.
Jaçimoviç gjithashtu na bën me dije se edhe historiani italian Giancarlo Tomacoli Tiziano, në Kongresin e Historianëve në Shën Petersburg, në vitin 2009 kishte lexuar një referat në të cilin trajtonte rezultatet e deshifrimit të shkronjave lineare A dhe B nga Kreta, duke përdorur gjuhët sllave. “Nga ky deshifrim, – pohon Tiziano, – arrihet në përfundimin se shteti Minoik (themeluar në Kretë 2000 vjet para Krishtit – F. K.) është serb, jo grek, pra jo sikurse mësohet në mbarë botën, në të gjitha nivelet e arsimit. Kjo e vërtetë dikur ishte një surprizë, por nuk është më. Madje sot, gjithnjë e më shumë studiues janë dakord me përfundimin se popujt serbë (sllavë) në Mesdhe dhe në pjesë të tjera të Evropës janë autoktonë”, – kish deklaruar Tiziano në atë kongres, për çka, sikurse edhe Milutin Jaçimoviçi, gjithashtu ishte emëruar (dhe jo zgjedhur) Anëtar Korrespondent i Akademisë së Shkencave Ruse në Shën Petersburg.


