Shkodër-“Troja” sipas serbëve
Kjo dilemë për ekzistencën ose jo të Trojës të nderuar miq, m’u shpërfaq sërish në këtë kohë pandemie, teksa para disa ditësh ndesha rastësisht me një material afro 11-vjeçar të juristit serb Milutin Jaçimoviç, titulluar “Troja-kryeqyteti Shkodër i serbëve”, punim të cilin ky jo-profesionist në historiografi e paskërka referuar në Kongresin e Historianëve në Shën Petersburg të Rusisë në vitin 2009, “kontribut shkencor” për të cilin është emëruar (jo zgjedhur) edhe Anëtar Korrespondent i Akademisë Ruse të Shkencave, për çka edhe është shpallur me zulmë si shkencëtar i shquar nga organizatorët vendas!!?
Paskëtaj, me ndjenjë “legjitime” triumfalizmi Jaçimoviç ka pohuar se tezën e tij të “Shkodër-Trojës serbe” e ka promovuar qysh në vitin 1991, në organin e atëkohshëm “Shkëndia komuniste”, ku botoi artikullin me titull “Troja është Shkodra”, në të cilin i kumtoi lexuesve se po u sillte këtë të vërtetë të pamohueshme shkruar 25 shekuj pas përkthimit dhe redaktimit nga gjuha staro-sllavjane (frigjiano-serbishtja e lashtë) në greqishten e vjetër, e vërtetë kjo e shkruar asokohe prej përkthyesve dhe redaktorëve të parë antikë.
Në librin që ka botuar së fundmi e në të cilin “thellon argumentet e tezave” të referuara tek “Shkëndia komuniste (iskra)” krahas atyre të referatit të mbajtur në Rusi, Jaçimoviç trajton, sipas tij, “të vërtetën fatkeqësisht të mohuar me shekuj…”, që gjoja për “shkaqe politike dhe kryekëput keqdashëse antiserbe”, vijon ende të “mohohet” të paktën qysh prej 150 vjetësh, qëkurse arkeologu gjerman Hajnrih Shliman shpalli në vitin 1870 se kish zbuluar rrënojat e Trojës antike në Hisarlik të Azisë së Vogël. Dhe kjo “e vërtetë e fshehur enkas”, sipas Jaçimoviçit, na dëshmon se Troja e famshme dhe Lufta e Trojës nuk janë mite e legjenda, por realitete, dhe se Troja ndodhet në trevat historike serbe, bash në “Shkodrën seli e mbretërive dhe e mbretërve serbë qysh nga lashtësia e deri në mesin e shekullit XIV, kur mori fund edhe perandoria e Stefan Dushanit”.
Jaçimoviçi pohon se “Troja, ose Ilioni, ishte një qytet i madh që lartësohej mbi një kodër të pjerrët ku frynte era e fortë dhe poshtë këmbëve të tij bashkoheshin dy lumenj, midis të cilëve shtriheshin fusha të mëdha që lageshin edhe nga uji i detit. Në këto fusha u zhvilluan betejat madhështore ku luftuan 50 mijë akejtë dhe poaq trojanë me këmbësorinë, kalorinë dhe karrocat e panumërta të luftës. Këto beteja kishin nevojë për terrene fushë-beteje tepër të gjëra dhe së paku 10 km. të gjata, për të lëvizur dhe luftuar mbi 100 mijë luftëtarë”.
Në vijim ai thekson se, “Sipas Iliadës, në anën e majtë të ushtrisë akease, (e cila sulmonte nga bregdeti hipur në më shumë se 1000 anije të vogla që zbarkonin në një plazh të madh deti), rrjedh lumi Skimandar, që është Buna, ndërsa në të djathtë është lumi Simonet, domethënë Drini. Nën kështjellën e Trojës lumenjtë bashkohen dhe krijojnë një cektinë (va të cekët), që sipas Iliadës i shërbente ushtrisë trojane për të kapërcyer lumin e për të hyrë në fushën e betejës. Sipas Homerit, Mali i Shenjtë i trojanëve është Ida, nga lartësitë e të cilit mbrojtësi i Trojës dhe i trojanëve, perëndia Apulunus (Apolloni), e shikon fushën e betejës duke i parë trojanët në shpinë dhe Akejtë në fytyrë”.
Sipas tij “në Hisarlik nuk ka kurrfarë mali që qëndron pas Trojës homerike…, sepse të tillë ka vetëm në Shkodër, e që janë Bjeshkët e Namuna, Mali Sharr dhe Korabi. Padyshim që Ida është kurora e Bjeshkëve të Namuna, kurorë kjo më e madhja në Ballkan, 80 km. e gjatë dhe 2694 metër e lartë, që e ka marrë emrin nga populli i saj i krishterë për shkak të shumë faltoreve antike që janë të shpërndara në të. Edhe sot, atje gjenden shumë faltore të krishtera dhe qytete antike. Kështjella e Shkodrës është fortifikimi më i madh dhe më i fuqishëm i tipit kodër në Mesdhe, për të cilin koha e krijimit ende nuk dihet. Ndoshta daton në mijëvjeçarin e dytë ose të tretë para Krishtit. Qyteti është i vendosur në një distancë të mjaftueshme nga deti, në mënyrë që betejat e përshkruara midis dy ushtrive të mëdha të mund të zhvillohen në hapësirën mes dy lumenjve. Në këtë zonë janë të gjithë lumenjtë e përshkruar në Iliada. (Jaçimoviç e ka fjalën për lumin Moraça, me degët Zeta, Ribnica dhe Cem, për lumin Crnojevica Rijeka dhe për lumin e vogël Crmnica – F.K.). Pranë Shkodrës shtrihen edhe vendbanimet e aleatëve të trojanëve, sikurse: Likianët (nga Zeta); Dardanët, të cilët shtrihen ndanë brigjeve të Drinit; Peonasit e brigjeve të Vardarit dhe Thrakët pas tyre; Pellazgët e famshëm të Larisës, si dhe Frigjianët në jug të Ohrit. Të gjithë këta janë vetëm disa ditë më këmbë larg nga Shkodra dhe mund të udhëtojnë drejt Trojës me tokë, siç e përshkruan Iliada. Edhe vetë Enea, i cili, sipas legjendës, pas luftës shkoi në Lacio me një pjesë të trojanëve, mund të dilte lehtësisht nga ky rajon drejt e në det, gjë që do ta kishte të pamundur nga Azia e Vogël. Nuk ka asnjë qytet të vetëm në Mesdhe që ashtu si Shkodra t’i përshtatet përshkrimeve të Iliadës me aq shumë detaje. Për arsye politike, Helenët e zhvendosën Trojën në Azinë e Vogël, në zonën e kolonive të tyre, të cilat ata i vendosën në atë zonë qysh në shekullin VI para Krishtit, kur me kast e emëruan ngushticën e Dardaneleve si ‘Helespont’. Iliada dhe Odisea u redaktuan kur u përkthyen në dialektin grek në Athinë gjatë tiranisë së Pisistratit dhe djemve të tij”.
Tek Iliada, sipas Jaçimoviçit thuhet se “Troja është pranë një liqeni të mbushur me ngjala, dhe se pranë Trojës së Shlimanit nuk ndodhet asnjë liqen. Iliada thotë se lumi Skimandar rrjedh nga ai liqen dhe derdhet në det me dy krahë (delta e Bunës), ndërkohë që në Hisarlik të Turqisë nuk ka lumë përveçse një përroi të tharë dhe rrënojave të supozuara të ‘Trojës’. Tek Iliada thuhet se aleatët e trojanëve dhe heroi Akil mbërritën në Trojë me kalë ose me këmbë, çka do të thotë se nëse Troja do të ndodhej në Azinë e Vogël, pra në Hisarlik, ata do të kishin mbërritur në Trojë veçse të hipur në anije, apo në varka. Por le të rikthehemi tek teza se ‘Shkodra është Troja serbe’.
Siç e kemi parë, ilirët janë serbë dhe serbët janë sllavë, çka do të thotë se: Trojanët janë etërit tanë autoktonë dhe bartësit e civilizimit serbo-sllav të kohërave antike; Troja e dikurshme është kryeqyteti i lashtë serb i Shkodrës; Iliada si nocion qytetërimor antik i referohet shteteve serbe, qyteteve, mbretërive, mbretërve dhe heronjve serbë të kohës. Pra përfundimisht mund të pohojmë me bindje shkencore se Iliada dhe Odisea të Homerit nuk janë poema ditirambike kushtuar shteteve greke, mbretërve grekë, heronjve grekë, por janë dëshmi për shtetet serbe, mbretërit serbë dhe heronjtë serbë të antikitetit…”.


