Shkujdesjet e Jaçimoviçit
Unë personalisht kam bindjen se Jaçimoviç nuk vetëpërmbahet dhe nuk përdor “frena shkencore” kur pretendon hapur dhe me zulmë se heronjtë e Iliadës dhe Odisesë janë serbo-sllavë antikë dhe se ngjarjet e përshkruara në to nuk kanë kurrfarë lidhjeje me trojanët, dardanët, peonët, thrakasit, frigjianët, hititët, skithët dhe aleatët e tyre. Madje ata, sipas tij, nuk kanë lidhje as me akejtë, mikenasit apo grekët e vjetër, pasi që të gjithë këta “pjesëmarrës në Luftën e Trojës” na qenkëshin serbë, dhe se Iliada e Odisea u përkthekan vetëm me serbishten e vjetër dhe gjuhët e dialektet staro-sllavjane, gjithmonë pa përmendur se cili është fondi i leksikut serb që bën kësi mrekullirash.
Palën anti-trojane si inekzistente në këtë përplasje titanësh, Jaçimoviç (por jo vetëm), e skualifikon me argumentin se “grekët antikë janë shfaqur në Ballkan 4-5 shekuj pas Luftës së Trojës…”.
Madje Jaçimoviçi i ndërkryer prej deliri dhe i kooptuar si “shkencëtar” në Rusi, as që do t’ia dijë se arkeologët dhe historianët e antikitetit pretendojnë se në shekullin XII para Krishtit në arealin ballkanik njiheshin si popuj dhe fise parake veçse Ilirët (bashkë me degët e tyre sikurse dardanët, dalmatët, liburnët, epirotët e mollosët), Mikenasit, Akejtë, Thrakët, Peonët, Skithët, Frigjianët, Hititët (që futen në grupimin e madh të Pellazgëve). Çka do të thotë se nëse vërtet ka ekzistuar Troja dhe është zhvilluar lufta e supozuar e saj, e përshkruar nga Homeri-rapsod (dhe jo bashkëkohës e dëshmitar okular), atëkohë palë ndërluftuese kanë qenë ushtritë e popujve dhe fiseve të mësipërme, të gjithë, ose një pjesë e tyre. Por asokohe as që mund të bëhej fjalë për parakë të serbëve dhe sllavëve në trevat ballkanike, pasi historiografia serioze e regjistron ardhjen e tyre në Gadishullin Ilirik vetëm në shekujt VI dhe VII pas Krishtit.
Historiografët serbë dhe aleatët e tyre nuk lënë “argument” pa e ndërkallur si “fakt, artefakt dhe provë shkencore”, por arratisen sapo t’u kujtosh se babai medievalist i Bizantologjisë, Sllavistikës dhe i Ballkanologjisë moderne, Konstantin Jireçeku gjenial, ua ka vënë gardhin tek thana për pretendimet si parakë dhe autoktonë në Ballkan si “ilirë-sllavë”, në veprën në 2 vëllime “Historia e serbëve”. Madje po këto qëndrime ndaj të vërtetave shkencore kanë mbajtur edhe ballkanologët e shquar Ludvig Thaloci, Mavro Urbini dhe Milan Shuflai.


