Noam Chomsky, Intelektuali i shquar antikonformist
Nga Artan KAFEXHIU
Jeta dhe veprimtaria e Chomsky-t ka shënuar kuota ndër më të lartat të reputacionit mbarëbotëror dhe të arritjeve cilësore, por punimi që padyshim e renditi në top-listën e njerëzve më të famshëm mbetet ai me titullin “Strukturat Sintaksore”.
Idetë e shpërfaqura prej tij në këtë punim janë tepër origjinale dhe i japin shtysë vendimtare debatit të kamotshëm se njerëzit munden t’i fitojnë njohuritë brenda një kohe relativisht të shkurtër dhe madje në sasi të konsiderueshme.
Studimi i Chomsky-t mbi sintaksën, çoi në konceptimin “e faktorëve sintaksorë universalë në lingustikë”, sipas të cilëve “gjuhët e botës janë shumë më pak të ndryshme nga njëra-tjetra sesa duken në një vështrim të parë siperfaqësor, për arsye se ato kanë elementë sintaksorë universalë të përbashkët, e që përcaktojnë strukturën hierarkike të fjalisë”.
Shpjegimi që jep Chomsky: “Rregullat e pandryshueshmërisë së sintaksës intuitive, janë të rrënjosura në ndërgjegjen njerëzore aqsa mund të shihen si rezultat i trashëgimisë gjenetike. Aftësia për të mësuar e për të përdorur gjuhën është më së shumti një aftësi e lindur, sesa e fituar. Ky shpjegim mund të mos jetë plotësisht korrekt, por sot për sot është më i pranueshmi”, – përfundon ai.
Chomsky u shndërrua në një eminencë lingustike, ashtu siç i kishte ndodhur Betrand Russell-it për “principet matematike”, apo Sartre-it, i referuar si “babai i ekzistencializmit”, etj..
Joshja që shkaktojnë në opinion personalitete të tilla si Chomsky, Russell, Sartre, etj., në ndryshim nga kategoria e eminencave të tjera në disiplinat e veçanta – është se ata e përdorin në publik kapitalin intelektual që kanë krijuar nëpërmjet kontributit të jashtëzakonshëm në fushat e tyre, për t’i dhënë një fizionomi publike, platformës së pikëpamjeve që ata kanë rreth aspekteve shoqërore dhe politike me të cilat ndeshet përditë shoqëria njerëzore.
Është karakteristikë e llojit të intelektualëve si Chomsky, që nuk e shohin aspak si problematikë mospërputhëse, kapërcimin prej disiplinave të tyre (ku ata njihen si mjeshtra të mëdhenj), në aspektet shoqërore dhe në jetën publike, e ku natyrshëm presupozohet se nuk kanë ndonjë privilegj, apo të drejtë për t’u dëgjuar më tepër se çdokush tjetër.
Pretendimi i tyre i nënkuptuar për t’iu drejtuar opinionit publik është se, ngaqë kanë dije të veçanta e më të thella në disiplinat vetjake, kanë të drejta që u japin mundësi atyre për ta kuptuar njerëzimin më thellë se të tjerët.
Chomsky beson totalisht dhe verbërisht se aftësitë e tij filozofike bëjnë që këshillat që ai i jep shoqërisë në aspekte të ndryshme, të jenë të dobishme dhe të vlefshme.
***
Intelektualët perëndimorë si Chomsky, shprehën revoltën e tyre ndaj politikës së ndërhyrjes ushtarake amerikane në Vietnam, e cila natyrshëm, sikurse ndodh në luftën “për jetë a vdekje”, përshkallëzoi nivelet e dhunës dhe të krimeve kundër popullsisë civile.
Mirëpo Chomsky arriti në konkluzionin se kontributi i tij në aspektet universale të lingusitikës mundëson evidentimin me lehtësi të imoralitetit të politikës amerikane në Vietnam. Sipas Chomsky-t, “për të arritur në këtë konkluzion, varet se cilën teori të përftimit të njohurive dhe dijeve ne pranojmë si të mirëqenë dhe së cilës i referohemi”.
Nëse do ta imagjinonim mendjen e njeriut, qysh në lindje, si një “tabula rasa”, ndërsa trurin e njeriut si një pjesë prej plasteline që mund të marrë çfarëdo forme që ne dëshirojmë, atëherë njerëzit mund t’i konsiderojmë si subjekte të përshtatshme për t’u dhënë formë sjelljeve dhe mendimeve të tyre nga ana e shtetit, apo prej drejtuesit të një korporate, prej teknokratit, profesorit, gazetarit, intelektualit publik, apo prej një udhëheqësi partiak ideologjik.
Por nga ana tjetër, nëse njerëzit zotërojnë struktura të lindura, të trashëguare të mendjes, dhe që si qenie kanë nevoja të brendshme, kanë modele kulturore e sociale të trashëguara e që i konsiderojnë si “natyrale” përpjekjet e shtetit, apo të kujtdo tjetri – duhet që këto përpjekje patjetër të dështojnë, duke qenë se janë te padrejta!!? Përgjatë këtij procesi të imponimit të kulturës së re (pra në rastin tonë të kulturës amerikane-perendimore), do të pengohet progresi “natyral” i njerëzimit.
Për rrjedhojë, edhe përpjekja e Amerikës për të imponuar kulturën e vet në aspektet shoqërore, kulturore, politike mbi popullsinë aziatike, ishte “kriminale” (përsëri sipas Chomsky-t).
Duke e konsideruar teorinë e tij mbi aftësinë e lindur gjuhësore të njeriut si të vlefshme edhe për gjykime politike dhe sociologjike, mund të thuhet pa mëdyshje se teoria e tij përbën argumentin më universal dhe gjithëpërfshirës kundër të ashtuquajturit “social engineering”, term ky i përdorur nga Stalini, e sipas të cilit “intelektualët, shkrimtarët dhe artistët janë inxhinierët e shpirtrave e të ndërgjegjes shoqërore”.
“Social engineering” ishte produkt i intelektualëve dhe filozofëve si Rousseau, Marksi, Lenini, që besonin se ata vetë mund të ridizenjonin shoqërinë vetëm nëpërmjet arsyes, duke u bërë kështu pikënisja e traditave totalitariste.
Chomsky dëshiron ta aplikojë teorinë e tij të aftësisë së lindur të njeriut për të marrë dije, për të asimiluar kulturë edhe në rastin e studimit të totalitarizmit; sipas tij, totalitarizmi përpiqet me të gjitha metodat më mizore që të shtypë, apo të ndryshojë karakteristikat e lindura të njeriut.
Sipas Chomsky-t demokracitë liberale perëndimore, nga natyra e tyre, janë poaq për t’u kritikuar sa edhe totalitarizmi. Po sipas Chomsky-t, kapitalizmi, ashtu si edhe tirania totalitare, përdorin të gjitha mjetet shtrënguese të dhunës për të penguar njeriun të realizojë vetveten; të ruajë e të zhvillojë me vullnetin e tij të lirë dhe në mënyrë natyrale – karakteristikat e trashëguara qysh në lindje.
Ndërkohë, kur në njërën anë, ata si Chomsky justifikonin përdorimin e dhunës për të arritur barazi racore, çlirim kolonial, apo justifikonin terrorizmin marksist; nga ana tjetër revoltoheshin kur dhuna përdoret nga një demokraci perëndimore, siç ishin SHBA-të – për të mbrojtur territoret e Azisë Juglindore nga uzurpimi marksist e totalitar.
Shpjegimi i intelektualëve si Chomsky është se lloji i parë i dhunës ishte individual, personal, “kundra-violencë”, kurse lloji i dytë ishte “dhunë e institucionalizuar”.
Pra kemi një kapërcim nga dhënia e një shpjegimi sesi i fitojnë njerëzit njohuritë, në intelektualë që kërkojnë të këshillojnë një qeveri apo shtet demokratik sesi ta ndërtojë e zhvillojë gjeopolitikën e tij.
Intelektualë si Chomsky patën padyshim efektin e tyre, teksa ndikuan opinionin publik dhe e detyruan Amerikën të tërhiqet nga Azia Juglindore.
Vendosmëria e Amerikës për të instaluar regjime demokratike të ngjashme me ato perëndimoret në vendet ku në fakt dështoi – nuk bëri tjetër veçse ia la vendin “social engineering”-ut të marksisteve filo-kinezë. Shembuj të tillë të protestës social-politike të këtyre lloj intelektualësh, mund të jepen pafund, teksa rreshtojmë reagimet opozitare të shumicës së intelektualëve pacifistë evropianë në lidhje me ndërhyrjen ushtarake amerikane në Irak.
***
Tani, po t’i referohemi rastit të Shqipërisë, mund të pohojmë se publiku shqiptar është tepër skeptik kur intelektualët tanë publikë të promovuar në dhjetë vitet e fundit, u predikojnë atyre dhe “shtetit shqiptar” sesi të sillen e të menaxhojnë jetët, aktivitetin dhe punën e tyre të perditshme.
Po nga rrjedh skepticizmi dhe bindja ndaj këtij takëmi intelektualësh? Ato burojnë nga perceptimi gjithnjë e më i dukshëm, se “intelektualiteti” i tyre nuk e bën këtë lloj intelektualësh më të zgjuar dhe më të aftë për të dhënë këshilla, apo më të vlefshëm dhe ekzemplarë në virtyte dhe cilësira njerëzore. Për të vërtetuar këtë mjafton të ndalosh në rrugë njerëz çfarëdo, të të gjitha kategorive, dhe do të shohësh se edhe ata janë në gjendje të ofrojnë pikëpamjet dhe sensibilitetin e tyre në aspekte morale, qytetare, shoqërore, politike – të njëjta, apo të ngjashme me pjesën më të madhe të këtij lloji intelektualësh të ekspozuar në shtyp dhe mas-media. Nderkohë, është krejt e pritshme që këta qytetarë të thjeshtë mund të mos kenë lexuar apo dëgjuar ndonjë artikull apo për ndonjë kontribut të intelektualëve të tillë.
Në shumicën e rasteve duhet të skarcosh menjëherë “gjykimin intelektual” të këtyre intelektualëve. Kjo në veçanti, kur vjen puna për të dhënë verdiktin e tyre për udhëheqës shteti apo politikanë; poashtu edhe për evenimente të rëndësishme historike, shoqërore dhe politike.
Kur këta intelektualë i konsideron dhe i vlerëson si grup, fare mirë ata mund të shndërrohen në sytë tanë në ultrakonformistë, sidomos brenda atyre rretheve të krijuara nga njerëz prej të cilëve këta lloj intelektualeëh publikë kërkojnë aprovimin dhe vleresimin.
Kur kthehen ne “en masse”. atëherë ata bëhen edhe më të rrezikshëm; pasi kjo “masë intelektuale” mund të kthehet në “masë kritike”, duke krijuar një klimë ortodoksije dhe mbizotëruese idesh.
Intelektualët lëvizin dhe jetojnë në botën e ideve dhe koncepteve, ndërsa frymorët e thjeshtë, shumica e njerëzve, mundet fare mirë të mbytet nën tiraninë e pashpirt të ideve të tyre.