Konsiderata të përgjithshme
Troja mitike pretendohet se është gjetur disa herë në vende të ndryshme, por megjithatë shumica e studiuesve seriozë mendojnë se Troja është një legjendë e mitologjisë antike, çka do të thotë se nuk ka ekzistuar kurrë, përveçse si produkt i fantazisë njerëzore, ndajshtuar me gjetje arkeologjike dhe interpretime “historiografike e linguistike”, që s’bëjnë tjetër përveçse fshehin, injorojnë e keqinterpretojnë faktet, si dhe ngatërrojnë qëllimisht epokat dhe vendndodhjet e ngjarjeve reale.
Për Trojën dhe Luftën e Trojës janë shkruar mbi 5 mijë libra, mijëra artikuj gazetash e revistash, janë filmuar mijëra dokumentarë dhe janë hartuar qindra raporte e reportazhe televizivë, shkencorë e kinematografikë. Por mbi të gjitha, janë xhiruar dhjetëra filma artistikë, deri edhe me pjesëmarrjen e aktorëve më të shquar të kinematografisë botërore.
Mit apo realitet, eposi homerik i Trojës është kulmimi vetëreferues i vetëglorifikimit të qytetërimit perëndimor (greko-romak), i frustruar me të drejtë përballë madhështisë dhe gjenialitetit të padiskutueshëm të qytetërimeve parake apo bashkëkohëse, sikurse ata egjiptian, minoiko-kretak, mesopotamik, asiro-babilonas, kinez, indian, indokinez, inkas, actek, maja. Gjithashtu “qytetërimi Trojan” i supozuar dhe i lënë në eter e në fatin e tij edhe nga vetë baballarët e shkencave që nuk pranuan të vetësakrifikonin reputacionin me vetëpërfshirje në probleme të paqarta shkencore, gjithsesi në fundore u përdor si instrumentarium i shkëlqyer në përballjet gjeostrategjike e gjeopolitike të anglo-saksonëve dhe latinëve europianë me grupimin stërmadh të sllavëve të Veriut dhe të Jugut të kontinentit… Grupim kombesh e shtetesh ky që, bazuar në forcën dhe strategjitë e qarta, synonin ekspansion territorial dhe hapësira jetike qoftë edhe duke spekulluar me shkencat teorike jo ekzakte – për çka do shkruaj edhe më poshtë.


