Gjeopolitika dhe “Troja” e Jaçimoviçit
Në prag-shpërbërjen e Jugosllavisë në vitin 1991, kur Shqipërisë i merreshin këmbët dhe filoserbët në politikën shqiptare filluan shkatërrimin e ushtrisë, i yshtur nga trimërimi i Millosheviçit dhe cubat e Rozafa-Moraçës në Shqipëri, serbi Jaçimoviç shpalli “Shkodër-Trojën serbe” tek “Shkëndia komuniste”.
Rifuqizimi i Rusisë dhe ekspansioni Putinian drejt Ukrainës lindore, Krimesë dhe Ballkanit, e shtyu Jaçimoviçin drejt Rusisë ku mori përgëzimet për Tezën e Shkodër-Trojës serbe dhe u kooptua “shkencëtar” në Rusinë Putiniane në vitin 2009.
Që Troja homerike u shndërrua në aspiratë dhe projekt gjeopolitik grek në antikitet për ekspansion ndër të tjera edhe në Azinë e Vogël, tashmë nuk ka kurrfarë dyshimi.
Që Troja e Shlimanit u shndërrua në epiqendrën e projektit gjeopolitik antisllav të Bismarkut dhe mbarë Perëndimit, e ka konstatuar vetë Jaçimoviç dhe unë padyshim që e kam pranuar si tezë të saktë pasi kështu më rezulton nga analiza gjeopolitike.
E përse të mos vazhdoj me këtë logjikë edhe për analizimin e “zbulimit të Shkodër-Trojës serbe”, që padyshim na çon drejt projektit gjeopolitik ruso-serb në Ballkan, që tanimë na shpërfaqet edhe me trajtat e “Mitrovicë-Trojës serbe” dhe “Zajednicë-Trojës serbe” në Kosovë?!
Gjeopolitika e shteteve sllavo-antishqiptare mbetet po ajo: mijëra-vjeçarja dhe shekullorja. Madje asaj mund t’i ndajshtohen si vektorë fuqie edhe lobingjet antishqiptare, rusofile e serbofile, krahas klaneve të tradhtarëve brenda nesh.
Ndaj më shqetësoi Jaçimoviçi serb që i takon një shteti të armatosur deri në dhëmbë, me Rusinë nga pas, përballë ne shqiptarëve të keqarmatosur, që presim të na japin armë e të na ndihmojnë nëse na sulmojnë serbët, ndërkohë që 20 vjetët e fundit u kemi dhuruar: kuota strategjike dhe 2 mijë hektarë tokë shqiptare maqedono-bullgarëve; kuota strategjike dhe 8 mijë hektarë tokë shqiptare malazezëve me mashtrime dhe premtime perëndimore; kurse tash na kërkojnë Trepçën megjithë Mitrovicë e me 3 komunat, pasi më parë na kanë kërcënuar me Shkodër-Trojën si skemë gjeopolitike ruso-serbe.
Më gjeni një shtet në planet që për minoritete 5 % të popullsisë i kërkojnë 16 % të përfaqësimit në parlament dhe fillimisht autonominë vetëqeverisëse e më pas dhurimin e 25 % të territorit?
Dhe pastaj tradhtarët atdheshitës na flasin për aleatë strategjikë, po kurrë nuk përmendin se nga ata lobistë rusofilë e serbofilë që nuk kanë asnjë detyrim ndaj shqiptarëve dhe nuk u kemi asnjë borxh, na kërkohet të falim atdheun me duart tona.
Jo, trojet armiqve historikë u dorëzohen vetëm me luftë dhe kurrë me marrëveshje. Atë që mezi e rifituam me lumenj gjaku nuk mund ta dhurojmë në tavolinë.
“Jaçimoviçët” antishqiptarë i kemi brenda nesh. Nuk shkruajnë vetëm libra, por shpalosin projekte konkrete.
Fatos Kola, skulptor, profesor në Akademinë e Arteve, Tiranë, Shqipëri


