Fatos Kola – Jaçimoviç: “Troja e Homerit është Shkodra serbe”

GazetaTjeter
62 Min Read
Vini re: GazetaTjeter.com mund të përmbajë lidhje partnere, në formën e popup-eve, apo njoftimeve të ndryshme, që do të thotë se mund të fitojë një komision nëse klikoni mbi këto lidhje. Ne ju kërkojmë të klikoni disa herë gjatë ditës mbi këto produkte, vlera e të cilatve përveçse shumë informative për ju, besojmë se do t'i japë një dorë të mirë mbarëvajtjes së punës sonë. Mbështetja juaj vlerësohet!!

Grekë, sllavë, teutonë dhe shqiptarë

E dhëna më e habitshme dhe më tronditëse e historio-grafisë së Trojës antike është deklarimi i Herodotit se “Lufta e Trojës u zhvillua në shekullin XIII para Krishtit, ndërsa grekët mbërritën në Ballkan në shekullin VIII para Krishtit, pra 500 vjet më vonë”. Kësisoj i bie që, sipas Herodotit, rezulton se grekët nuk mund të merrnin pjesë në Luftën e Trojës ngaqë nuk ekzistonin asokohe në ato treva dhe as në Ballkan.

Vetë Jaçimoviçi ua mohon grekëve pjesëmarrjen dhe protagonizmin në luftën e Trojës, duke ua faturuar serbëve. Madje u faturon atyre përkatësinë etnike të të dy palëve ndërluftuese. Por ai nuk e ka vetëm me grekët, ndaj jo rastësisht aludon ndaj Shlimanit për qasje, ndikim dhe implikim të fortë politik derisa e akuzon hapur si “tendencioz, të ndikuar dhe të lidhur me programin e Shkollës së Historisë Vjenë-Berlin në shekullin XIX”. Shkollë që sipas tij dhe sipas historiografisë zyrtare serbe e ruse ishte thjesht një institucion i konformuar politikisht dhe i përshtatur me thelbin e planeve ekspansioniste perandorake gjermane drejt vendeve sllave dhe popujve sllavë.

Shlimani “heretik” në fakt kish “mëkatuar” ngaqë kish guxuar të shkruante se “sllavët, si fise jo-indigjene (pra jo-autoktone, shënimi im F.K.), nuk kishin mundur të zotëronin shkrim e këndim dhe arritje të tjera civilizuese deri në shekullin IX pas Krishtit, sikurse Grekët, Romakët dhe Gjermanët”. Madje “mëkati” i tij kishte kulmuar në “blasfemi” kur kish shkruar se “në Gadishullin Ballkanik dhe në Panoni sllavët e Jugut ishin të ardhur nga Rusia, duke pushtuar tokën e kombeve të tjera”.

Pikërisht këtë pohim të “pushtimit të tokës së kombeve të tjera”, historiografia serbe dhe ajo ruse e interpretojnë si vetëmarrje me dhunë nga gjermano-austriakët të tagrit dhe projektit për të vënë në vend të Drejtën Historike të përzënies së sllavëve nga toka e rrëmbyer… Pohim ky që sipas tyre nënkupton të gjithë aksionin politiko-diplomatiko-ushtarak antisllav në Ballkan dhe më gjerë të “Imperializmit teuton dhe aleatëve të tyre” në dy shekujt e fundit…

Por Jaçimoviçi, pas shugurimit si “shkencëtar” në Shën Petersburg, nuk i shpalli luftë vetëm Shlimanit që qëndronte si “mur kinez” para teorisë së tij të “Trojë-Shkodrës serbe”. Ai në zjarrminë e delirit “shkencor”, arriti deri aty sa e etiketoi babanë e sllavistikës Konstantin Jireçek si “çirak të Vjenës e të Berlinit dhe ushtar të mjerë të imperializmit teuton”, thjesht dhe vetëm se ai kish guxuar të sfidonte me skrupulozitet shkencor tezat e sajuara për autoktoninë serbe në Ballkan dhe për kryeqendër-kryeqytetin e tyre – Shkodrën.

Po përse Jaçimoviçi e shpall Jireçekun si armik të sllavëve të Ballkanit (pra sllavëve të Jugut), kur ky Konstantin i Madh i Shkencës në periudhën 1779-1784 punoi si ministër i Jashtëm, si ministër i Shkencave dhe më pas si Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Sofies?!

Jireçeku kish marrëdhënie shumë të mira, merrte projekte të financuara dhe paguhej si konsulent i qeverive dhe institucioneve universitare e studimore në të gjitha shtetet sllave të kontinentit, përveç Rusisë dhe Serbisë, ku mbeti nongrata dersa u nda nga jeta në vitin 1918, në moshën 64 vjeçare, në kulmin e shkëlqimit të gjenisë shkencore.

Nisur nga logjika e mbrapshtë e etiketimit dhe kualifikimit të studiuesve e shkencëtarëve si “armiq” të aksh kombi apo populli, i bie që shqiptarët, më shumë se kushdo tjetër, të shpallin si “armikun më të madh” Jaçimoviçin e shumë të tjerë para tij, teksa me tendencë, para se ta nxirrte dhe shpallte Shkodrën si “serbe” edhe kur e quan “Trojë”, ka punuar për disa vite dhe ka publikuar në vitin 2007 temën me titullin “Problemi metodologjik i eksplorimit të origjinës së shqiptarëve”, referuar në Beograd më 21 qershor 2007, si dhe temën “Serbët dhe shqiptarët në tokën serbe”.

Shqiptarët janë mësuar me shtetarë dhe ofiqarë shumë të lartë serbë e me qyrk shkencëtari, që kanë hartuar platforma gjenocidale kundër tyre, sikurse Vladan Gjorgjeviçi, Vasa Çubrilloviçi e Ivo Andriqi me shokë, ndaj qeshin me “juristin” Jaçimoviç, që më shumë bërtet sesa bën shkencë, edhe kur sponsorizohet me të gjitha mjetet e mënyrat…, deri edhe nga Shën Petersburgu kur shërben kërrenja kundër Shqipërisë dhe i nxjerr sllavët si të vetmit banorë autoktonë të Ballkanit, Egjeut dhe Azisë së Vogël në mijë-vjeçarët e fundit.

Ne na shqetëson fakti që në të gjithë këtë zallamahi që lartësohet deri në shovinizëm “shkencor” hesht Albanologjia shqiptare, që thuhet se drejtohet nga një personazh me origjinë minoritare sllave, kontributi i të cilit për Albanologjinë është doktorimi në Francë për vlerat e Sartrit në letërsi, dhe si pagator i vartësve që punojnë për Beogradin me studime të ngjashme me ato të Jaçimoviçit-personazh kryesor të këtij shkrimi.

Tituj

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *